Koço Kokëdhima:Të mos kemi frikë nga kanabisi !
Debati për kultivimin dhe trafikun e lëndëve narkotike është rikthyer edhe njëherë në qendër të vëmendjes në Kuvend. Miratimi i një marrëveshjeje me SHBA-të prej 7 milionë dollarësh për forcimin e luftës kundër drogës ka sjellë replika të ashpra në Kuvend. Opozita akuzoi Kryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm se kanë dështuar në luftën kundër drogës. Akuzat shkojnë edhe më tej, kur në sallën e Kuvendit, deputeti Ristani lexoi një SMS, sipas tij të dërguar nga një punonjës i policisë, në të cilën thuhej se në Tepelenë policia nuk ka asgjësuar më shumë se 10 mijë rrënjë hashash. Arsyeja, sipas Ristanit është se “pronari” i drogës ka lidhje me kryebashkiakun e Tepelenës. Një akuzë e tillë sigurisht që u hodh poshtë nga përfaqësuesit e mazhorancës.
Debatit për hashashin i janë shtuar dhe të dhënat e operacioneve të Policisë së Shtetit. Prej disa ditësh, Drejtoria e Përgjithshmë e Policisë ka nisur një aksion në shkallë të gjerë në gjithë vendin kundër kultivuesve. Në ndihmë është thirrur dhe një avion i ushtrisë italiane që kryen monitorimin nga ajri. Të dhënat e policisë tregojnë se harta e mbjelljes së lëndëve narkotike ka ndryshuar. Lazarati nuk është më “parajsa” e kultivuesve dhe se operacioni i një viti më parë ka dhënë rezultat duke e hequr këtë territor nga lista e zonave ku mbillet drogë. Por nga ana tjetër, hartës së kanabisit i janë shtuar shumë zona të tjera. Dukagjini, Fushë-Kruja, Tepelena, Lumi i Vlorës dhe rrethinat e Tiranës janë zonat ku janë zbuluar plantacione me më shumë se 6 mijë rrënjë hashash. Që nga janari i vitit 2015 dhe deri dje, Policia e Shtetit ka shkatërruar 261 mijë rrënjë kanabis sativa në gjithë vendin. Shifra është sa gjysma e bimëve të shkatërruara gjatë vitit të kaluar në Lazarat dhe në Dukagjin. Edhe pse vihet re një ulje, fenomeni është shqetësues përsa i përket shpërndarjes së tij. Tashmë nuk kemi më vetëm dy zona në vend, por disa dhjetëra të tilla me parcela të vogla. Siç duket, kultivuesit kanë ndryshuar strategji duke mos grumbulluar mbjelljen në një zonë, por duke e shpërndarë atë në disa rrethe. Shifrat tregojnë se ashpërsimi i ligjit kundër mbjelljes së hashashit nuk ka dhënë efektet që priteshin. Sigurisht, Lazarati ishte një sukses i policisë dhe një goditje e duhur ndaj kultivimit, por siç duket nuk ka mjaftuar. Trafiku i drogës nuk është vetëm tek kultivuesit. Ata janë dora e parë e kësaj “industrie” e cila funksionon në bazë të porositësve, pra ata që i gjejnë tregun e shitjes lëndës së mbjellë nga fshatarët në Tepelenë, Dukagjin, Vlorë apo edhe në vende të tjera. Fakti që ende vazhdon të mbillet, jo si dikur në Lazarat, por në “Lazarate të vëgjel” me nga një mijë apo dy mijë rrënjë, tregon se ende shteti nuk e ka fituar betejën plotësisht.
Kur Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm flasin për tolerancë zero ndaj mbjelljes së hashashit, nuk ka si të mos tërheqë vëmendjen deputeti i Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës, Koço Kokëdhima. Në seancën e djeshme në Kuvend, Kokëdhima i është rikthyer dhe njëherë tezës së tij për kultivimin e ligjshëm të kanabis sativës. Ai mbron tezën se mbjellja e kësaj lënde narkotike duhet të bëhet me kontrollin e shtetit. Ndërsa shton se nuk është kundër operacioneve të policisë, akuzë kjo që i bëhet shpeshherë nga opozita. “Unë kam folur për ndërtimin e ekonomisë, nën kontrollin e plotë të shtetit dhe për monopolin e shtetit mbi ekonominë e kanabisit. Nuk duhet të kemi frikë nga kanabisi. Nuk e dua legalizimin e kanabis që shqiptarët të bëhen dru”, – tha ai. Kokëdhima shtoi se marijana është një bimë kurative që shëron më shumë se 50 sëmundje.
Tezat e deputetit të Vlorës, i cili njihet për peshën e posaçme që ka në mazhorancë dhe si mik i Kryeministrit, diskutohen lirisht në SHBA dhe në vendet e Europës Perëndimor. Megjithatë, të flasësh për legalizim hashashi, në kohën kur qeveria shqiptare thotë se i ka shpallur luftë mbjelljes së bimëve narkotike krijon jo pak konfuzion në opinion. Më e pakta është se jep një sinjal të gabuar tek njerëzit që një fjalim në Kuvend, nga një deputet i rëndësishëm i mazhorancës, mund të merret dhe si orientim pro mbjelljes së hashashit.
Por Kokëdhima ka tjetër ide për këtë industri disa miliardeshe; ai është që të kultivohet dhe të liçensohen ato që e dijnë procesin e kultivimit dhe shteti ti kontrolloj. A është mendim i tij apo luhet tjetër lojë nga Qeveria? E vështirë të japësh përcaktim të saktë, ndërkohë që Kokëdhima njihet si miku më i ngushtë dhe ndikues në vendimet e Kryeministrit.
Edi Rama thotë “jo” për canabisin , kurse Kokëdhima thotë “po”! Synimi eshte qe kjo industri disa milardeshe te futet ne dore.