Kryeministri Rama nxjerr dhëmbët e kërcënimit, opozita tregon “shpatën” e përballjes frontale
Basha dhe Kryemadhi deklarojnë se “Beteja vazhdon. Në 30 qershor, ne nuk do të lejojmë krimin të diktojë zgjedhjet në Shqipëri. Zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë, proces farsë zgjedhor nuk do të ketë. Në 30 qershor do të caktojmë një datë tjetër për zgjedhjet e parakohshme, nën kujdesin e një qeverie tranzitore pa Ramën kryeministër”.
Dje kryeministri shqiptar ka mbajtur një nga fjalimet më të egra kundër opozitës. Në gjithë qëndrimet e tij, fjala kryesore ishte “burg”. Rama kërcënoi me burg opozitën nëse ndalon procesin e zgjedhjeve më 30 qershor. I kërcënoi me burg nëse sulmojnë institucionet. Me burg edhe nëse bllokojnë rrugët. Me burg nëse godasin forcat e rendit dhe sigurisht me padi penale nëse akuzojnë qeverinë për korrupsion dhe skandale. Me burg nëse godasin apo sulmojnë zyrtarët e lartë të shtetit. Me burg nëse prekin kutitë e votimit. Ndërkohë opozita e ka ndarë mendjen se do ta rrëzojë me çdo kusht e mjet kryeministrin Rama.
Dështimi i Shqipërisë për hapjen e negociatave në Samitin e Berlinit në vend që ta bënte qeverinë më të përmbajtur dhe më të kujdesshme për krizën politike në vend, përkundrazi e ka bërë atë më arrogante dhe dje kryeministri, vetëm fjalën “burg”, e tha mbi 10 herë në fjalimin e tij para deputetëve të PS.
Kryeministri Edi Rama ka mbajtur dje një nga fjalimet më të ashpra dhe më kërcënuese ndaj opozitës, aq sa edhe vetë deputetët e PS-së u shastisën nga ato që dëgjonin. Për 45 minuta, para deputetëve socialistë, Edi Rama nuk foli për përgjegjësitë që ka qeveria e tij në shtyrjen e çeljes së negociatave që, nga planifikimi për në muajin qershor, u zhvendosën në shtator. Ndërkohë që vjet deklaroi se këtë qershor janë të sigurta. Nuk foli as për përfaqësimin skandaloz të diplomacisë tonë, e cila nga mbrojtëse e interesave të Kosovës dhe garante e stabilitetit në rajon, ka dalë si mbështetëse e ideve që sjellin tensione dhe luftë në Ballkan. Të gjitha këto, bashkë me krizën politike, meritojnë një sqarim të gjatë nga kreu i qeverisë dhe shpjegime sesi nga një vend që e ka nisur ndër të parët në rajon procesin e hyrjes në BE, sot rrezikon të mbetet i izoluar dhe pa afate konkrete nga Brukseli.
Dje kryeministri shqiptar ka mbajtur një nga fjalimet më të egra kundër opozitës. Në gjithë qëndrimet e tij, fjala kryesore ishte “burg”. Rama kërcënoi me burg opozitën nëse ndalon procesin e zgjedhjeve më 30 qershor. I kërcënoi me burg nëse sulmojnë institucionet. Me burg edhe nëse bllokojnë rrugët. Me burg nëse godasin forcat e rendit dhe sigurisht me padi penale nëse akuzojnë qeverinë për korrupsion dhe skandale. Me burg nëse godasin apo sulmojnë zyrtarët e lartë të shtetit. Me burg nëse prekin kutitë e votimit. Ndërkohë opozita e ka ndarë mendjen se do ta rrëzojë me çdo kusht e mjet kryeministrin Rama.
“U gënjen mëndja se do të ndalojnë Shqipërinë të bëjë zgjedhjet vendore në datën e përcaktuar nga Kushtetuta e kësaj Republike, sepse ende kujtojnë, me sa duket, se do të gjejnë budallenj që të shkojnë me këmbët e tyre burgjeve, pasi të sulmojnë kutitë e votimit për llogari të gramafonit të Lulit dhe filxhanit të Monikës”,- tha kryeministri Rama. Praktikisht, pasi e ka detyruar të djegë mandatet dhe nuk i njeh asnjë të drejtë formale, me këto që deklaron Edi Rama, i bie që opozita ose duhet të rri mbyllur në shtëpi ose të iki në emigrim si pjesa tjetër e qytetarëve. Ndërkohë që opozita ka më shumë se tre muaj në rrugë dhe kërkon zgjidhje politike për krizën, të kërcënosh me burg siç bëri dje kreu i qeverisë do të thotë se po e çon vendin me vetëdije drejt një konflikti.
Përballë kërcënimeve të kreut të qeverisë, opozita nuk ka asnjë rrugë tjetër veçse të përshkallëzojë protestat. Dje ishte tubimi i radhës i Frontit Opozitar. Në gjithë vendin, qytetarët bllokuan akset rrugore duke shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë “Rama”. Tashmë nuk flitet më për protesta, por për një revoltë qytetare që ka nisur në çdo qytet të Shqipëri. Opozita bllokoi vetëm dy orë 12 akset kombëtare nga Jugu në Veri, ndërsa paralajmëroi se në protestat e radhës tubimet do të zgjasin më shumë. Kreu i PD-së deklaroi nga protesta në Elbasan se në 30 qershor jo vetëm që nuk do të ketë zgjedhje, por nëse Edi Rama nuk ndryshon qëndrim, qytetarët do të kalojnë në aksion kombëtar për rivendosjen e demokracisë. “Beteja vazhdon. Në 30 qershor ne nuk do lejojmë krimin të diktojë zgjedhjet në Shqipëri. Zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë, proces farsë zgjedhor nuk do të ketë. Në 30 qershor do të caktojmë një datë tjetër për zgjedhjet e parakohshme, nën kujdesin e një qeverie tranzitore pa Ramën kryeministër”,- deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha. Një qëndrim i tillë, megjithë kërcënimet për burg të Edi Ramës tregon se protestat që janë parë deri më sot, nuk janë asgjë në krahasim me situatën e tensionuar dhe konfliktuale që na pret.
Ndërsa Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi deklaroi nga protesta në qytetin e Durrësit, se qeveria “Rama” po i detyron qytetarët të protestojnë në çdo formë të mundshme. “Ne po i provojmë të gjitha për të treguar që jemi të përgatitur, edhe për ta rrethuar Parlamentin, sepse nuk është problem ta rrethosh Parlamentin dhe as për ta marrë atë, edhe për të bllokuar rrugët. Javën që kaloi ishin 5 akse, këtë javë janë 12 akse. Javës tjetër nuk i dihet se çfarë do ndodhi, kështu që është e rëndësishme për të kuptuar që aksioni i opozitës, që tashmë nuk është thjesht aksione opozite, por është aksioni që drejton qytetarët në marrjen në dorë të fateve dhe të gjithë atyre situatave që e kanë detyruar që sot të jemi në rrugë”,- deklaroi Monika Kryemadhi. Teksa palët rrisin nivelin e protestave dhe kërcënimeve, nga skena janë zhdukur ndërkombëtarët. Ata që e mbështetën këtë qeveri në çdo nismë të saj, tashmë duhet t’u tregojnë shqiptarëve, se në cilin vend zgjedhjet bëhen pa opozitë reale dhe qytetarët burgosen vetëm se përse protestojnë.
Alban Marku