Kontroll e “dajak”. Sekuestro informalitetit

 

 

Qindra forca të policisë, tatimeve dhe institucioneve të tjera  shtetrore në “sitë” çdo biznes.Kush kundërshton, arrestohet

 

Drejtoria e Doganave, Drejtoria e Tatimeve, Policia e Shtetit dhe Prokuroria do të nisin sot një nga aksionet më të mëdhenj kundër informalitetit. Rreth 600 grupe pune do të zbresin në terren për të kontrolluar bizneset e mëdha dhe të vogla për respektimin e ligjit në pagesën e taksave, dhënien e kuptonit tatimor, regjistrimin e punonjësve.  Synimi i aksionit është shmangia e informalitetit dhe abuzimeve që bizneset mund të bëjnë në kurriz të qytetarëve. Ky aksion i koordinuar mes institucioneve kryesore nuk do të zhvillohet vetëm këto javë, por sipas kryeminsitrit Rama, do të zhvillohet përgjatë 300 ditëve.

Mënyra sesi do të zhvillohet operacioni do të jetë e ngjashme me atë që nisi një vit më parë për energjinë dhe ndërtimet pa leje. Pra, veç gjobave që Tatimet dhe Doganat kanë të drejtë të vendosin mbi bizneset jo korrekte, parashikohen edhe dënime me burg për abuzuesit. Rastet e falsifikimit të dokumenteve dhe abuzimeve të tjera ligjore do të ndiqen sipas ligjit me procedim penal. Ndërkohë, që në nisjen e sesionit të ri parlamentar, mazhoranca pritet që të propozojë edhe ndryshime ligjore për ashpërsimin e masave. Një hap i tillë u bë publik dje nga kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar. Ai tha se ligjet ekzistuese për tatimet dhe taksat lënë shumë hapësira për abuzime dhe se këto defekte të ligjit do të riparohen shumë shpejt.

Një aksion i tillë i premtuar dy muaj më parë nga Kryeministri ka marrë kritika nga opozita dhe është quajtur si një masë e ashpër ndaj bizneseve. Shifrat tregojnë të dhëna alarmante lidhur me biznesin. Sipas standardeve europiane, rreth 50% e ekonomisë shqiptarë është informale, pra e pa rregjistruar në tatime. Në terma të tjera, do të thotë se gjysma e bizneseve nuk paguajnë taksat dhe nuk figuron si një shërbim i ri cilësor ndaj qytetarëve. Ndërsa qytetarët paguajnë të gjithë taksat dhe shërbimet që marrin nga shteti, bizneset ose nuk paguajnë të ardhurat aq sa fitojnë, ose falsifikojnë bilancet duke dhënë shifra të tjera në institucionet shtetërore. Abuzimi nis që me kuptonat tatimorë për çdo produkt që rrallëherë, ose asnjëherë nuk jepen nga ana e bizneseve për klientët. Abuzimet shtohen më pas më mosregjistrimin e punonjësve dhe fshehjen e të ardhurave reale. Të gjitha këto, në një vend si Shqipëria, bëjnë që konkurrenca e ndershme në biznese të mos ketë kuptim. Kjo pasi një pjesë e bizneseve janë korrekte me ligjin dhe paguajnë taksat, ndërsa të tjerët nuk paguajnë dhe falsifikojnë bilancet duke dëmtuar gjithë biznesin në vend.

Termat ‘aksion’ dhe ‘ndëshkim’ kanë dhënë efektin e parë. Që nga data kur kryeminsitri njoftoi se do të hynte me dorë të fortë kundër abuzimeve, në Qendrën e Regjistrimit të Bizneseve tregtarët rrinë në radhë për të dorëzuar dokumentet. Numri i kuponave tatimorë të lëshuar vetëm në muajin gusht është rritur disa milionë më shumë.

Beteja për informalitetin do tregojë edhe sesa seriozisht e ka qeveria luftën kundër informalitetit. Kjo pasi më shumë se me çdo gjë tjetër, bizneset janë të lidhur me politikën. Bizneset kryesore që u shmangen taksave dhe përfitojnë nga “xhepat” e ligjeve u përkasin njerëzve që janë ose financuesit e partive politike, ose vetë politikanë. Vetëm në grupin parlamentar të Partisë Socialiste janë më shumë se 15 biznesmenë. Mes tyre ka sipërmarrës korrektë, po ashtu siç ka dhe nga ata që problemet i kanë duke nisur nga sigurimi i punonjësve dhe deri tek bilancet fiktive. Informacionet tregojnë se janë dy deputetë që kanë biznese,por punojnë me dy bilance,duke i fshehur Shtetit dhjetra milion euro. Ndaj serioziteti i këtij aksioni 300-ditësh do të duket edhe nga mënyra sesi do veprohet me shumë bizesmenë afër pushtetit. Kategoria tjetër e bizneseve ‘të përkedhelur’ nga çdo qeveri është ajo e financuesve të fushatave. A do të jetë në gjendje mazhoranca të kontorollojë dhe ndëshkojë edhe ata që kanë dhënë lekë për fushatë? Aksioni është në nisje dhe nuk duhet paragjykuar, por nëse informaliteti do shmanget nga rrënjët, ai duhet të nisë nga biznesi i madh e pikërisht nga ai afër politikës. Nëse aksioni fokusohet vetëm tek ata që shesin misra dhe fara në rrugë, arka e shtetit do të jetë prapë bosh pas 300 ditësh.

Edi Rama ka premtuar se do të jetë i prerë dhe pa asnjë ndërhyrje. Mbetet të shikojmë këto ditë, kur taksidarët e shtetit do të sekuestrojnë apo gjobisin bizneset afër tyre, të cilat nuk janë të rregullt me sigurimet, bilancet etj. Mbetet të shikohet se sa i fortë do të jetë Kryeministri për disa biznese të opozitës, të cilat janë biznese dhjetra milion eurosh. Mbetet të shikojmë, e jo vetëm sot, por në harkun kohor të vitit se si do të veprojë Shteti për ato që kanë financuar fushatat e partive.

Sot fillon “ushtria e tatimeve” për të nxjerrë emrat e atyre që kanë mashtruar Shtetin e që kanë patur shtetin mburojë.

SHKARKO APP