Kryeministri Rama dhe krimi financiar
Editorial E Diel, 18 Prill 2021 19:39
Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Financave dhe Ministria e Brendshme nënshkruan dje në prani të kryeministrit një morandum bashkëpunimi për luftën kundër evazionit fiskal. Dokumenti mes tre institucioneve miratohet 18 ditë pas nisjes së aksionit kombëtar për mbledhjen e taksave dhe abuzimeve me tatimet. Synimi është që çdo abuzim që ndeshet në fushën e taksave dhe tatimeve, të kapet në kohë rekord nga Ministria e Financave, Ministria e Brendshme dhe më pas të ndiqet procedura penale nga Prokuroria e Përgjithshme. Po përse duhet një marrëveshje mes tre institucioneve që kanë për detyrë të zbatojnë ligjin? Përvoja ka treguar se edhe kur një institucion, siç është Ministria e Finncave konstaton një shkelje, procedurat burokratike nga policia në prokurori dhe më pas në gjykatë, bëjnë që çështja të mos trajtohet në kohë. Madje edhe të mos ndëshkohet si pasojë e shkeljeve procedurale dhe kleçkave të tjera ligjore. Ndaj takimi i djeshëm i tre drejtuesve të institucioneve në prani të kryeministrit Edi Rama ishte një sinjal për t’i dhënë seriozitet gjithë aksionit kundër shkeljeve në tatime. Një skemë të ngjashme kryeministri Edi Rama ndoqi dhe në rastin e abuzimeve me energjinë elektrike, duke kërkuar nga institucionet trajtimin e çështjeve në kohë rekord. Aksioni nuk ka më në epiqendër tregtarët dhe bizneset e vegjël që kanë xhiro modeste vjetore, por do të përqendrohet tek biznesi i madh. Kjo pasi shumica e abuzimeve dhe vjedhja e taksave apo fshehja e të ardhurave bëhet nga biznesi i madh. Pas sipërmarrjeve të mëdha fshihen gjitmonë interesa të ndryshme ekonomike të lidhura me politikën dhe vetëm një institucion siç është Ministria e Financave do të ishte i pamundur të godiste biznesin e madh që abuzon.
Kryeministri Edi Rama ka bërë një plan dhe duhet përgëzuar nëse arrin ta çojë deri në fund luftën ndaj krimit financiar. Është ky krim që mban gjallë çdo lloj krimi tjetër në këtë vend e duket se Adriatik Llalla që ka hetimin e prangat, Saimir Tahiri ka sektorin kundër krimit ekonomik e policinë dhe Shkëlqim Cani me tatimet e doganat, pra kjo treshe mund e duhet të vendosin ligjin e rregullin kudo dhe sidomos mbi bosët e mëdhenj, të cilët qarkullojnë miliarda e miliarda lekë dhe paguajnë tatime në shuma qesharake.
Edi Rama duket se e ka gjetur ku duhet të godasë e që janë "peshqit e mëdhenj" të biznesit të cilët mbajnë politikanët dhe këta të fundit garantojnë biznesin të mos paguajë miliona euro buxhetit të shtetit. Siç duket, po përgatiten arrestime të mëdha tek ata që kanë fshehur bilancet dhe falsifikuar kontrata etj. “Ky është një bashkëpunim që synon në radhë te parë zemrën e evazionit, që janë kompanitë e mëdha, shmangësit e mëdhenj të detyrimeve tatimore. Është koha për goditjen e duhur ndaj krimit financiar që prej 20 e kusur vitesh nuk është prekur kurrë në Shqipëri”, – u shpreh dje kryeministri Edi Rama.
Aksioni pritet të sjellë jo vetëm shtimin e të ardhurave, por edhe vendosjen e ligjit në gjithë sektorin e biznesit, si dhe një konkurencë të ndershme mes sipërmarrjeve të mëdha në vend. Memorandumi i nënshkruar mes tre institucioneve ka një mangësi. Prokuroria ka dëshmuar se është serioze në zbatimin e ligjit. Ministria e Brendshme e drejtuar nga Saimir Tahiri në çdo aksion të qeverisë dhe nisma të mazhorancës ka qenë në pararojë, duke marrë edhe kosto. Ministria e Financave është institucioni më i interesuar që kjo reformë të ketë sukses, pasi nga ajo do të varet edhe vetë suksesi i ministrit. Në këtë trinom institucionesh mungon një hallkë e rëndësishme që është drejtësia. Krimi financiar është ndër më të komplikuarit, që ka tentakulat e veta në gjithë strukturën e shtetit, ndaj nëse Rama arrin ta bëjë aksionin spektakolar me Adriatik Llallën, Saimir Tahirin dhe Shkëlqim Canin, çdo gjë mund të rrëzohet në dyert e gjykatave nga gjyqtarë që deri dje merrnin shuma në rryshfet për të dhënë një vendim gjykate kundra ligjit, ndonëse e “ vishnin” me ligj.
Krimi financiar është ai që përdor ryshfetin, politikën, etj për të shtuar monopolet e tyre , bile në shumë raste është pjesë e krimit të organizuar.