Klientë apo spiunë?

 

 

Pas policisë tatimore, policisë së rendit dhe punonjësve të doganave në aksionin kundër evazionit fiskal do të jetë edhe një tjetër kategori punonjësish që do të raportojë nga terreni. Bëhet fjalë për të ashtuquajturit “spiunë fiskalë”, të cilët do të raportojnë të gjitha rastet kur tregtarë nuk zbatojnë ligjin. “Spiunët” do të jenë në terren afër bizneseve kryesore dhe do të verifikojnë nëse tregtarët u japin kuponat qytetarëve, apo abuzojnë me çmimet. Një nismë e tillë u paralajmërua dje nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Kështu në komisionin  parlamentar të  Ekonomisë ai paralajmëroi se për pak ditë këta individë do të shpërndahen në të gjithë Shqipërinë për të patur nën kontroll territorin dhe për të luftuar evazionin. “Shumë shpejt do të përdoren ata që quhen “Mystery shopping”, pra persona që do të identifikojnë  në mënyrë sekrete, pa u njohur nga biznesi. Do të kontrollojnë nëse lëshohet apo jo kuponi, nëse zbatohet çmimi i duhur, nëse biznesi i madh zbaton ato çmime që raporton, apo janë çmimet më të larta”, tha dje ministri Cani. “Mystery shopping”, ose “spiunët”, si strategji ka nisur të përdoret nga kompanitë ndërkombëtare që gjatë viteve ’40 të shekullit të kaluar. Qëllimi është kontrolli i shërbimeve dhe shmangia e abuzimeve nga punonjësit e kompanive. Por qeveria shqiptare ka vendosur që këtë model ta kthejë në një profesion për administratën tatimore, duke kontrolluar bizneset në gjithë vendin.

Në sajë të kësaj nisme, ministria e Financave synon kontrollin më të plotë të abuzimeve në treg. Tashmë nuk do të kemi vetëm policë tatimorë që trokasin në dyert e bizneseve, por edhe tatimorë të kamufluar si blerës të zakonshëm. Më shumë sesa një projekt që do të sjellë rezultate konkrete vendosja e “spiunëve” ka efekt psikologjik tek bizneset. Kjo pasi, pas çdo blerësi potencial tashmë mund të jetë një agjent tatimor. E duke pasur parasysh se çështja e spiunimit, deri para viteve ’90 ishte një sport kombëtar, tashmë këtë profesion të ri nuk do ta bëjnë vetëm punonjësit e institucioneve tatimore. Pavarësisht se terminologjia mund të sjellë reminishenca të së kaluarës, një nismë e tillë është e domosdoshme duke parë nivelin e abuzimeve që bëjnë tregtarët me çmimet, por edhe me shmangien e detyrimeve të tjera ligjore.

Vendosja e “spiunëve” pritet të shmangë dhe një tjetër fenomen, pikërisht atë të korrupsionit dhe të abuzimeve nga administrata tatimore. Në jo pak raste, bizneset arrijnë t’u shpëtojnë taksave duke u dhënë rryshfete policëve tatimorë e duke korruptuar edhe drejtues lokalë. Ndërsa me vendosjen e njerëzve që nuk identifikohen me uniformën e tatimorëve, edhe vetë punonjësit e degëve rajonale do të jenë të interesuar për ta zbatuar ligjin në mënyrë korrekte. Në të kundërt do të jenë edhe ata viktima të “spiunëve”. Rastet e abuzimeve nga administrata tatimore nuk janë të pakta. Vetëm dje, Policia e Tiranës vuri në pranga katër punonjës të tatimeve për moszbatim të ligjit. Konkretisht, katër punonjësit tatimorë nuk kanë regjistruar disa biznese në rrugën “Sami Frashëri” në Tiranë. Rasti i djeshëm është një model për të parë si funksionon administrata e tatimeve. Sipas Policisë, 4 punonjësit e arrestuar vetëm në një rrugë kanë lënë pa regjistruar 10 biznese nga 50 që u kontrolluan gjatë hetimeve. Me këtë logjikë mesatarisht në 100 biznese, 20 janë pa letra dhe u paguajnë gjoba nën dorë njerëzve të administratës tatimore.

Kur një fenomen i tillë ndodh në një nga rrugët kryesore në Tiranë dhe ku edhe vetë drejtuesit e institucioneve kanë qenë në terren, po në zona periferike dhe në qytete të tjera çfarë ndodh?

Ndaj nga sot spiunët tatimorë janë në punë dhe i keni kudo.

SHKARKO APP