Kryeministri Edi Rama dhe polakja e ndarë Magdalena
Prej 7 muajsh një nëne i mohohet e drejta për të mbajtur fëmijët e saj edhe pse vendimi i gjykatës është në favor të saj. Kjo është historia e dhimbshme e një qytetareje polake që jeton prej gati një viti në Tiranë duke rendur dyerve të gjykatave për të takuar fëmijët e saj. Magdalena Kraëczyk ishte martuar para 10 vitesh me një qytetar shqiptar dhe fryt i kësaj martese ishin dy fëmijët. Familja u zhvendos në Amerikë, por pas disa problemeve me dokumentacionin atje vendosin të zhvendosen në Poloni dhe më pas, në Shqipëri. Pas kthimit në Tiranë çifti është ndarë dhe mosmarrëveshjet për kujdestarinë e fëmijëve kanë sjellë përballjen në gjykatë. Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit kanë vendosur kthimin e tyre tek nëna, por një vendim i tillë rezulton të mos jetë zbatuar nga Përmbarimi edhe sot. Prej 12 muajsh ajo ka lënë Poloninë dhe është vendosur në Shqipëri me shpresë se do të bashkohet me fëmijët e saj, por përmbarimi ende nuk ia njeh këtë të drejtë duke nxjerrë pretendime të reja. Pasi është lodhur në dyert e gjykatave dhe ato të policisë qytetarja polake vendosi t’u drejtohej mediave. Disa intervista në televizione dhe apele në organizatat e të drejtave të grave kanë rezultuar humbje kohe.
Së fundi ajo zgjodhi t’i drejtohej me një letër publike kryeministrit Edi Rama. Letra e publikuar rreth 2 muaj më parë, të cilën po e ribotojmë të plotë shpreh revoltën dhe përgjërimin e një nëne për të patur fëmijët pranë saj. Letra është një dëshmi tronditëse e mënyrës sesi nuk zbatohet ligji. Qytetarja e huaj është arrestuar nga policia pa urdhër-arresti, siç pretendon ajo, në sy të fëmijëve. Veç dhunës psikologjike pretendon se ka raste të kërcënimeve për eliminim fizik. Letra dërguar kryeministrit është një thirrje jo vetëm për njohjen e së drejtës si nënë, por mbi të gjitha për zbatimin e ligjit. Por edhe pas këtij apeli publik drejtuar kryeministrit Rama, sërish Magdalena Kraëczyk nuk ka arritur të marrë fëmijët. Gazeta kontaktoi dje me qytetaren polake për të mësuar mbi zhvillimin e procesit, por situata nuk ka ndryshuar nga ajo e disa muajve më parë. Përmbarimi ende nuk e ka ekzekutuar vendimin e gjykatës që detyron kthimin e fëmijëve. Madje edhe pse vendimi i gjykatës i jep të drejtë për kujdestari të përkohshme sërish Magdalena nuk ka arritur t’i marrë në banesë as edhe një herë fëmijët e saj. Dhe nuk i takon dot. E zhgënjyer nga drejtësia shqiptare ajo thotë se po i mohohet e drejta si nënë dhe e drejta që i ka dhënë gjykata për shkak të ndërhyrjeve që bashkëshorti ka bërë tek institucionet, gjithnjë sipas. U munduam dje të kontaktojmë edhe ish-burrin e saj për të marrë edhe prononcimin e tij, por telefoni i tij ishte i pa disponueshëm. Gjithsesi gazeta është e hapur për mendimin e palës së akuzuar. Por nga gjithë katrahurë Magdalena thotë se nuk ka më besim tek drejtësia e institucioneve të vendit dhe se në Shqipëria nuk është miqësore ndaj të huajve.
