Kosova nuk mund të ndryshojë kufinjtë pa mirëkuptim me Shqipërinë
Nenin 8 i Kushtetutës së Shqipërisë, thotë: “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”. Një ndarje e Kosovës është edhe çështje e përgjegjësi e Shqipërisë. Ndaj “marrëveshjet” apo pazaret që po luhen nuk mund të vendosen vetëm nga një president, nga një qeveri, nga një parlament apo me ide populiste referendumesh përgjysmë. Nëse diskutohet një çështje kombëtare duhet që edhe Tirana zyrtare; Presidenti, qeveria, parlamenti dhe shqiptarët, këtej kufirit, të thonë fjalën e tyre.
Negociatat për arritjen e një marrëveshje mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, nga një pakt mes përfaqësuesve të dy shteteve duket se janë kthyer në pazare tipike ballkanase. Kjo është ideja që të krijohet, teksa në të njëjtën ditë të dy presidentët hedhin për diskutim, njëri në Beograd dhe tjetrin në Prishtinë, ide të paqarta dhe të rrezikshme për shqiptarët dhe për gjithë rajonin e Ballkanit. Presidenti Hashim Thaçi dje iu rikthye qëndrimit për “korrigjim të kufijve” me Serbinë duke deklaruar se Lugina e Preshevës do të jetë e Kosovës. I pyetur nga Top Channel mbrëmë në darkë vonë se a nënkupton kjo që Serbia do të marrë veriun e Mitrovicës, Thaçi tha si me gjysëm zëri “jo”. Diçka është gatuar në Bruksel mes Thaçit dhe Vuçiç. Pritet ti dalë koka pazarit mes tyre, por duket se diçka po luhet për ta nxjerrë nga pak e përditë në opinionin publik
Në deklaratën e Thaçit thuhet vetëm gjysma e asaj që po ndodh, pra që shqiptarët do të dalin të fituar pasi pjesë e Kosovës do të jetë edhe Lugina e Preshevës e banuar nga shqiptarë autoktonë. Gjysmën tjetër të asaj që po luhet me shqiptarët dhe Kosovën e tha dje Aleksandër Vuçiç. Ndryshe nga Thaçi, që flet vetëm për fitore të Kosovës, Vuçiç tha se marrëveshja do të jetë e dhimbshme. Vuçiç sqaroi serbët se marrëveshja që ai po negocion bazohet në 4 parime; demografike (popullsia), ekonomike, investime të huaja dhe zgjidhja e problemeve historike me shqiptarët. Pra ndryshe nga Thaçi që flet vetëm për Luginën e Preshevës, serbët del se e kanë më të llogaritur planin, derisa kanë detajuar dhe numrin e popullsisë, përfitimeve ekonomike dhe deri investimeve që do të marrin. Këtu del dhe skenari që Thaçi nuk e thotë. Nëse diskutohet vetëm marrja e Luginës nga shqiptarët, si ka mundësi që serbët që tani thonë se dalim të fituar? Madje veç fitores në aspektin numerik të popullsisë serbe, kanë llogaritur dhe përfitimet që i vijnë ekonomisë serbe nga marrëveshja me Kosovës. Thaçi nuk flet asgjë për këto që do të humbasë Kosova, por vetëm argumenton se fitojmë Luginën e Preshevës. Por nëse merr një territor si Presheva, që në fund të fundit është shqiptare, dhe humbet nga territori që ka sot Kosova dhe për të cilën luftoi UÇK dhe Thaçi, ku është fitorja e shqiptarëve? Pra marrim Luginën e Preshevës, shqiptarët, por a mos do humbasim pjesën veriore të Mitrovicës, djepit të trimërisë kombetare?
Kur merr diçka edhe lëshon, por publikut nuk po i thuhet se çfarë do lëshojmë në territorin shqiptar.
