KLGJ turpëroi veten, por dhe SHQIPTARËT, duke mos treguar integritet dhe profesionalizëm

Anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, 11 burra dhe gra të zgjedhur mes juristëve më të spikatur nga reforma në drejtësi, dje kishin provën më serioze të karrierës së tyre. U duhet të vendosin nëse një gjyqtar që i ka mbaruar mandati kushtetues që në vitin 2014 mund të vazhdojë të jetë ende në Gjykatën e Lartë edhe në vitin 2020. Çdo jurist i thjeshtë apo edhe një qytetar me kulturë minimale do të thoshtë se ai duhet të ikë, pasi ka të tjerë që mund ta kryejnë këtë detyrë.
Gjyqtari për të cilin duhet të vendosin është Ardian Dvorani, njeriu që është kapur nga Komisioni i Venecas në shkelje kushtetuese dhe tashmë i kërkohet të largohet nga Gjykata e Lartë jo për abuzimet, por për faktin e thjeshtë se nuk mund të jetë në një punë kur s’ka më mandat. Kushtetuta dhe ligji për funksionimin e organeve të drejtësisë dhe për statusin e gjyqtarit e thonë qartë se Dvorani duket të kishte marrë çantën dhe të ikte në shtëpi që në vitin 2014. Por nuk mendojnë kështu një pjesë e anëtarëve të KLGJ. 7 nga 11 anëtarët votuan që të kërkojnë mendimin e ekspertëve të huaj të OPDAT dhe EURALIUS për mandatin e Dvoranit! Detyra e KLGJ është të zbatojë Kushtetutën dhe jo të pyes të tjerët se si duhet lexuar Kushtetuta. Anëtarët e KLGJ kanë statusin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, marrin rrogën e një ministri, kanë sigurim jete dhe paguhen nga taksat e shqiptarëve deri dhe për kurimet speciale shëndetësore, fjala nëse iu prishen dhëmbët, ua paguan shteti faturën. Pra gjithçka të paguar vetëm që të vendosin drejtësi.
Njerëzit e KLGJ janë zgjedhur në këtë institucion dhe trajtohen në mënyrë speciale që në punën e tyre, pra leximin e Kushtetutës dhe gjithë çështjet që lidhen me drejtësinë, ti kryejnë në mënyrë profesionale. Dje treguan, se të paktën 7 prej tyre nuk dinë as të lexojnë Kushtetutën dhe as t’i japin zgjidhje një problemi për juristët nën mesatare.
Në vend të zbatimit të ligjit, një pjesë e anëtarëve të KLGJ vendosën që detyrën e tyre ta japin me koncesion tek ekspertët e OPDAT dhe EURALIUS. Me togfjalëshin e madh “do pyesim partnerët”, ata ju drejtuan disa ekspertëve të huaj që të lexojnë Kushtetutën dhe të vendosin për Dvoranin. Çdo qytetar i Shqipërisë duhet ndjehet i fyer nga ky vendim. Duhet të ndjehet i fyer sepse pas fjalës “do pyesim partnerët” fshihet një mashtrim i madh. EURALIUS është një institucion që financohet edhe nga zyrat e BE-së, por në një dokument të fundit, BE thotë se nuk ka marrë asnjë raport mbi veprimtarinë e këtij institucioni në Shqipëri. Për BE, Eualius është klasifikuar si një shoqatë private që ofron ekspertizë për Shqipërinë dhe askush në Bruksel nuk ka informacion se për çfarë ekspertët e pavarur këshillojnë drejtësinë në Shqipëri. Janë të njëjtët ekspertë që vendosën që Arta Marku të zgjidhet kryeprokurore me 60 vota dhe ta quajnë të ligjshme mandatin e saj. Pra do pyetën nëse një gjyqtar mund të rrijë edhe 20 vite në një detyrë! Ky lloj ekspertësh që përgjigjet me një SMS të Rilindjes mund të thotë edhe se Dvorani duhet të rrijë përjetë në Gjykatën e Lartë. Atëherë çfarë do bëjnë anëtarët e KLGJ-së, apo do flakin në kosha Kushtetutën dhe do u thonë shqiptarëve se “ndërkombëtarët” duan juristë të përjetshëm?
Anëtarët që vendosën dje në mënyrë të turpshme të mos zbatojnë Kushtetutën nuk kanë bërë thjeshtë gafë profesionale, por kanë fyer çdo qytetar që besonte të reforma në drejtësi. Dje nuk shpëtuan për ca kohë mandatin e Dovoranit, por na treguan se një pjesë e KLGJ është nën kontroll politik. Dvorani është një jurist si gjithë të tjerët, nëse nuk do të kishte mbështetjen e Rilindjes dhe për të kapur sistemin e ri të drejtësisë, atë do ta kishin larguar, por e duan aty për të bërë makinacionet në drejtësi. Ata që kontrollojnë një pjesë të KLGJ dhe drejtësinë e re, vendosën që Dvoranin ta përdorin edhe ca kohë për punët e pista të reformës në drejtësi.
Ndërkohë njerëzit e drejtësisë së re, ata që do të ishin garanti i Kushtetutës dhe interesit qytetarë dështuan që në vendimet e para. Kur ligjet shkelen për një çështje kaq të qartë si mandati i një gjyqtari të skaduar çfarë garancie kanë qytetarët se KLGJ dhe gjithë institucionet e tjera të drejtësisë do të jenë të drejta dhe të panashme në vendimet e tjera.
Dhe u bë zhurmë se po bëhet Reformë në Drejtësi!
M. Xhani

SHKARKO APP