Konsensusi i Metës

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ndërpreu vizitën në SHBA për shkak të rinisjes  së konfliktit PS-PD për miratimin e 7 ligjeve të reformës në drejtësi. Fjalimi i parë në publik, pas zhvillimeve të reja, qëlloi të jetë pikërisht në ceremoninë festive për votimin konsensual të 21 korrikut të organizuar nga kreu i komisionit të reformës, Fatmir Xhafaj. Në fjalën e kreut të Kuvendit, ranë në sy dy mesazhe kryesore. Mesazhi i parë ishin falënderimet, ndërsa tjetri apeli drejtuar mazhorancës dhe kryesisht PS-së, për të vijuar me konsensusin e nisur.

Tek falënderimet ra në sy, bile fort, qëndrimi i Metës, ndryshe nga ai i Kryeminsitrit Edi Rama dhe kreut të Komisionit Fatimi Xhafaj. Pala kryeministrore u kujdes të rendiste si kontributorët më të mëdhënj të reformës ekspertët dhe ambasadorët, ndërsa Meta veç mirënjohjes ndaj tyre, u kujtoi se për reformën ka meritë edhe  Komisioni i Venecias, por edhe vetë Partia Demokratike. Mesazhi ishte i qartë. Pra që pa këtë konsensus nuk kishte ç’të bënte, askush.

Meta ishte  ndërkohë dha mirënjohjen për Xhafën, si kryetar komisioni, por nuk harroi të falënderonte dhe nënkryetarin e djathtë, Oerd Bylykbashi. Por mbi të gjitha, Komisioni e Venecias, pa të cilin detajet teknike nuk do kishin sjellë afrimin e qëndrimeve të palëve.

“Një falënderim të veçantë e kam për Kryetarin e reformës, zotit Xhafaj. Një falënderim të veçante e kam edhe për zotin Bylykbashin. Një falënderim të jashtëzakonshëm e kam për Komisionin e Venecias. Nëse do të kisha një fjalë do thosha: ‘Rroftë Venecia, rroftë Konsensusi’. Ne do ta kishim të pamundur që ta bënim mbrëmjen e 21­22 korrikut, nda 21 korriku është domosdoshmëri për të çelur një epokë në vendin tonë, që mbyll tranzicionin e tejzgjatur”,- tha kreu i Kuvendit.

Festës së PS-së nuk ju bashkua Partia Demokratike, e cila në vend të trokitjes së gotave, kërkoi angazhim nga e majta për diskutimin e ligjeve të mbetura. Kreu i Kuvendit, i kujtoi mazhorancës së puna e reformës nuk ka përfunduar ende dhe një luftë e përhershme mazhorancë- opozitë nuk do të sjellë asnjë produkt. “Kjo reformë historike ishte dhe mbetet domosdoshmëri dhe duhet të vazhdojë me konsensus. Konsensus do të thotë stabilitet, dialog politik. Sepse dialog politik do të thotë forcim i institucioneve të së drejtës. Konflikti politik do të thotë më shumë mjegull për të fshehur korrupsionin dhe krimin e organizuar”,- tha Meta.

Por veç komenteve për opozitën, Meta kishte një kërkesë për mazhorancën, duke u kujtuar se një ditë do të jenë në opozitë. Një mesazh që lidhet edhe me zhvillimet e brendshme në koalicionin e majtë. “Kam edhe një mesazh për kolegët e mi të maxhorancës, nuk duhet të harrojmë se dikur kemi qenë në opozitë, nuk duhet të harrojmë se Shqipëria është në demokraci dhe ka dhe rrotacion. Unë e kuptoj kur ndonjëherë opozita kërkon tension, por unë nuk besoj kurrë se është interesi i mazhorancës dhe i qeverisë që t’i përgjigjet me të njëjtën mënyrë. Nuk fitojmë asgjë në rast se opozitën e bëjmë të duket më keq. Pasi kemi interes që të duket më mirë, para BE, SHBA­ve dhe vendeve partnere të rajonit tonë. Dua të theksoj dhe kam një mesazh për kolegët opozitar dhe ata maxhoritar; le të punojmë me politikanët shqiptarë për vendin tonë”,- tha Meta.

Në fjalimin e tij, Meta jo rastësisht bëri disa herë thirrje për vazhdimin e konsensusit. Ky qëndrim vjen pas debateve të fundit për miratimin e 7 ligjeve që janë pjesë e reformës në drejtësi. Dy ditë më parë, PS dhe PD ju rikthyen sherrit për procedurat dhe shtesat në draftet e projekteve. Shenjat janë që deri në datën 11 gusht, mes palëve të mos ketë sërish qetësi. Mungesa e PD-së dje në pritje, por edhe sinjalet e Ramës se rruga e miratimit të ligjeve do të jetë e vështirë, flasin për rikthimin e klimës së konfliktit.

Kryeministri Rama foli duke shigjetuar si PD , po ashtu edhe kreun e Kuvendit. Por jo shumë sa të rrezikonte karriken e vetë kryeministrore. Edhe Rama e ndjen se 11 gushti duhet të përfundojë me konsensus, pasi i duhen edhe 20 votat e LSI.

Ndaj udha për tëk 7 ligjet nuk është e lehtë, porse me rolin e kryeparlamentarit duket se mund të ketë mirëkuptim dhe konsensus.

Megjithatë Edi Rama është i paparashikueshëm. Vetëm ai e di se ç’po kurdis deri me 11 gusht.

Dreqi dhe Rama, këtë radhë janë bashkë!

Spiten Prulli

SHKARKO APP