Historia e qytetares polake në Tiranës është një nga mijëra rastet e drejtësisë së munguar. Diku për shkak të vendimeve të gjykatave, diku për shkak të moszbatimit të tyre, edhe kur ato janë të drejta. Nga kjo drejtësi e korrupsionit, e nepotizmit dhe e paaftësisë nuk kanë shpëtuar dhe të huajt. Rasti i Magdalena Kraëczyk-ut është edhe më flagrant. Këtu nuk bëhet fjalë për
pasuri, ortakë shqiptarë që u rrëmbejnë aksionet ortakëve të huaj, por për diçka më të rëndësishme që ka të bëjë me të ardhmen e fëmijëve. Një nëne po i mohohet të rrisë fëmijët e saj duke gjetur qindra detaje ligjore dhe psikologë që i japin të drejtë ish-bashkëshortit. Por historia e Magdalena Kraëczyk nuk ka vetëm përballjen me gjykatat. Ajo thotë se është kërcënuar nga ish-bashkëshorti. Ndërsa qëndrimi i saj në Shqipëria është një kalvar më vete. E ardhur nga Polonia është detyruar të mbijetojë duke punuar në punë të ndryshme në Tiranë dhe Durrës, si e vetmja mënyrë për t’u takuar ndonjëherë “vjedhurazi” me fëmijët. Një histori e dhimbshme e mohimit të të drejtave dhe e talljes së shtetit. Rasti i qytetares polake është konkret falë kurajës që pati vetë Magdalena Kraëczyk për ta denoncuar, por sa raste të tjera enden dyerve të gjykatave dhe poshtërohen në mënyrën më absurde. Sigurisht, edhe ish-bashkëshorti i saj mund të ketë pretendimet e tij në këtë histori. Mund të ketë ankesa dhe fakte kundër qytetares polake. Por pa paragjykuar asnjë palë, kush ua jep të drejtën institucioneve që t’i mohojnë një gruaje të jetë nënë? Ky rast është edhe një apel për mungesën e reagimit të institucioneve. Është bërë publik në media, ka apele drejtuar organizatave dhe shoqërisë civile, ka dhe një thirrje publike gjithë dhimbje dërguar Kryeministrit. Kur gjithë hallka e shoqërisë nuk ka funksionuar , madje as kryeministri duket se nuk ka gjetur kohë të interesohet për këtë rast, ku duhen të drejtohen qytetarët?
Për një tullë të hedhur për të bërë një tualtet në bahçen e tij e arrestuan policia një fshatar në Lezhë,ndërkohë që policia dhe Shteti për marrjen e fëmijëve një nëne nuk reagojnë.
Qamil Xhani
Letra për Kryeministrin, Edi Rama: Policia e këtij shteti më prangosi pa urdhër-arresti në sy të fëmijëve
“Z. Rama, bëjuni dhuratë fëmijëve të mi zbatimin e ligjit”
Më 15 mars të këtij viti, Magdalena Kraëczyk, vendosi të bëjë publik në media problemin e saj me drejtësinë shqiptare. Një letër publike dërguar kryeministrit Edi Rama bëri jehonë në media gjatë atyre ditëve. Përveç komenteve inkurajuese të qytetarëve në rrjetet sociale dhe solidarizimit me qytetaren e huaj nuk pati asnjë reagim tjetër. Si çdo çudi tjetër në këtë vend, edhe me këtë letër “çudia” zgjati vetëm tre ditë, më pas u harrua. Siç duket, është harruar edhe nga ata të cilëve ajo u drejtohej.
Letra
“I nderuar z. kryeministër! Quhem Magdalena. Jam një nënë polake që endet prej mëse një viti nëpër Shqipëri për të kryer rolin që m’ka dhënë Zoti, për të qenë NËNË! Sot vajza ime Claudia, mbush 9 vjeçe! Fatkeqësisht, babai i saj, një shtetas shqiptar, me të cilin u dashurova e u martova, tashmë po më mban larg fëmijëve të mi, sepse sistemi i drejtësisë në këtë vend, është bërë palë me të. A mund të më thoni Z. Kryeministër, sa duhet të durojë një nënë për të qenë pranë fëmijëve të saj?
Zbatova ligjin, nuk pranova të shkel ligjet e këtij shteti dhe shkova ne Poloni për të bërë pasaportën, me shpresën që më pas im shoq do vinte në Poloni, siç më premtoi me fëmijët. Pranoja ta vuaj mungesën e tyre vetëm të mos u ndërpritej shkolla në Shqipëri, pas premtimeve të tij prita të vijnë në verë…
Dhe pasi pashë që shtetasi juaj po më ndan nga fëmijët sepse kishte kohë që s’më donte më për grua, atëherë, u riktheva dhe e dini çfarë gjeta? Gjeta fëmijët që i kishte kthyer kundër meje, duke i gënjyer se isha larguar nga ata.
Më arrestoi policia e këtij shteti pa urdhër-arresti, pa informim paraprak, në sy të fëmijëve të mi, pas improvizimit të skenave nga bashkëshorti im, vetëm që fëmijët të shikonin policinë duke më arrestuar dhe fëmijëve u interpretuan që jam një kriminele. Kështu quhen nënat në këtë vend kur pranojnë dhunën e policisë, institucioneve, vetëm për të qenë me fëmijët e tyre?!
