Krimi alias De
OPINION
Nga Frrok Çupi
Ka lindur një fjalë e re, një fjalë e gjatë dhe thuajse e pakuptimtë. Fjala e re është "De- kriminalizimi".
Duket qartë se ka lindur nga KRIMI. Fjala "krim" është aq e vjetër dhe aq e njohur. Ndoshta është aq e vjetër sa vetë njeriu. Me siguri është më e vjetër se vetë Krishti që njerëzia e mban si më të parin e krijesave "pa krim". Ndoshta është aq e vjetër sa Eva dhe Adami. Ose edhe më e vjetër se mëkati ose krimi Evës dhe Adamit. Që kur lindi njeriu, që aty lindi krimi: Krimi kundër vetes, krimi kundër prindit e kundër fëmijës, krimi kundër pasurisë, krimi kundër popujve dhe kundër Zotit. Vetëm Zoti kreu një hakmarrje kundër krimit të njeriut; edhe ai vetëm një herë. Kur njeriu u ngjit në kullën e Babelit, aty Zoti u hakmor nga frika se njeriu arriti zotin. Dhe kaq.
Fjala "de- kriminalizim"…, kjo është çudia. Nuk është as në gjuhën shqipe, por as saktësisht në ndonjë gjuhë tjetër. Duket se është shpikur edhe kjo fjalë për të qenë e pakuptimtë, ashtu siç është i pakuptimtë edhe vetë procesi de-kriminalizim. Po të bësh përsiatjen rreth fjalës, do të të duhej të pranoje më mirë fjalën "sh-njerëzim". Në fakt, po të thuash "de-kriminalizim", ke thënë fiks fjalën "sh-njerëzim", ose "sh-njeri". Sepse po të thuash se me per forza do të bësh dekriminalizimin e njeriut, kjo do të thotë se e ke shnjerëzuar ose shpërbërë si njeri. Njeriu e ka në natyrë, e ka përbrenda krimin…
Por përsiatja rreth fjalës "dekriminalizim" do të na çonte në ca labirinthe pa fund; njësoj si të kërkoheshin rrënjët e Babelit, kullë që kurë nuk ka ekzistuar.
Mund të arsyetohet edhe më shkurt rreth fjalës "de-kriminalizim". Mund të arsyetohet se kjo fjalë e re, e cila sapo hyri në fjalorin e përditshëm politik, vjen po nga fjala "krim". Domethënë është një zgjatim i fjalës KRIM. Ose një krijesë si procesionarja e pishës. Procesionarja, gjallesa në formën e një krimi, shkatërron tërë pyllin me pisha. E keni parë një masë të bardhë si pambuk në degët e pishave, nga e cila vjen vetë procesi i tharjes së pemës së mrekullueshme?! Aty është krimbi procesionare, secili lind miliona krimba në ditë dhe të gjithë marrin formën e një procesi vdekjeje për pemën. Dhe nga ky proces marrin emrin "procesionare". Më duket se ka një ngjashmëri shumë të madhe me fjalën e re "de-kriminalizim". Sepse edhe dekriminalizimi vjen nga krimi.
Në rastin tonë, të politikës sonë parlamentare e qeveritare, etj., krimi e prinë dekriminalizimin; krimi e ka lindur këtë fjalë (njësoj si në procesionare) dhe krimi do ta çojë përpara procesin. Krimi ka shtuar vetëm dy shkronja: "De", duke e bërë të besueshme për naivët sikur po bëhet "de-kriminalizim".
Shikoni çfarë po ndodh:
1.
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një dokument, ose angazhim, të përbashkët mbi "De-krininalizimin e Kuvendit". Këtu, në këtë dokument, ka veç një vlerë, por që nuk është vlerë de-kriminalizimi. Vlera është se të dy palët, si maxhortanca edhe opozita politike, kanë arritur në përfundimin se "Kuvendi është kriminal, ose i kriminalizuar". Të dy palët, me 140 të zgjedhur si deputetë, në gjithë procesin kërkojnë veç një mekanizëm të thjeshtë, mekanizmin e fjalëzës "De". Kjo, si me magji, do ta zhdukte krimin nga Parlamenti (!). A mundet? Jo. atëherë e vetmja vlerë e parë mbetet se u pranua botërisht se Kuvendi i Shqipërisë qenka i kriminalizuar. I vetmi Kuvend në botën moderne. Fjalëza "De" nuk ka asnjë fuqi.
2.
Fjalëza e vogël "De" (shpesh herë tingëllon njësoj si fjala angleze "dead" ose i vdekur), është ngarkuar me një barrë aq të madhe sa askush nuk e beson se mund të shkulë peshën e rëndë të Krimit. Në fakt gjithë politika, që nga opozita deri te Kuvendi, ia kanë besuar "De-së" misionin e shporrjes së krimit. Është njësoj si një detyrë formale që shefi më lart ia ngarkon funksionarit poshtë tij. Njësoj si kreu i Parlamentit t'i ngarkojë Prokurorit misionin që të burgosë dy deputetë, mundësisht të dy katolikë. Prokurori këtë e bën. Por një copëz fjale siç është "De", vallë a mund ta mbajë barrën e rëndë që ta shporrë krimin?! Padyshim, e pamundur. Fjalëza e shkurtër "De" është zgjedhur qëllimisht kaq e shkurtër. Duke qenë kaq e shkurtër, sipër saj mund të kapërcejnë të gjithë të ngarkuarit me krim. Sado të ngarkuar me barrë krimi e korrupsioni, secili mund të kapërcejë mbi shkurtësinë e "De-së". Kapërcejnë ministra, prokurorë, drejtorë, gjykatës, funksionarë… Sepse, vallë, si mund të jetë Kuvendi i kriminalizuar, ndërsa qeveria të jetë e de-krim?! Një Kuvend i kriminalizuar lind, pa dyshim, qeveri e ministra në krim; lind prokurorë dhe gjykatës në krim; drejtorë e funksionarë në krim. Të kërkosh që të zhvishen nga krimi brenda orës, kjo është vetë një Krim.
3.
Përsëri shtrohet pyetja: Cila fjalë, vallë e udhëheq "de- kriminalizimin"? Shiko sa e gjatë shfaqet fjala. Por në fakt e udhëheq zemra e saj, fjala "Krim".
Në rastin tonë politik, kjo gjë bëhet shumë më konkrete. Kuvendi (i krimtë, ose i kriminalizuar), ka marrë përsipër që të luftojë Krimin. Domethënë krimi lufton krimin… E pamundur. Ose do të ishte e mundur sikur ky Kuvend të ishte vetë Zoti. Por jo Zoti i Biblës që ka prurë deri këtu te ne Mitin e Kullës së Babelit. Zoti i Biblës kishte aq arsye dhe aq kuptim me njeriun, saqë nuk lejoji njeriun të ngjitet deri në Qiell. Por nuk pretendoi se edhe Kullën e kishte ndërtuar vetë; dhe po vetë do ta ulte në tokë njeriun e do të ulte edhe Kullën. Jo. Ky Kuvend po pretendon se është ai farë Zoti që edhe e ndërton Kullën e Krimit, por edhe e zhbën Kullën e Krimit. E pamundur. Është një ironi ndaj Njeriut. Ose mund të themi se është edhe një Krim plus.