Kryeministri Rama, “tren” që ka dalë nga shinat!
Edi Rama nuk ka dashur ndonjëherë që t’a zgjidhë këtë krizë politike. Çdo ditë që kalon e tregon se kryeministri ndjehet më mirë në kaosin ku e ka futur vendin. Më ndërkombëtarët që mbyllin sytë dhe me opozitën e detyruar që të dalë nga sistemi, ndonëse nuk duhej të dorëzonte mandatet, kryeministri po vijon i qetë ndarjen e parave dhe vjedhjen e buxhetit bashkë me oligarkët.
Në Parlament ka idiotët e dobishëm që thonë se janë “opozita” dhe atij kaq i mjafton për të menduar se do të qeverisë gjatë. Këto ditë ka vetëm një shqetësim të përkohshëm. I duhet të bindë disa vende të Bashkimit Europian dhe kryesisht Gjermaninë, se Shqipëria vërtetë ka problem, por nuk është krejtësisht pa demokraci! Ndaj po del në media dhe thotë se është gati për dialog me opozitën dhe se është gati t’i shkojë edhe në zyrë Lulzim Bashës. Këtë e thotë njeriu që para 30 qershorit i dërgonte kreut të opozitës me urdhër prokurorinë në zyrë dhe e kërcënonte për ta futur në burg. Por të kuptohemi, kur flet për këtë lloj dialogu Rama nuk ka parasysh zgjidhjen e krizës politike dhe kushtetuese më të rëndë të 30 viteve të fundit. Me dialog, ai nënkupton vetëm diskutimet për reformën zgjedhore dhe pazare kulisash. Këtë e bën jo se mendon se opozita është pjesë e vendit dhe rregullat në demokraci kërkojnë bashkëjetese me kundërshtarin, por se kështu ka ca halle me Berlin dhe Francë, ndaj i duhet t’i gënjejë deri në datën 18 tetor. Këto ditë i duhet të mashtrojë ndërkombëtarët dhe të tregojë se ai është politikan që njeh dialogun, por ka përballë një opozitë që nuk pranon marrëveshje. Pas 18 tetorit nuk ka rëndësi çfarë do të thonë PD-ja dhe opozita, ai do të harrojë gjithçka tha këto ditë dhe do të qeverisë i qetë me Kujtim Gjuzin dhe gjithë të tjerët, të kapur apo jo nga dekriminalizimi. Që nuk e ka seriozisht dhe as nuk e do dialogun e tregojnë edhe zhvillimet e ndodhura dje.
Lulzim Basha, pas mbledhjes me aleatët, përsëriti në mënyrë të përmbledhur gjithë qëndrimin e Frontit Opozitar për reformën zgjedhore. Janë 5 pika që kërkojnë, mes të tjerash, dënimin e manipuluesve të votave, ndryshimin e sistemit zgjedhor, bërjen e reformës me pjesëmarrje të SHBA, BE me një përfaqësues nga Parlamenti monist dhe një nga opozita reale. Në këto pika, lihet e hapur dhe mundësia e rikthimit të referendumit si mënyrë vendimmarrëse e qytetarëve. Është një platformë që realisht nuk e zgjidh krizën e vendit dhe këtë opozita e di më mirë se Edi Rama. Megjithatë, kjo është një përpjekje serioze për tu treguar ndërkombëtarëve, edhe një herë tjetër, se kriza është prodhuar nga qeveria “Rama” dhe jo nga opozita.
Me propozimet e bëra për reformën zgjedhore dhe me ftesën për dialog Lulzim Basha dhe opozita kanë bërë edhe më shumë sesa i kanë kërkuar ndërkombëtarët. Mjafton të kujtojmë se me këtë dokument të opozitës Bashës i është dashur të kapërcejë mbi veten duke harruar qëndrimin e fortë se “nuk ka marrëveshje me Edi Ramën kryeministër”. Reforma zgjedhore nuk zgjidhë krizën, por është një shans për palët që të tregojnë që sa realisht e duan vendin që të mos e çojnë. Opozita e bëri lëvizjen e saj, me jo pak kosto për të. Ndërsa pritej që Edi Rama të kuptonte rëndësinë e situatës, kryeministri edhe njëherë tregoi se zgjidhjen e kësaj krize nuk e do dhe as i intereson një situatë normale. Deklaratës së Lulzim Bashës, që PS të plotësonte “pesë pikat e platformës së opozitës ose të hapte krahun”, kryeministri ju përgjigj me arrogancën tipike që nuk lë vend shumë për dialog. Sipas tij, kjo që kërkon opozita “është njësoj si një karrocë me kalë që i thotë një treni hap krahun”. Është qesharake sesi kryeministri i një vendi me një rrjet hekurudhor të falimentuar, zgjedhë ta krahasojë qeverinë e tij me një tren. Kur po hyn në vitin e 7-të të qeverisjes, “treni” i Edi Ramës po lë një situatë edhe më të mjerë se në vitin me të keq të qeverisjes së dytë të PD.
Institucionet kanë marrë fund dhe janë kthyer në zyra të PS, njëlloj si në kohën e komunizmit ku veprohej me direktiva partie. Sistemi i drejtësisë ka rënë bashkë me Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Prokuroria, shtylla e vetme që mund të kontrollonte qeverinë, është bërë si ministrja e 15-të e kabinetit “Rama”. Korrupsioni, vjedhjet me ligj dhe koncesionet janë bërë aq normale sa edhe në media nuk konsiderohen më lajm, nëse grabitja nuk është mbi 10 milionë euro në një goditje. Ekonomia është drejt kolapsit total dhe e vetmja shpresë është që shiu të mbush hidrocentralet e ku qeveria të kap ndonjë lekë nga shitja e energjisë. Me votimet moniste të 30 qershorit demokracia dhe ndarje e pushteteve u ekzekutuan si në diktaturë, por Rama thotë se Venecia i ka dhënë leje që zgjedhjet ti bëjë gjithmonë me 1 parti dhe pa opozitë. Në këtë situatë degradimi total të qeverisë dhe shtetit, kryeministri e sheh veten dhe qeverinë e tij si tren që çon përpara vendin.
Dikush duhet t’i thotë se treni ka kohë që ka dalë nga shinat dhe i vetmi që nuk e ka kuptuar këtë gjë është makinisti.
Mili Xhani