Zoti kryeministër, gjykata më ka lënë fëmijët në kujdestari të përkohshme, por Përmbarimi nuk e ekzekuton vendimin, sepse pretendojnë se vullneti i këtyre drejtuesve, i bashkëshortit tim dhe i shkeljes së Kodit të Procedurës , është më i lartë sesa verdikti i gjykatave.
Çfarë mund të bëj zoti kryeministër? A mund të m’i thoni vajzës time, Claudias, sot publikisht se dua të jem aty të gatuaj tortën për të? A mund t’ia thoni publikisht që s’kam kryer kurrë një vepër penale dhe që vetëm se u largova në Poloni për të respektuar ligjin e shtetit, unë humba dashurinë e saj, pasi i interpretuan se jam nënë e padenjë?
Ju lutem Z. Kryeministër! Mos më jepni asgjë tjetër në këtë botë, dua vetëm që dikush t’i ndalojë fëmijët e mi që të gënjehen më tepër për mua, që të gënjejnë nga frika sepse kanë dëgjuar të atin duke më thënë në sy se do më vriste me armë mes Durrësit.
Unë e di, unë i ndjej, i kam nxjerrë nga një miter që s’njeh nënshtetësi, edhe pse shpesh në këtë vend kam hasur shprehjen “Hajt më, nje k**v* polake”…Ata jo vetëm që po gënjehen çdo ditë e më shumë, por do m’i sëmurin, se do gënjejnë nga frika që t’më shpëtojnë mua.
A po kërkoj tepër në këtë vend? Po kërkoj të rri me fëmijët e mi, po kërkoj të zbatohet ligji dhe të frenoj padrejtësinë që po i bëhet fëmijëve të mi duke i vjedhur dashurinë e nënës në pabesi!
Zoti KRYEMINISTER, bëjini dhuratë sot Claudias sime, ZBATIMIN E LIGJIT!
ME DASHURINE E NJË NËNE, Magdalena!”.
“Nuk kam besim tek sistemi i drejtësisë shqiptare. Po ndodhin manipulime”
Kraëczyk Magdalena: Nuk dua show, kërkoj drejtësi!
Qytetarja polake, Magdalena Kraëczyk, tha dje për “Koha Jonë” se vendimet e sistemit të drejtësisë shqiptare po manipulohen. Ajo shprehet se Shqipëria nuk është miqësore me të huajt. “Nuk kam besim tek sistemi i drejtësisë shqiptare pasi rastet në gjykatë janë të shtyra dhe po ndodhin manipulime të një babai, përmes njohjeve. Shqipëria nuk është fare miqësore për qytetarët e vendeve të tjera që kërkojnë të drejtat e tyre për fëmijët e tyre”, – shprehet ajo.
Magdalena Kraëczyk shpjegon se publikimi i rastit të saj në media nuk ka pasur asnjë qëllim tjetër, veçse kthimin e fëmijëve dhe vendosjen e drejtësisë. “Nuk dua që të bëj aspak shoë me rastin tim të trishtuar. Po kërkoj vetëm drejtësi”.
Ajo shprehet e shqetësuar edhe për edukimin e fëmijëve. “Kam qenë në lajme dhe mendoj se ato do të më ndihmojnë mua që të marr fëmijët. Kërkova të drejtën si nënë, grua dhe njeri dhe kërkova të drejtën për fëmijët e mi që të kenë një nënë dhe të marrin edukimin e duhur të saj, i cili është i rëndësishëm në jetë”,- thotë Magdalena Kraëczyk.
Nga ana tjetër, ajo shpreh shqetësimin dhe për sjelljen e babait të fëmijëve. “Por babai i tyre nuk po më respekton, ai nuk po respekton as fëmijët e tij dhe të drejtat e tyre, ai po i mëson ata që të mos kenë respekt për mua, ai po i manipulon ata”, – shprehet ajo. Gjithashtu, ajo shprehet se nuk po i njihet, së pari e drejta si nënë dhe së dyti, e drejta ligjore që i kanë dhënë fillimisht gjykatat. “Ai nuk po respekton vendimin e gjykatës që më garanton mua kujdestarinë e fëmijëve të mi gjatë procedurave ligjore të divorcit. Nuk di se çfarë të bëj. Më mungojnë shumë fëmijët e mi dhe jam vërtet e mërzitur për ta dhe të ardhmen e tyre, duhet kuptuar se Nëna, Femra, është një qënie njerëzore dhe duhet respektuar”, – shprehet Magdalena Kraëczyk.