Kina zbarkon me dollarë në Ballkan

Një nga ekonomitë më të mëdha të botës ka hedhur sytë për investime në rajonin e Ballkanit. Dje ka nisur në Beograd forumi ekonomik mes Kinës dhe 16 vendeve të Europës Lindore dhe Juglindore, mes të cilave është edhe Shqipëria.

Ndryshe nga takimet e tjera që kanë si synim lëvizjet politike dhe gjeostrategjike, ky takim është kryekëput një forum me objektivin kryesor ekonominë dhe investimet strategjike. Kryeministri kinez Li Keqijang dhe përfaqësuesit e aparatit shtetëror kinez kanë deklaruar se në këtë rajon ekonomia kineze parashikon investimin e 10 miliardë dollarëve, ose sa gjysma e paketës që do të japë kancelarja Merkel për vendet e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, kjo mbetet një shifër kolosale dhe që shihet si një hap i investimeve kineze drejt ekonomive të vendeve të Bashkimit Europian. Për ekspertët  ekonomikë dhe politikë, synimi i Kinës është rindërtimi në kohët moderne i Rrugës së Mëndafshit, një itinerar ekonomik që shtrihej nga Azia deri në Amsterdam. Por për të arritur deri në vendet kryesore të BE-së, Kinës i duhet fillimisht të investojë me zonën e Europës Juglindore dhe konkretisht, në rajonin e Ballkanit. Ndaj edhe vëmendja e një ekonomie me rritjen më të madhe në botë dhe me ritme moderne zhvillimi teknologjik është përqendruar në rajonin tonë. Për gjithë zonën e Europës Juglindore, ardhja e Kinës është parë si një shans për t’u dhënë një zhvillim projekteve që janë zbehur si pasojë e krizës ekonomike globale. Serbia është vendi që duket se e ka kapur më mirë se gjithë të tjerët domethënien e të qenit aleat ekonomik i një vendi si Kina. Dje u përurua një nga urat kryesore në qytetin e Beogradit, një investim me kredi të butë nga qeveria kineze. Në tavolinën e punës së qeverisë serbe, sipas mediave në Beograd, janë më shumë se 50 projekte që presin financim nga pakti me Kinën. Të njëjtin hap kanë bërë dhe vende të tjera. Kroacia parashikon ndërtimin e disa porteve, ndërsa Mali i Zi, Sllovenia dhe Hungaria janë drejt nënshkrimit të marrëveshjeve për projekte strategjike.

Gjithë rajoni dhe vende  europiane po e shohin Kinën si një mundësi për të ecur edhe më përpara. Duket se ky është një shans i ri për rajonin dhe është radha e Shqipërisë të veprojë. Për shumë vite, qeveritë e pas ’90-ës në Tiranë kanë pasur një skepticizëm lidhur me rëndësinë që duhet t’i kushtojnë marrëdhënieve me Kinën. Paragjykimet gjeopolitike dhe historia komuniste e marrëdhënieve mes dy vendeve kanë krijuar një situatë që nuk u ka shërbyer forcimit të marrëdhënieve. Në një kohë kur gjërat duhet të ishin parë ndryshe. Tregu shqiptar për ekonominë disa miliardëshe kineze është i papërfillshëm, madje dhe tregu i rajonit nuk përbën ndonjë interes specifik për ekonominë kineze. Interesi kinez për vende si Shqipëria apo dhe Serbia është shtrirja për të kapur tregjet e Bashkimit Europian. Në këtë situatë, Shqipërisë nuk i mbetet tjetër veçse të jetë në gjendje të ofrojë projekte të besueshme për të marrë sa më shumë investime. Pjesa që lidhet me qëndrimet në politikën globale të Kinës është zgjidhur nga vetë ekonomia dhe nuk ka përse Shqipëria të marrë përsipër role që nuk i takojnë. Në takimin e djeshëm, mes 16 qeverive një pjesë e kryeministrave ishin të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Vetë Kina është një nga partnerët kryesorë ekonomikë të Bashkimi Europian dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaj edhe afrimi i Shqipërisë me Kinën duhet parë si një mundësi e mirë ekonomike për zhvillimin e vendit. Tradita e marrëdhënieve të dikurshmes mes dy vendeve duhet parë si një tjetër mundësi për të rritur shkëmbimet dhe për të pasur sa më shumë marrëdhënie mes tyre. Shqipëria i është mirënjohëse Kinës për ndihmën që i ka dhënë gjatë viteve të komunizmit, nga ana tjetër, Kina gjithmonë ka vlerësuar tek Shqipëria gatishmërinë e Tiranës për rianëtarësimin në OKB në vitin 1971, kohë kur Tirana komuniste e kohës së Enver Hoxhës rrëzoi Taivanin nga anëtarësia në OKB dhe futi Kinën. Ishte Shqipëria e cila mori iniciativën në OKB për ta anëtarësuar Kinën dhe ia arriti, ndonëse ishte fuqia e madhe e Pekinit që bëri të votohej në OKB. Kina duhet t’i jetë mirënjohëse Tiranës zyrtare pasi në shumë vite pas vitit 2001 ka qenë Taivan, një ishull problematik përballë Kinës, që kërkon të investojë mbi 2.7 miliardë dollarë në Shqipëri, bile kësaj radhe edhe pa kërkuar lidhjen e marrëdhënieve diplomatike, por Tirana nuk i ka hapur udhë nga dëshira për të mos krijuar xhelozi nga Kina. Ndonëse përsëri këto kohë, një grup nga Taivani ka mbërritur në Tiranë dhe po kërkon të investojë në një media rajonale ballkanike në një shifër mbi 1 miliardë dollarë. Por nuk mjafton që mes dy vendeve të flitet vetëm për të shkuarën dhe për marrëdhëniet shumë të mira që kanë pasur. Është koha që tashmë të kalohet në një fazë tjetër bashkëpunimi dhe që Shqipëria të jetë pjesë e projekteve të rëndësishme kineze për rajonin.

Qeveria shqiptare nënshkroi dje me qeverinë kineze marrëveshjen për financimin e Rrugës së Arbrit. Një projekt mjaft i rëndësishëm për zhvillimin e vendit, por në shumën e miliardave që Kina po hedh në rajon, duket një shumë “modeste”. Në momentin që Mali i Zi ka marrë financime për ndërtimin e autostradave dhe Kroacia po garanton investime për portet, Shqipëria duhet të shohë mundësinë për të kanalizuar investimet kineze në projektet detare, infrastrukturën hekurudhore dhe rrjetin rrugor. Kina nuk po e hap mirë rubinetin e dollarëve në drejtim të Shqipërisë, apo ndoshta ka frikë se mos Taipei zyrtar i shtetit të Taivanit mund të ketë gjetur shtigje për t’u futur sapo Pekini të hezitojë për të investuar. Ka edhe informacione se Kina meqënëse ka rënë në “dashuri” me Serbinë, për hir të saj, nuk do të investojë shumë në shtetin shqiptar. Kjo mund të sjellë reagimin e Ramës ndaj Pekinit duke kaluar mbi Taivan në një udhëtim drejt Tokios që po planifikohet nga kabineti. Ndaj Pekini nëse heziton për Tiranën mund të humbë edhe Kosovën, edhe shqiptarët. Me vesh në krah po rrinë nga kryeqyteti i Taivanit, nëse Pekini nuk e hap thesin për Tiranën.

Lojë dollarësh, por edhe politikë diplomatike me dollarë!

SHKARKO APP