Që marrëveshja mes dy presidentëve ka kohë që diskutohet tregohet dhe nga koordinimi që u bëjnë deklaratave. Si Thaçi dhe Vuçiç po testojnë opinionin dhe çdo ditë hedhin tema të reja për diskutim. Dje ishte radha e referendumit. Të dy presidentët thanë se do të vendosin në fund me referendum, pasi të arrihet marrëveshja në Bruksel. Por edhe në këtë pikë ka një pikëpyetje të madhe. Negociatat dypalëshe në Bruksel duket se po zhvillohen vetëm nën monitorimin e disa zyrtarëve të Brukselit. Ndërsa ekspertë amerikanë, si ish-zyrtari i DASH që ka punuar 20 vite me Serbinë dhe Kosovën, David Phillips, dje tha për “Deutsche Ëelle” se është koha që SHBA të bëhet pjesë e dialogut mes BE dhe dy shteteve dhe se “Uashingtoni nuk po nxit asnjë ndarje etnike”. Është një sinjal se ajo që po ndodh nuk e ka miratimin e gjithë faktorëve kryesorë ndërkombëtarë. Nëse SHBA, aleati kryesorë i shqiptarëve dhe faktorë të tjerë ndërkombëtarë nuk janë shprehur qartë për këtë ide, përse Thaçi ka nisur ta quajë të kryer marrëveshjen?
Edhe më shqetësuese është fakti se idetë e presidentit të Kosovës po trajtohen vetëm si çështje e brendshme e Prishtinës, kur në fakt kjo që po ndodh prek gjithë kombin shqiptar. Sigurisht Kosova është shtet i pavarur, por në Ballkan janë dy shtete shqiptare dhe ajo që ndodh me shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë është direke apo indirekt çështje e Shqipërisë. Ajo që po diskutohet mes Vuçiç dhe Thaçit prek direkt interesat e shqiptarëve si komb, por edhe ndikon në gjithë proceset që janë zhvilluar deri më sot në Ballkan. “Korrigjimi i kufijve”, që në fakt është dhe ndarje e Kosovës hap skenarë të rrezikshëm për gjithë rajonin. Së pari, vë në pikëpyetje gjithë stabilitetin e vendeve të tjera që kanë të njëjtat probleme si Bosnjë, Maqedoni dhe të tjerë. Nën shembullin e Thaçit dhe Vuçiç mund të hapet loja për korrigjime të tjerë kufijsh. Kjo “marrëveshje” që po serviret si paqe, në fakt mund të sjellë tensione, konflikte dhe luftë në vende të tjera. Së dyti, Kosovën e kthen në pikën e fillimit. Duke cunguar territorin e saj, shumë shtete që kanë pakica dhe probleme të njëjta më fqinjët mund të hezitojnë njohjen e pavarësisë për shkak të precedentit që krijohet duke frenuar kështu integrimin e Kosovës në BE dhe NATO. Pra do gjejnë pretekste për ta njohur si shtet, ndërkohë që Shqipëria po punon hapur për njohjen e Kosovës në OKB.
Kushtetuta e Shqipërisë e detyron shtetin tonë të përgjigjet dhe për shqiptarët që jetojnë jashtë hartës shtetërore. Nëse në Tiranë dikush thotë se kjo është punë e Prishtinës dhe Beogradit, është koha që të lexojë nenin 8 të Kushtetutës së Shqipërisë. Kushtetuta thotë: “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”. Një ndarje e Kosovës është edhe çështje e përgjegjësi e Shqipërisë. Ndaj “marrëveshjet” apo pazaret që po luhen nuk mund të vendosen vetëm nga një president, nga një qeveri, nga një parlament apo me ide populiste referendumesh përgjysmë. Nëse diskutohet një çështje kombëtare duhet që edhe Tirana zyrtare; Presidenti, qeveria, parlamenti dhe shqiptarët, këtej kufirit, të thonë fjalën e tyre.
Tokat shqiptare kudo janë i përkasin Kombit shqiptar. Kombi është mbi qeveritë, mbi presidentët, mbi parlamentet. Sidomos mbi pazaret politike rajonale të presidentëve serb dhe kosovar.
Q.Xhani