Konsensusi dhe Pabesia
Një ditë pas miratimit të Reformës në Drejtësi me 140 vota, të gjithë janë vënë në radhë për të marrë meritat e konsensusit. Zakonisht janë ata që deri në orët e fundit të negociatave vetëm për marrëveshje politike nuk kanë folur shpesh. I pari ishte Kryeministri Edi Rama që u shpreh më entuziasti për arritjen e konsensusit edhe pse në fjalimin para votimit në Kuvend thumboi këdo që është marrë me reformën. Bile nëse ka njeri që nuk e donte konsensusin në këtë rast ishte pikërisht Edi Rama. Dhe duhet pranuar se po luante mjeshtrisht në lojën politike që ai kishte ideuar. Nëse nuk votohej digjte LSI dhe dërmonte PD me ndërkombëtarët. Nëse votohej me 94 vota (edhe të blera nga PD) atëhere përçante selinë blu. Prapë politikisht ishte në rrëgull kryeministri. Porse si atdhetar apo patriot që tashmë ka zënë radhën për tu dukur i pari, askush nuk e beson. Edi Rama bëri gjithçka të mundur që vetëm me konsensus të mos miratohej.
Tani, pasi kreu i Parlamentit e realizoi konsensusin, ai për të krijuar simpati popullore vendos edhe ditë pushimi për administratën. Se çfarë lidhje ka administrata në këtë rast me Reformën vetëm kryeministria e di ! Pra po bën populistin.
Ndërsa kreu i PD-së Lulzim Basha, që hezitonte deri në minutën e fundit për hequr dorë nga kërkesat e opozitës për reformën, tashmë po shijon frytet e “po”-së që dha për kalimin e saj. Dje ka qenë dita kur telefonatat e falënderimit nga BE dhe SHBA nuk binin te zyra e Ramës, por tek e Bashës. Madje, përkundër qëndrimeve që shigjetonin Bashën si anti-amerikan dhe anti-perëndimor dhe anti-shqiptar, dje Ndihmëssekretarja Amerikane e Shtetit, Viktoria Nuland bëri një vlerësim jo të zakontë për Bashën. “Me qëndrimet dhe veprimet e tua ke dëshmuar se je një patriot për vendin dhe interesat e tij”, i ka thënë Nuland, Bashës.
24 orët e fundit pas votimit të reformës kanë qenë si ditë falënderimi për PS dhe PD. Të vetmit që kanë heshtur janë përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kreu i saj, Ilir Meta ishte personi kyç që vendosi fatin e negociatave, kur PS dhe Rama kishin vendosur ta kalon reformën me votim të njëanshëm. Ndërhyrja e tij shmangu përplasjen finale, një rol ky që është vlerësuar nga ndërkombëtarët. Megjithatë, votimi i reformës është një proces që për LSI-në nuk duhet parë me triumfalizëm. Shprehjen më të qartë të kësaj që po ndodh e tha dje shefi i deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrimi, Petrit Vasili; “Kur konsensusi flet, nuk ka pse flet LSI-ja”. Palëve të tjera s’u mbetet tjetër vetëm të shijojnë suksesin e një konsensusi që deri në minuta e fundit duket se punuan që të mos e realizonin. Dikush shkroi dje se falenderimi shkon për dy ambasadorët Lu dhe Vlahutin. E drejtë, porse jo krejt e saktë! Ata ishin që e inicuan, që e shtynë deri në fund, porse tek fundi mund të kishin dështuar. Ose nuk votohej, që kishte shanse diku tek 50 përqind ose vtohej duke sjellë destabilitet dhe sherrnajë të madhe në politikë, që kishte shanse tek 90 përqind. Siç dihet tashmë, por që nuk duan ta thonë disa, kreu i parlamentit Meta punën gjigande të dy ambasadorëve dhe të krejt komisionit të posaçëm, mund ta linte në rrjedhën e tij normale, duke siguruar 20 votat e LSI por pa u impenjuar deri në fund për konsensus.
Tani ku gjithçka është mbyllur kanë filluar diversionet për të përçarë mazhorancën, me çdo kusht. Mundet edhe me dëshirën e fshehtë të Kryeministrit!
Pas sherrit gati dy vjeçar për drejtësinë, vëmendja është kthyer drejt mazhorancës. Tensionet, shantazhet dhe kërcënimet mes aleatëve dolën hapur ditët e fundit të diskutimit të reformës. Në fjalimin e Ramës në Kuvend, mes shumë falënderimeve, mungoi emri i kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Një harresë që nuk ka qenë e rastësishme nga ana e Kryeministrit. Në mos edhe një gabim fatal për të ose më saktë edhe një pabesi e hapur e shefit të qeverisë. Dhe duket si për ti kthyer reston nuk ishte e rastësishme dhe largimi pak minuta nga seanca i Ilir Metës gjatë kohës kur po fliste Rama, pasi një ditë me paërë kryeministri braktisi seancën i revoltuar në momentin që Meta këmbëguli se duhet konsensus.
Por tani që Reforma i ka bërë të gjitha palët të kënaqura çfarë do të ndodh më Qeverinë? Kryeministri Rama gjatë ditëve të fundit është munduar të flasë sa më pak për aleancën, duke e shitur konsensusin e reformës si sukses personal. Ndërkohë vetëm disa ditë më parë në PS u bënë gati për lista ministrash rezervë, blerja votash nga të gjitha kampet për të mbajtur numrin 71 deputetë në rast të largimit të aleatit LSI.
Dje Petrit Vasili, i dha mundësinë që ta lexonte bashkimin e votave për reformën në mënyrën e duhur, jo si Parti Socialiste, por si aleancë. “Konsensusi nuk besoj se rrëzon koalicionin sepse besoj se konsensusi nuk është një ditë ndarjeje, por është një ditë bashkimi. Ne votuam të 140 për reformën në drejtësi dhe ku të gjitha votat e përbashkëta të PS dhe LSI kanë qenë në atë sallë dhe besoj që edhe këtu ka një provë se si mund të sillesh në mënyrë të përgjegjshme në politikë jashtë çdo lloj llogarie të vogël”,- tha Vasili.
Stuhia e reformës kaloi. Mbetet të shihet sesi aleatët do të menaxhojnë pjesën tjetër të mandatit, ndonëse “antenat” e alarmit janë ngritur duke vëzhguar njeri tjetrin në çdo lëvizje apo deklaratë publike për të kuptuar mes rrjeshtave se ku po shkohet.
LSI i dha Ramës suksesin e konsensusit, ndërsa Rama po planifikon udhëtimin i vetëm me deputetë të blerë.