Kryeministri Rama për vizitë zyrtare drejt Rusisë, te endërra e tij e brendshme

Edi Rama mezi pret takimin me Presidentin rus, Putin, jo në cilësinë e drejtuesit të OSBE, por si kryeministër i Shqipërisë, aq me tepër që BE i tha “JO” pushtetit të tij, sikurse kohët e fundit është bërë mik i ngushtë me Presidentin serb Vuçiç. A ka filluar qeveria shqiptare të spostohet drejt Moskës, duke parë në bisht të syrit edhe nga Uashingtoni?

Shqipëria merr sot zyrtarisht detyrën e Presidencës së radhës së OSBE, organizata më e madhe ndërkombëtare në botë me 57 vende anëtare dhe 11 vende partnere. Në historinë e shtetit shqiptar, kjo detyrë është më e rëndësishmja për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. OSBE ka objekt kryesor të punës së saj; promovimin e të drejtave të njeriut, lirinë e medias, standardet e zgjedhjeve, kontrollin e armëve dhe ndërhyrjet për negocimin e konflikteve më të nxehta në botë. Lista e detyrave të OSBE është e gjatë dhe një barrë e rëndë për shtete shumë më tepër ndikim dhe ekonomi më të madhe sesa Shqipëria. Që Shqipëria do drejtojë OSBE-në është një lajm i mirë për vendin tonë, por veç festës për këtë arritje nuk mund të mos bjerë në sy fakti se në shumë nga detyrat që ka OSBE si institucion, Shqipëria ka probleme me zbatimin e tyre. Zgjedhjet problematike, ligjet kundër mediave, si dhe konflikti i stërzgjatur politik në vend, janë dëshmia se qeveria shqiptare nuk ka shumë modele pozitive për t’u dhënë vendeve të tjera. Është pak e vështirë që kryeministri i Shqipërisë të flasë për dialogun politik dhe kundër bojkoteve në një vend tjetër, kur vet qeveria e tij ka refuzuar dialogun me opozitën dhe e detyroi atë të braktisë Kuvendin. Po ashtu, duket si një shaka e hidhur që një përfaqësues i qeverisë Shqiptare t’u flasë vendeve të Europës, Afrikës dhe Azisë për zgjedhjet demokratike dhe votimet e rregullta, kur në Tiranë shitblerja e votës, vjedhja e votave dhe krimi në fushatat elektorale janë gati fenomene normale.

Pavarësisht fakti se qeveria e Rilindjes është kjo që është, me njëmijë probleme, marrja e Presidencës së OSBE është një shans i mirë që shtetin shqiptar. Shumë çështje të politikës sonë të jashtme, si Kosova dhe raportet me fqinjët kanë mundësi të shtrohen në mënyrën më serioze. Gjithashtu, diplomacia shqiptare ka një rast për të përfituar përvojën e duhur dhe për të rritur ndikimin në gjithë çështjet që lidhen me interesat e Shqipërisë. Në fund është dhe prezantimi dinjitoz i një shteti te vendet partnere në këtë organizatë. Një menaxhim me kujdes i problemeve që ka në listë Presidenca një vjeçare e Shqipërisë në OSBE do të rrisë autoritetin e Shqipërisë dhe do t’a bëjë një faktorë të rëndësishëm në rajon.

Por që pa marrë ende presidencën e organizatës qeveria shqiptare ka nisur të japë sinjale që tregojnë për skenarë më të komplikuar sesa çështjet e OSBE. Kryeministri Edi Rama ishte dje në Vjenë, për tu përgatitur për ceremoninë zyrtare të marrjes së presidencës, e cila zhvillohet sot. Në konferencën e dhënë për disa gazetarë shqiptarë që shoqërojnë delegacionin e Tiranës, kryeministri deklaroi se pjesë e axhendës së tij si kryesues i OSBE është dhe vizita në Rusi e takimi me presidentin rus Vladimir Putin.  “Vizita në Rusi është pjesë e axhendës së drejtuesit të OSBE-së dhe është pjesë e angazhimeve që unë kam marrë, ndërkohë që gjatë gjithë vitit kemi bërë dhe harmonizimin e angazhimeve me ministrin në detyrë për të balancuar obligimet e OSBE-së me obligimet e brendshme dhe janë disa vizita që do bëhen shumë shpejt. Praktikisht më të shpejtat janë vizitat në Ukrainë, në Shtetet e Bashkuara dhe në Rusi. Tani, për datat, ne presim konfirmime nga të gjitha palët sepse duhen rakorduar me të gjitha palët”,- deklaroi dje kreu i qeverisë pas pyetjes së porositur dhe të bërë gjasme rastësisht për vizitën në Moskë. Natyrisht që ishte pyetje e parapërgatitur nga stafi kryeministror.

Vizita e Edi Ramës në Moskë nuk është e rëndësishme sepse shkon si përfaqësues i presidencës së OSBE, por sepse shkon si Kryeministër i Shqipërisë. Pas disa dekadash kjo është vizita e nivelit më të lartë që Shqipëria bën në Rusi dhe mes dy vendeve dihet se ka disa tema jo të lehta për t’u trajtuar. Kryeministri thotë se me Rusinë do të tentojë të ndikojë për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, por nuk është se Vladimir Putin ka pritur që Edi Rama të bëhet drejtues i OSBE për t’i dhënë zgjidhje konfliktit disa vjeçar. Takimi është dhe kontakti i parë zyrtarë mes qeverisë “Rama” dhe Rusisë së Vladimir Putin dhe mesa duket ka jo pak gjëra për të diskutuar veç Ukrainës.

Ajo që bie në sy me qëndrimet e kryeministrit është pas akuzave për afrim të tepruar me Turqinë dhe për mbështetje të Serbisë në dëm të Kosovës, dëshira e parë që ka si përfaqësues i OSBE është takimi me presidentin e Rusisë. Dëshira e Edi Ramës për këtë takim vjen edhe pas refuzimit për hapjen e negociatave me BE dhe gjithnjë e më shumë është rritur frika për një ndryshim të orientimit strategjik të vendeve të Ballkanit. Sigurisht, në parim, nuk ka asgjë të keqe nga takimet, por jo në kohën kur qeverisja e tij akuzohet gjithmonë e më shumë si një regjim që u ngjan modeleve lindore, shumë afër atij që ka sot Rusia.

Edi Rama mezi pret takimin me Presidentin rus, Putin, jo në cilësinë e drejtuesit të OSBE, por si kryeministër i Shqipërisë, aq me tepër që BE i tha “JO” pushtetit të tij, sikurse kohët e fundit është bërë mik i ngushtë me Presidentin serb Vuçiç. A ka filluar qeveria shqiptare të spostohet drejt Moskës, duke parë në bisht të syrit edhe nga Uashingtoni?

Mili Xhani

SHKARKO APP