Kërkohet Hasani i Kukësit
Në fillim ishte kryebashkiaku i “suksesshëm” i Partisë Demokratike, në vitin 2015 u prezantua si një emër i denjë për Rilindjen e Kukësit dhe sot është në kërkim policor për rreth 450 milionë lekë abuzime. Ky është Hasan Halili, ish-kryebashkiaku Kukësit, që sipas Prokurorisë dyshohet se ka abuzuar me detyrën së bashku me 3 ish-zyrtarë të lartë, të cilët janë arrestuar.
Sipas prokurorisë, zyrtarët e lartë janë të dyshuar për shpërdorim detyre, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer një seri veprimesh fiktive, duke e regjistruar Bashkinë Kukës si aksioneve në shoqërinë “Klubi i Futbollit Kukës”. Pas regjistrimit kanë paguar në formë sponsorizimi nga arka e bashkisë gjatë viteve 2011-2015 rreth 45 milionë lekë të reja për ekipin. Këto para janë marrë fondi i Bashkisë duke mos paguar sigurimet për thuajse gjithë punonjësit e institucionit të Bashkisë. Edhe pse ishte vënë në djeni për detyrimet gjatë 4 viteve kryebashkiaku nuk ka marrë asnjë masë, duke rritur edhe më shumë borxhin që kishte ndaj tatimeve. Historia e abuzimeve është e njohur në disa ish-komuna që preknin fondet, por rasti i heqjes së sigurimeve të punonjësve të shtetit për të financuar ekipin është një rast unik i vjedhjes.
Por më shumë se vjedhja e dyshuar nga prokuroria është emri i ish-kryetarit të shpallur në kërkim ai që ka tërhequr kureshtjen. Hasan Halili u bë i njohur për opinionin publik kur deputeti Ben Blushi i kërkoi publikisht Edi Ramës se përse e zgjodhi atë si kandidat për kreun e bashkisë së Kukësit. E kaluara e tij në Partinë Demokratike dhe drejtimi i Bashkisë së Kukësit nën siglën e PD-së për dy mandate e kishin etiketuar si një të djathtë tradicional dhe një model që nuk merrej si sukses, sidomos për të majtën. E megjithatë koalicioni qeverisës e etiketoi si njeriun që do të sillte rilindjen në qytetin e Kukësit. Kryeministri Edi Rama në disa takime që zhvilloi në Kukës e cilësoi Halilin si njeriun e duhur që do të administronte pushtetin dhe taksat vendore
“Le ta mbajnë Saliun për mbret, por këtu lë te zgjedhin Hasanin. Se këtu u duhet një shërbëtor, nuk ju duhet një mini Sali që t’ju bëj politikë gjithë ditën. Nëse doni shtatë ditë të javës me punë, pa ju ndarë në socialistë dhe demokratë keni Hasan Halilin dhe aleancën për Shqipërinë Europiane. Vota juaj për Hasanin është detyrimin që t’ua kthejmë në investime premtimet e Hasan Halilit”,- kjo ishte një pjesë nga elozhet që Rama thurte për Hasan Halilin gjatë fushatës elektorale.
Ndërkohë që kandidimi i tij u kundërshtua nga deputeti Ben Blushi, me shkrime në media, por edhe në fjalimet e mbajtura në Kuvend. Blushi kritikoi fenomenin e kalimit nga njëra forcë politike tek tjetra dhe zgjedhjen e Ramës për të vendosur kandidatë, njerëz që nuk ishin shquar për asnjë sukses në karrierën e tyre të mëparshme.
“Zgjedhja e Hasanit në Kukës është hasanizimi i politikës. Është hasanizimi i Rilindjes. Është hasanizimi i Shqipërisë. Hasanizim do të thotë të kalosh nga një parti në tjetrën pa pasur asnjë besim as tek partia e vjetër dhe as tek partia e re. Hasanizim do të thotë të jesh gjithnjë në pushtet…. Hasanizim do të thotë që kurrë të mos vish, por të presësh dhe të rrish. Hasanizim do të thotë që partitë nuk kanë asnjë dallim dhe qeveritë, kur ndërrohen, nuk sjellin asnjë ndryshim. Hasanizim do të thotë harrim. Amnezi dhe vazhdim. Dhe Shqipërinë nuk po e hasanizon Hasani, por fatkeqësisht po e hasanizon Rilindja”,- deklaronte Blushi në fjalimin tij në Kuvend pak para zgjedhjeve të qershorit të vitit të kaluar.
I gjithë ky debat i bërë një vit më parë brenda Partisë Socialiste sot merr një tjetër vlerë. Kuptohet se mes Ramës dhe Blushit doli se të drejtë kishte Blushi, kur parashikoi se “Hasani” si fenomen që nuk paraqiste alternativë, por vetëm vazhdim të përfitimit nga pushteti.
Në zgjedhjet e 21 qershorit 2015, Hasan Halili nuk fitoi, por nëse ai do të ishte sërish në krye të Bashkisë së Kukësit, ka shumë mundësi që çështja e 450 milionë lekëve të mos ishte bërë publike. Bashkë me Rilindjen që do sillte në Kukës edhe letrat që po zbulon tani prokuroria do kishin ndryshuar. Si i majtë i konvertuar Hasani mund t’i kishte shpëtuar dhe urdhër arrestit që ka nxjerrë gjykata.
Problemi është se ish-demokrati Hasan Halili edhe pse nuk fitoi si i majtë, tani cilësohet si përfaqësues i rilindjes. Koalicioni i majtë PS-LSI me zgjedhjen e tij si kandidat garantoi jo vetëm humbjen në Kukës, por edhe dëmtoi imazhin me një person që ka probleme me ligjin. E vetmja gjë që ngushëllon sot të majtën është fati që nuk fitoi. Në të kundërtn do të ishin të detyruar të shkonin prapë në zgjedhje në Kukës.
Hasani kërkohet nga policia me urdhër të prokurorisë. Por duket se pas Hasanit flitet se e ka radhën një ministër i kabinetit të Ramës. Cili? Vetëm Prokurori i Përgjithshëm e di !