Kryeministri Rama e kreu masakrën elektorale. Çdo bëjë opozita?
Partia Socialiste ka mbyllur dje në Komisionin e Ligjeve reformën zgjedhore. Drafti final i dokumentit të PS që do të kalojë për votim të hënën në Parlament paralajmëron deformimin e zgjedhjeve dhe një masakër elektorale për vullnetin e qytetarëve që votojnë. Deputetët e PS miratuan që në Kodin Zgjedhor të ndalohen koalicionet paralektorale. Ndryshimi i njëanshëm i Kushtetutës që u bë në muajin korrik, u vendos edhe në ligjin e zgjedhjeve. Tashmë koalicionet do të kandidojnë vetëm me një listë kandidatësh. Ky ishte qëllimi kryesor i gjithë reformës që kërkonte PS, ndalimin e bashkimit të koalicioneve me parti dhe kandidatë që marrin vota sipas listës së tyre dhe futja e gjithë kandidatëve të opozitës në një listë me vete. Për PS që nuk ka më asnjë parti aleate, kjo formulë nuk do të thotë asgjë. Për trenin e gjatë të partive të koalicionit që drejtohet nga PD, futja vetëm në një listë shfaq probleme që komplikojnë fushatën dhe maksimlizimin e votës. PD pretendon se Kushtetuta edhe pas ndryshimeve që i bëri PS nuk ndalon koalicionet, megjithatë mbetët të shihet pas ditës së hënë se cili është efekti konkret i heqjes së koalicioneve klasikë që ka bërë PS. Por realisht Edi Rama nuk ndalet në masakrimin e zgjedhjeve akoma pa filluar.
Ndryshimi i dytë i rëndësishëm që socialistët miratuan dje në Komisionin e Ligjeve është çështje e listave të hapura. Në draftin që do votohen në Kuvend listat jo vetëm nuk hapen, por mbyllen edhe më tepër. Listat mbeten siç kanë qenë, ku baza kryesore për ndarjen e votave pas zgjedhjeve është renditja që i ka bërë kryetari. Kandidatët e tjerë duhet të marrin deri në 10 mijë vota më shumë për të hyrë në zonën e ndarjes së mandateve. Praktikisht nuk ka asnjë shans që një kandidat që është votuar edhe më shumë se partia në një zonë të fitojë mandatin para emrave që ka përcaktuar kryetari. Dje socialistët i bën vetëm disa ndryshime kozmetike çështjes së listave dhe e mbyllën njëherë e mirë çështjen e listave të hapura. Me këto ndryshime nuk do të ketë kandidatë që fitojnë jashtë listës së kryetarit dhe përfundimisht koncepti i kandidatëve të pavarur u gropos. Me ligjin e PS askush në Kuvend apo politikë nuk mbijeton dot jashtë hijes së kreut të partisë.
Në debatin për reformën zgjedhore e vetmja risi ishte kandididimi i krerëve të partive. Myslim Murrizi dhe 11 deputetët të tjerë pa parti në Kuvend vendosën të qajnë hallin e kryetarëve të partive të vogla. Ata kërkuan që kryetarit të partive t’i lejohet kandidimi në 12 qarqe të vendit. Për shkak të 11 votave që kanë deputetët pa kryetar dhe pa parti në Parlament, Damian Gjiknuri vendosi t’ua plotësojë qefin. Përfundimisht u vendos që krerët e partive që kandidojnë në 4 qarqe. Gjë që do të thotë se një kryetar partive mund të kandidojë në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier dhe pasi të marrë votat zgjedh vetë se kujt qarku do ti përkasë. Me shumë se vendim ligjor, kjo e kryetarëve duket një eksperiment që do të prodhojë çudira në zgjedhjet e ardhshme. Do të kemi raste kur në Tiranë 20-30 mijë vota të një partie të mbeten të papërfaqësuara me mandate, ndërsa nga 3 mijë vota të veçuara në 4 qarqe mund të prodhojnë deputetë.
Ndryshimi tjetër që miratoi PS-ja është ajo e uljes së pragut kombëtar nga 3 % në 1 %. Edhe kjo lëvizje është në funksion të partive të vogla që po ushqen PS-ja në inkubatorin e Kuvendit me ata që gjasme quhen opozita. Me uljen e pragut socialistët shpresojnë se do të hyjnë në Kuvend emra të partive që po sponsorizohen si diversion ndaj opozitës reale.
Drafti i PS të hënën kalon në Kuvend dhe bashkë me 11 deputetët gjasme opozitarë që bën një pjesë të propozimeve, socialistët i kanë votat ta miratojnë. Ata që mendonin se Edi Rama do të hiqte dorë nga marrëzitë me Kodin Zgjedhor dhe me Kushtetutën, tashmë janë para faktit të kryer. Kryeministri bëri reformën që donte, siç e donte dhe nuk pyeti as për opozitën reale, as për marrëveshjen e 5 qershorit, as për moralin e konsensusit politik dhe aq më pak për ambasadorë dhe ndërkombëtar. Drafti i miratuar dje jo vetëm i jep fund konsensusit politik, por hedh në kosh marrëveshjen e 5 qershorit. Asnjë nga pikat e kësaj marrëveshje nuk e ka parashikuar masakrën elektorale që po miraton PS.
Tashmë jemi para faktit të kryer, Edi Rama miratoi çfarë deshi dhe opozita nuk e bllokoi dot, kur mund ta kishte djegur Rilindjen./Mili Xhani/