Kryemadhi-Basha: Do jenë 13 kushte për në BE. Rama: Nuk iu njoh si opozitë!
Vendimi i ministrave të jashtëm të BE për të shtyrë me një vit negociatat për Shqipërinë ka qenë dje arsyeja kryesore e sherrit në Parlament. Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati mbrojtën edhe një herë versionin se ajo çka u vendos në Luksemburg ishte një sukses i Shqipërisë në rrugën e integrimit. Për kryeministri Edi Rama, opozita është e paaftë për të kuptuar mesazhet që ka dhënë BE-ja për Shqipërinë. Edi Rama vazhdonte me iluzionin se “kemi fituar”, tamam si lideri koreanoverior në vitin 2010 kur thoshte në Tv popullit të tij se “Korea Veriut ka fituar kampionatin botëror!”. Ky qëndrim i Edi Ramës ka nxitur dhe më shumë reagimet e opozitës, e cila argumenton se shtyrja e negociatave nuk është sukses, por dështimi më i madh i qeverisë “Rama”. Dy krerët e opozitës, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, akuzuan dje Edi Ramën si kryeministrin që në pesë vite qeverisje, ka dështuar pesë herë me procesin e integrimit në BE. Pesë vjet dështime kemi nga ky kryeministër, theksuan ata.
Në fjalimin e mbajtur dje në Kuvend, Lulzim Basha deklaroi se integrimi i vendit është në fazën më kritike me përgjigjen që mori të mërkurën qeveria për negociatat. “Nuk ka hapje negociatash me Shqipërinë. Ka një shtyrje të vendimit me 1 vit dhe, në qoftë se kushtet nuk plotësohen, prapë nuk ka hapje negociatash. Nuk janë më 5 kushtet fillestare, janë 13 sa i përket Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian dhe, akoma më shumë, sa i përket vendeve anëtare”,– tha dje Lulzim Basha. Pas kritikave për qeverinë dhe Edi Ramën, Basha tha se është koha për një etapë të re në politikën shqiptare për të shpëtuar procesin e integrimit, pasi me Edi Ramën negociatat janë të dështuara edhe në vitin 2019. Në fjalën e tij, Basha artikuloi qartë vendimin e opozitës për të larguar qeverinë “Rama” nga pushteti.
“Detyra jonë kryesore nuk është të korrigjojmë projektin kriminal të Rilindjes, por është që së bashku me shqiptarët të formulojmë zgjidhjen politike e cila mund dhe do të zhbllokojë integrimin e bllokuar europian. Mundësia jonë e vetme për të ecur përpara është ta largojmë sa më parë qeverinë dhe kryeministrin e kapur nga krimi dhe oligarkia”,- u shpreh Lulzim Basha.
Edhe më e ashpër në qëndrimet e saj kundër qeverisë për dështimin e negociatave ishte kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Në një intervistë dhënë nga SHBA, ku është për vizitë zyrtare, për “Zërin e Amerikës” Monika Kryemadhi deklaroi se Edi Rama është politikani i vetëm shqiptar që është i gëzuar për mos’hapjen e negociatave. Ajo argumentoi se mos hapja e negociatave e bën më pak të kontrollueshme nga BE qeverinë e Edi Ramës dhe për pasojë këtë vit do të ketë përkeqësim të nivelit të demokracisë, si dhe rritje të korrupsionit në vend. Kryetarja e LSI-së ka folur dhe për skenarë të tjerë që qeveria “Rama” mund të vendosë në zbatim gjatë muajve në vijim. “Njeriu më i lumtur sot për mos hapjen e negociatave është Edi Rama. Po të mbajmë mend para 8 muajve, Edi Rama nga Brukseli ka kërcënuar ose është shprehur hapur për lëvizjen apo drejtimin e Shqipërisë drejt realiteteve të tjera. Pra do të thotë që vetë Ramës nuk i intereson, sepse hapja e negociatave do të thotë rregulla për qeverisjen”,- tha Kryemadhi nga SHBA. Qëndrimin e qeverisë që flet për sukses, Kryemadhi e cilësoi si një tallje dhe dashakeqësi të Edi Ramës ndaj shqiptarëve, ndërsa shtoi se kushtet e reja të vendosura nga BE parashikojnë edhe kthimin e vizave në rast se qeveria nuk përmbush reformat.
Në dokumentin e ri të BE për Shqipërinë një prej kushteve detyruese për negociatat vitin e ardhshëm është dhe dialogu politik. Nëse i referohemi gjuhës së përdorur në Kuvend nga mazhoranca dhe Kryeministri ky kriter është shkelur që dje. Kreu i qeverisë nuk pranoi ta konsiderojë më opozitën si një faktor me të cilin duhet të punojë për reformat. Duke u larguar në mënyrë demonstrative nga salla e seancave, Edi Rama tha se opozita e vërtetë janë qytetarët në rrjete sociale dhe në takimet në terren dhe jo kjo në Parlament. Një përjashtim i tillë i opozitës si faktor vendimmarrës në vend pritet të përkeqësojë situatën politike. Derisa Rama njeh si opozitë reale vetëm qytetarët që shkruajnë në rrjete sociale dhe jo formacionet politike që zgjedhjet kanë sjellë në Kuvend, atëherë opozita parlamentare do të detyrohet t’i bëjë thirrje qytetarëve për të dalë në rrugë. Pas dështimit të negociatave dhe pas debateve për votime pa asnjë konsensus formal në Kuvend, siç është ligji i fundit për Teatrin Kombëtar, betejat politike nuk kanë më sens në Parlament. Kryeministri Rama duket se po e kërkon vetë këtë përballje në bulevard.
Por shtrohet një pyetje nga analistët: A mos po përgatitet PS-ja për zgjedhje të parakoshme parlamentare në vjeshtë?