Krishtlindje dhe Janullatos
Besimtarët katolikë dhe ortodoksë kanë festuar dje Krishtlindjet, një nga festat më të rëndësishme të besimit kristian duke dhënë mesazhe për më shumë paqe dhe mirësi. Ashtu si dhe kremtime të tjera në vend, Krishtlindjet janë një ngjarje që dëshmon bashkëjetesën fetare në Shqipëri. Urimeve dhe solidaritetit të kësaj feste të madhe, veç besimtarëve u janë bashkuar edhe qytetarë të besimeve të tjera, duke e bërë më të veçantë këtë ditë feste. Përcjellja e mesazheve të Krishtlindjeve gati nga gjithë shoqëria dëshmon dhe një herë se harmonia fetare nuk është mit, por një vlerë reale e Shqipërisë. Është nga ato pak gjëra me të cilat vendi duhet të krenohet si një veçori të identitetit shqiptar në botë. Por kjo harmoni dhe identitet njëkohësisht duhet ruajtur nga provokimet ekstremiste që herë pas herë nxjerrin krye në media dhe opinion.
Në atmosferën e paqtë të festimeve një tjetër ngjarje i dha edhe më shumë rëndësi Krishtlindjes këtë vit. Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekretoi dhënien e shtetësinë shqiptare për Kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos. Kryepeshkopi Janullatos prej 25 vitesh drejton Kishën Ortodokse Shqiptare dhe është një nga autoritetet botërore të ortodoksisë. Dhënia e shtetësisë, sipas ligjeve të shtetit shqiptar edhe për një qytetar të huaj pa funksione civile apo fetare duhet të ishte dhënë të paktën 12 ose 10 vite më parë. Në rastin e një drejtuesi të nivelit më të lartë të Kishës dhënia e shtetësisë është kërkuar që vitet ‘90 kur Janullatos nisi aktivitetin e tij në shërbim të besimtarëve.
Rrethana të caktuara, të mbushura me akuza dhe dyshime, herë në mënyrë të fshehtë dhe herë me debate të forta në publik kanë bërë që pesë Presidentët të mos të mos e aprovonin këtë kërkesë. Asnjë herë nuk ka pasur qëndrim zyrtar të Presidentëve për refuzimin e shtetësisë, por gjithmonë është gjetur një justifikim i pabazuar në ligj. Një justifikim që pretendon se drejtuesi kryesor i Kishës duhet të jetë me kombësi shqiptar. Ironikisht harrohej se në vitin 1991 kur Janullatos erdhi në Shqipëri për të ringritur Kishën Ortodokse shqiptare në vendin që sapo dilte nga diktatura nuk kishte asnjë klerik ortodoks që të merret atributet e një bariu shpirtëror. Përgjatë 25 viteve Anastas Janullatos i ka shërbyer Kishës Ortodokse dhe qytetarëve shqiptarë me përkushtim dhe vetmohim si pak kush tjetër. Në këto vite, Kisha Ortodokse në Shqipëri falë dhe ndikimit dhe personalitetit të Janullatos është njohur në arenën ndërkombëtare, si dhe janë ringritur të gjitha objektet e kultit të besimit ortodoks. Por kontributi i Janullatos ka vlerë të rëndësishme dhe në momentet e zhvillimit dhe realizimit të projekteve të Kishës Ortodokse në ndihmë të shtresave në nevojë dhe në projekte të arsimit dhe karakterit social. Vlen të theksohet se dhe në vitin 1999 luftës në Kosovës, Kisha Ortodokse që drejtohet nga Janullatos dha kontribut të rëndësishëm në përballimin e eksodit të shqiptarëve të Kosovës. Këto janë vetëm një pjesë e vogël e kontributit të rëndësishëm që ka dhënë Janullatos në Shqipëri.
Akuza kryesore ndaj figurës së tij është ajo e lidhjes së Kishës Ortodokse Shqiptare me helenizimin. Një teori naive që është përzjerë shpesh me retorikë nacionaliste dhe ndaj së cilës Janullatos ka treguar gjithmonë maturinë për t’iu shmangur nga debatet. Në fund kontributi i tij vlerësohet për atë që ka bërë për ortodoksët në Shqipëri dhe ringritja e Kishës Ortodokse pas vitit 1991 është padyshim dhe një meritë e tij. Në Greqi, Januallatos është një figurë mjaft e nderuar e klerit ortodoks ndaj dhe dekreti i Presidentit Meta ka sjellë reagime pozitive në Athinë, si një gjest që tregon mirënjohjen e Shqipërisë për një njeri të Kishës.
Dhënia e nënshtetësisë nga Presidenti, përveç një akt shtetëror i vlerësuar është dhe një hap që forcon harmoninë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Presidenti Meta bëri një akt normal që duhet të ishte kryer nga pasardhësit e tij shumë vite më parë për një klerik që ka dhënë kaq shumë për ortodoksinë në Shqipërinë. Por siç tha dje pas dekretit vet kryepeshkopi Janullatos “disa gjëra janë si vera, sa më e vjetër aq më e mirë”.
Qamil Xhani