Kriza greke, a janë të sigurta paratë tona?
Në Athinë, këto ditë po luhen fatet e Europës. Dalja e këtij vendi nga Eurozona do të vendosë në pikëpyetje sistemin mbi të cilin funksionon sot Europa. Veç projektit të BE-së, në Athinë luhet dhe fati i një kombi, sistemi bankar i të cilit gati ka falimentuar. Nga Tirana, kriza greke këto vite është parë me “dylbi” si një tragjedi që ndodh në një kontinent tjetër dhe jo në një vend që është fqinj me ne. Në mënyrë të pazgjidhshme, fatet e ekonomisë greke janë të lidhura dhe me Shqipërinë. Nyjet lidhëse janë të shumta. Së pari është sistemi bankar, ku tre banka të pozicionuara mirë në tregun shqiptar janë filiale të bankave greke. Ndërsa lidhja tjetër dhe më direke janë 600 mijë shqiptarët që jetojnë atje dhe që preken direkt nga çdo luhatje e ekonomisë greke. Të gjitha këto e bëjnë falimentimin e Greqisë jo vetëm vetëm një çështje të BE-së, por edhe një tërmet, lëkundjet e të cilit ndjehen edhe në ekonominë shqiptare. Kriza greke ka nisur prej 5 vitesh dhe tronditjet e saj janë ndjerë në ekonominë shqiptare. Por deri dje është folur vetëm për krizë dhe tashmë që po deklarohet hapur termi ‘falimentim’, pra pasojat janë edhe më të mëdha.
Në këtë situatë nuk është thjesht pyetja se çfarë po ndodh ne Greqi, por çfarë do të ndodhë me ekonominë shqiptare. Bankat greke në Shqipëri kanë rreth 17 për qind të tregut bankar dhe 17 të portofolit të kredive që kanë marrë shqiptarët. Në këto banka shqiptarët kanë depozituar 1.2 miliardë euro. Që prej një jave Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shoqata e Bankave dhe ekspertë të ekonomisë në vend kanë deklaruar se Shqipëria nuk rrezikon direkt nga falimentimi ekonomik i Greqisë. Bankat greke që operojnë në Shqipëri janë të shkëputura nga bankat mëmë, pasi operojnë me kapital shqiptar dhe një mbyllje e degëve qëndrore në Greqi, nuk nënkupton edhe probleme për aktivitetin e tyre në Shqipëri. Në këtë kuptim, paratë e shqiptarëve në bankat greke në Shqipëri nuk rezulton sipas ekspertëve, që të jenë të rrezikuara. A kanë para cash bankat greke në Shqipëri nëse duan lekët e tyre shqiptarët ti heqin nga këto banka dhe ti fusin në banka me solide?
Por kriza greke pritet të jap një tjetër efekt. Uljen e sasisë së parave që emigrantët shqiptarë në Greqi sjellin në vend. Edhe pse prej 5 vitesh niveli i remitancave ka rënë, këtë vit pritet që shqiptarët të dërgojnë edhe më pak të ardhura në Shqipëri. Po ashtu, edhe niveli ekonomik mes dy vendeve dhe shkëmbimet tregtare pritet të pësojnë një goditje si pasojë e falimentimit të sistemit ekonomik grek.
Problemi i parave është vetëm një pjesë e dramës greke që luhet në kufijtë e Shqipërisë. Ekspertët e financave prej një jave janë munduar të mos mbjellin panik për atë çka ndodh në vendin fqinj. Analizat janë të sakta dhe për shumë arsye paratë e shqiptarëve, sipas edhe Guvernatorit të Bankës, janë të sigurta dhe nuk rrezikohen. Megjithatë kriza greke, të paktën për Shqipërinë, nuk është vetëm për sistemin bankar. Në media pak po flitet, por falimentimi i Greqisë është falimentim dhe për më shumë se 600 mijë shqiptarë që jetojnë prej vitesh në Greqi. Një pjesë e tyre janë integruar në shoqërinë greke dhe të tjerë kanë zgjedhur si mbijetesë qëndrimin në vendin fqinj. Falimentimi i Greqisë do të thotë se për shumicën prej tyre qëndrimi mund të bëhet i pamundur dhe do të kërkojnë të kthehen në Shqipëri. Kjo është pjesa ku kriza greke mund të dëmtojë Shqipërinë. Janë me mijëra në mos qindra mijë shqiptarë, që në kushtet e mungesës së bazës ekonomike në Greqi, do të kthehen në Shqipëri. A është e përgatitur Shqipëria të përballojë një fluks të tillë njerëzish? Edhe në kushtet aktuale, shifrat e papunësisë janë në nivele alarmante. Kriza greke ka nisur para 5 vitesh dhe sipas të dhënave, rreth 100 mijë emigrantë shqiptare janë kthyer në atdhe. Falimentimi i Greqisë mund të pasohet nga një fluks tjetër i madh, i cili mund të sjellë probleme sociale në vend. Probleme që nisin që nga skema e sigurimeve dhe e pensioneve dhe deri tek vështirësitë që do të kenë për të sjellë në Shqipëri ato pak kursime që mund t’i kenë në bankat greke.
Pra a rrezikon Shqipëria nga “falimentimi i shtetit grek”?