Kryeprokurori Llalla, Njeriu antimafia
Historia e akuzave të deputetit Tom Doshi ka marrë dje një tjetër rrjedhë. Prokuroria kërkoi arrestimin e Doshit dhe të deputetit Mark Frroku për deklarata të rreme. Detajet e dosjes në ngarkim të deputetëve dhe cila është përgjegjësia konkrete e Doshit dhe Frrokut, nuk janë bërë ende publike në mënyrë të plotë. Por në njoftimin e Prokurorisë theksohet se historia me atentate të organizuara nga Kreu i Kuvendit, sipas Doshit, ishte një sajesë. Në këtë mënyrë, është mbyllur pjesa e parë e njërës prej akuzave më të rënda në historinë e politikës shqiptare të 24 viteve. Një akuzë që përfshinte në vorbullën e saj thuajse gjithë hierarkinë e shtetit shqiptar. Dhe ashtu siç ishte akuza për opinionin, befasuese dhe gati e paimagjinueshme, erdhi edhe përgjigjia. Tom Doshi do të përballet me akuzën për kallëzim të rremë dhe kërcënim dëshmitari, ndërsa Mark Frroku për dëshmi të rreme para prokurorisë. Për herë të parë në parlamentin e këtyre viteve kërkohet heqja e imunitetit dhe arrestimi për dy deputetë njëherësh. Sigurisht, historia nuk do të mbyllet me kaq. Beteja e akuzave, e kundërakuzave dhe e përbaltjes mes palëve në konflikt do të vazhdojë edhe shumë kohë më pas. Aq më tepër, që në këtë ngjarje është bërë pjesë dhe opozita, e cila ka nisur një fushatë mitingjesh në gjithë vendin duke marrë për bazë pikërisht këto akuza që dje rezultuan një flluskë. Tensioni politik e ka shoqëruar që në fillim këtë ngjarje dhe pritet të vazhdojë me intensitet të njëjtë edhe në proceset e tjera. Në këtë pikë, çdo gjë ka rrjedhur sipas logjikës së gjërave politike në Shqipëri.
Ajo që ka ndryshuar për mirë në këtë histori është Prokuroria e Përgjithshme. Është ndër të paktat raste në historinë e këtij institucioni, që ka bërë një hetim dhe ka marrë vendime të tilla. Brenda 17 ditëve u bë hetimi i njërës prej ngjarjeve më tronditëse në vend. Si rrallëherë, në zyrat e hetimit janë thirrur gjithë drejtuesit e lartë të shtetit; Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Ministri i Brendshëm, kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, si edhe deputetët dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Madje, në prokurori është thirrur dhe ish-kryeministri Sali Berisha, personi që deri pak ditë më parë nuk kishte pranuar kurrë të shkonte në organin e akuzës.
Mbyllja e hetimeve dhe ngritja e akuzave për Doshin, nuk do të thotë automatikisht se ata janë fajtorë. Përgjegjësitë konkrete, nëse ka, këtë do ta vendosë Gjykata në një proces që duket se nuk do të jetë i lehtë për drejtësinë. Ajo që ka rëndësi në këtë ngjarje është fakti se vendi ka një Prokurori që ka lëvizur në një terren, i cili dikur cilësohej i minuar për kryeprokurorët. Të ngresh padi ndaj dy deputetëve të cilët përfaqësojnë jo vetëm peshën që të jep posti i ligjvënësit në Shqipëri, por edhe asete ekonomike që mund të lëvizin shumë fije, nuk është dhe aq e lehtë. Adriatik Llalla e ka marrë dje këtë vendim. Ka firmosur me bindje nisjen e procedimit penal, duke thyer mitin e politikanëve të paprekshëm dhe sidomos mitin e politikanëve të fortë, që ka dominuar për kaq vite klasën politike në Shqipëri. Dje prokuroria ka dhënë një mesazh që më shumë se shqiptarëve, shkon edhe për gjithë klasën politike dhe kryetarët e partive që zgjedhin listat e deputetëve.
Vendimi i Kryeprokurorit, natyrshëm që ka marrë dhe kritikat e para nga palët në proces. Deputeti Doshi dhe zyrtarët e lartë të PD-së ishin ata që nxituan ta cilësojnë si një vendim të marrë nga prokuroria nën presionin e Kreut të Kuvendit dhe Kryeministrit. Por mes amullisë që krijohet në raste të tilla, deklarata e Ambasadës së SHBA-ve, vendi që të gjithë palët e kanë pranuar si vendimtar në proceset e rëndësishme në Shqipëri, ishte ajo që heq çdo dyshim lidhur me vendimin. “Ambasada e SHBA-ve mirëpret veprimin e Prokurorisë së Përgjithshme për të kërkuar miratimin e parlamentit për të arrestuar dy deputetë. Kjo është një mundësi e rëndësishme për të demonstruar se asnjë individ nuk qëndron mbi ligjin”, – thuhej në deklaratën e Ambasadës. Një qëndrim ky i fortë dhe i rrallë që largon çdo tis mjegulle që mund të jetë krijuar pas kërkesës së djeshme. Një mbështetje e hapur ndaj Prokurorit të Përgjithshëm.
Ndryshe nga shumë kryeprokurorë të tjerë, Adriatik Llalla, po lë gjurmët e tij në drejtimin e institucionit të akuzës. Është njeriu që pak kohë më parë firmosi arrestimin e Guvernatorit të Përgjithshëm. Ndërsa dje kërkoi të çohen në bankën e të akuzuarve dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Procese ndaj deputetëve dhe politikanëve ka pasur dhe më parë. Por rasti i djeshëm është ndër të paktët kur procesi i hetimit nuk ka pasur natyrë politike.
Ngjarjet e djeshme, për shkak të bekgraundit të dy deputetëve, janë përkthyer në opinion edhe si nisja e procesit të demkriminalizimit të Parlamentit të Shqipërisë. Partia Demokratike thotë se janë 19 deputetë me precedentë penalë. Nëse një numër i tillë është i vërtetë, termi mafie në politikë duket se në Shqipëri ka më shumë sens se kudo. Ndaj Llalla ka marrë misionin e një njeriu të drejtësisë që deri më sot s’e kemi pasur kurrë, atë të Kryeprokurorit Antimafia.
Qamil Xhani