Ku janë ambasadorët që në korrik 2016 dolën garant për Reformën në Drejtësi?
Shkatërrimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është një proces i rastësishëm, por një skenar i përllogaritur për ta çuar këtë gjykatë drejt kolapsit. Në deklaratën e Edi Ramës me “shejtanë” dhe “djepe bosh” ka dhe një problem parimor. Qeveria në këtë proces duhet të ishte asnjanëse, por Edi Rama dje u bë palë duke treguar se kjo situatë i leverdisë qeverisë së tij edhe për shumë muaj.
Kaosi me sistemin e drejtësinë në Shqipëri po trajtohet nga qeveria dhe disa ndërkombëtarë si një problem teknik. Vendi është pa Gjykatë Kushtetuese, e cila është baza e një sistemi demokratik. Në Republikën e Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese është pengesa e fundit dhe kryesore që ndalon abuzimet e qeverisë, por edhe roja e të drejtave të njeriut kur gjithë pjesa tjetër e sistemit nuk funksion. Prej disa javësh, në jemi e vetmja republikë parlamentare që nuk ka më institucionin që mban nën kontroll sistemin. Opozita e quan këtë që po ndodh si një grusht shteti dhe bllokim të kontrolluar të sistemit nga mazhoranca. Ndërsa qeveria, qëndrimin për këtë çështje e trajton njëlloj sikur të ishte bllokuar një drejtori e parëndësishme e një bashkie periferike.
Kryeministri Edi Rama u përgjigj dje pas shumë ditësh heshtje për kolapsin e drejtësisë duke bërë një koment që jo vetëm e legjitimon shkatërrimin e Gjykatës Kushtetuese, por la të kuptohet se kjo situatë do të vazhdojë për shumë kohë. “Më mirë djepi bosh se shejtani brenda! Ky pastrim është shpëtim për dekada e breza që vijnë, rilindja e këtyre gjykatave është vetëm çështje e më pak se një viti”, -deklaroi dje kryeministri me një ton sfidues ndaj opozitës. Por bllokimi i gjykatave nuk është një çështje që ka të bëjë vetëm me opozitën dhe nuk duhet parë vetëm si luftë politike. Askush nuk është kundër largimit të gjyqtarëve të korruptuar. Madje kur dalin fakte se mes juristëve ka dhe nga ata që kanë miliona të pajustifikuar me rrogën që marrin, patjetër që Vettingu duhet përshëndetur. Problemi është se gjithë procesi dukshëm është jo transparent dhe me selektime të emrave që duhet të kalojnë dhe të atyre që duhet të shkarkohen. Në emrat e larguar nga drejtësia ka jo pak fakte që flasin për dy standarde. Një gjyqtar që nuk justifikonte 3 milionë lekë nga pasuria u flak nga sistemi me shumë bujë, ndërkohë të tjerë me më shumë se 100 milionë lekë u inkurajuan për punën e mirë dhe u lejuan të vazhdojnë karrierën. Nisur nga kjo, shkatërrimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është një proces i rastësishëm, por një skenar i përllogaritur për ta çuar këtë gjykatë drejt kolapsit. Në deklaratën e Edi Ramës me “shejtanë” dhe “djepe bosh” ka dhe një problem parimor. Qeveria në këtë proces duhet të ishte asnjanëse, por Edi Rama dje u bë palë duke treguar se kjo situatë i leverdisë qeverisë së tij edhe për disa muaj. Sipas opozitës dhe kreut të PD, Lulzim Basha, bllokimi i sistemit është shpresa e Edi Ramës për të shpëtuar ministrat dhe kryebashkiakët që sot do të ishin para bankës së akuzuarave nëse prokuroria dhe gjykatat do të funksiononin.
Por në ato që thotë Edi Rama dhe Lulzim Basha sigurisht që gjithmonë do të ketë qëndrime politike. Qytetarët dhe opinioni sot nuk çuditet me ato që deklarojnë politikanët, por me ato që nuk thonë ndërkombëtarët. Në gjithë këtë kaos dhe lum akuzash politike mungojnë ndërkombëtarët. Reformën në drejtësi nuk e nisi as qeveria dhe as opozita. Platforma e reformimit të sistemit të korruptuar erdhi si një detyrë nga partnerët kryesorë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE. Dyshimeve të partive për një lojë politike dhe një skemë që do të kalonte drejtësinë në duart të partive u dolën garant diplomatët e SHBA dhe BE. Ambasadorët e vendeve respektive morën përsipër, në jo pak raste edhe më shumë sesa u takon sipas statusit të diplomatit, për të garantuar suksesin e reformës. Donald Lu dhe Romana Vllahutin ishin njerëzit që u bënë promotorët e votimit të saj, shpesh edhe duke kërcënuar hapur deputetët që kishin dyshime për pika të veçanta të kësaj reforme. Kur opozita thërriste se e votonte reformën, por disa nene në mënyrë diabolike po hartoheshin për t’i dhënë pushtet qeverisë dhe jo gjyqësorit, diplomatët e huaj ishin të kudogjendur për të thënë se ata ishin garantët se kapja e sistemit dhe kolapsi nuk do të ndodhte.
Por ata të dy ikën. Tani kush del garant? Apo sejcili në punë të vet?!
Sot jemi në fazën e parë të parashikimeve më të zymta të reformës. Fakti është se sistemi ka hyrë sot në kolaps dhe ambasadorët nuk po duken gjëkundi. Donald Lu dhe Romana Vllahutin, janë në ditët e fundit të misionit të tyre diplomatik në Tiranë dhe mbase axhenda e tyre është orientuar drejt vendeve ku do të shkojnë. Por kanë minimalisht një detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë që u premtuan reformë të ndershme që sot të flasin dhe t’u tregojnë se përse qeveria në vend të sillte drejtësi të re, e katandisi vendi në një shtet eksperimental pa gjykata. Dy vite më parë, me ndihmën e diplomatëve shoqëria civile zhvillonte protesta ku kërkohej votimi i reformës.
A mos duhet prapë të thërritet populli për të gjykuar ata që po kapin drejtësinë apo punuan për të futur këtë sistem drejtësie në duart e Edi Ramës?
Drejtësia ka nevojë seriozë për shkundje e pastrim, këtë e do çdo njeri në Shqipëri. Por nuk duhet që dora e një njeriu të fuqishëm të piketojë se si do të përzgjidhen emrat. Si rregull pushteti ekzekutiv nuk duhet të ketë fare punë me pushtetin gjyqësor. Ndërkohë këtu kryeministri vendos edhe mënyrën se si duhet të punojë gjyqësori. Ndaj mungesa e gjykatës kushtetuese është alarmante dhe heshtja e disa ambasadorëve për këtë çështje madhore të krijon përshtypjen se edhe ish-ministrin Tahiri ata e mbajtën në pushtet në kohën e kanabisit.
Q.Xhani