Ku je Opozitë?! Kryeministri Rama po tallet me ju!
Edi Rama vijon të qeverisë i qetë, të drekojë e darkojë me oligarkët, të bredhë me brekushe nëpër zyrat e BE dhe të tallet me opozitën që sot duket më e paqartë dhe më pa strategji se kurrë më parë. Opozita vetëm po lufton me “facebook’!
Basha dhe Kryemadhi deklaronin se në 6-mujorin e parë të këtij viti do ta rrëzonin kryeministrin. Opozita prapë premtoi se në muajin shtator do të niste revolucioni i vërtetë kundër qeverisë “Rama” dhe oligarkëve që mbajnë në këmbë një qeveri kriminale. Opozita u zotua se nëse kryeministri dështonte me negociatat me BE do ta përbysnin me forcën e popullit. Por asgjë nuk po ndodh! Edi Rama thotë prerë se nuk do të jap dorëheqje dhe as nuk ka ndërmend të bëjë zgjedhje të parakohshme. Atëhere pse na duhet opozita!?
Reagimi kombëtar që nisi pas djegies së mandateve u zbut vetëm pak para datës 30 qershor kur u mbajtën zgjedhjet e fundit moniste në vend. Aksioni opozitar u ndal çuditshëm me përbetimin solemn se në shtator Edi Rama do të marrë fund si qeveri. Shtatori iku, po ashtu dhe muaji tetor, kurse Edi Rama vijon të qeverisë i qetë, të bredhë me tuta nëpër zyrat e BE dhe të tallet me opozitën që sot duket më e paqartë dhe më pa strategji se kurrë më parë. Problemeve të qeverisë “Rama” ju shtua dhe damka e votimeve komuniste të 30 qershorit, e sikur të mos mjaftonte kjo, erdhi dhe refuzimi i negociatave duke e futur Shqipërinë në listën e vendeve që s’ka më as plan të integrohet në BE. E megjithë këto dështime dhe skandale, sjellja e opozitës ngjan vetëm me shprehjen “Dhe yjet rrinë dhe vështrojnë”. Lulzim Basha bërtiste që prej shkurtit të këtij viti se “Edi Rama është kupola e mafies”, se “Kryeministri i krimit bën siç e urdhëron oligarkia”, se “do ta rrëzojmë kryeministrin e krimit”, se “populli do ta zbojë këtë kryeministër”, se “nëse nuk merren negociatat do ta rrëzojmë Ramën”, etj, etj. Lulzim Basha thirri popullin në protesta dhe duhet pranuar se numri i pjesëmarrësve ishte nga më të mëdhatë e këtyre 29 viteve, ku në disa mitingje kapi shifra edhe 150 mijë veta, një numër që fshinte çdo qeveri të korruptuar. Por lideri opozitar, në mënyrë të pakuptimtë, nuk i linte të bënin rezistencën e një populli të tradhtuar nga Edi Rama, por i lodhte nëpër xhiro të pakuptimta nëpër Tiranë, aqsa u kthye në barsoletë se “i sjellin për xhiro në Tiranë”. Një opozitë serioze, e cila ka bindjen se kryeministri është pjesë e mafies dhe grupeve kriminale që vjedhin edhe votat, nuk heziton ta rrëzojë qeverinë me gjithë fuqinë e shpirtit njerëzor opozitar. Por edhe pasi negociatat nuk iu dhanë Shqipërisë, edhe pasi bërtasin partitë opozitare se “fajin e ka kryeministri” përsëri nuk e thërrasin popullin në demonstratë. Edhe kur këto ditë, që fatmirësisht moti ishte tamam për protesta ideale antiqeveri, opozita vetëm shkruan në Facebook. Asnjë thirrje për protestë nga PD dhe LSI! Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, si dy përgjegjësit kryesorë të popullit opozitarë, nuk kanë bërë asnjë thirrje për protestë antiRama, aq më tepër se zhgënjimi popullor është i tmerrshëm nga varfëria, nga mungesa e shtetit ligjor, nga mungesa e gjykatave, nga ikja e njerëzve drejt emigracionit, nga mungesa e lirisë së mendimit, nga krimi dhe oligarkia që ka uzurpuar gjithçka.
Pasi opozita ka bërë gjithë këto denoncime dhe thotë gjithë ditën “shteti ka rënë” nuk mund t’u thuash qytetarëve, prisni se duhet të bëjmë me nge reformën zgjedhore. Sigurisht që kodi elektoral dhe rregullat e lojës në një garë janë të rëndësishme, por kjo është një tezë që vlente të diskutohej kohë më parë, jo në situatën që ndodhet sot vendi. Meqënëse ndërkombëtarët e kanë merak këtë pjesë, opozita le të dorëzojë një orë e më parë propozimet e saj të qarta, siç i do OSBE, dhe të kërkojmë miratimin me urgjencë nga Edi Rama. Çdo humbje kohe me muaj dhe vite nuk ka asnjë sens dhe është vetëm lojë për të tërhequr vëmendjen. Reforma zgjedhore, kur i është dashur Edi Ramës, është miratuar dhe brenda një nate, ndaj çdo sorollatje sikur po bëjnë shpikje është vetëm tallje me opozitën dhe qytetarët. Për më tepër edhe sikur opozita të propozojë formulën me ideale të reformës zgjedhore, sërish do jenë në dorë të humorit të Edi Ramës dhe “gjeneralit” Kujtim Gjuzit. Ndërkohë qytetarët që po provojnë vetë në kurriz se në çfarë situate po jetojnë, nuk kanë kohë presin sa opozita të zgjidhë hallet me reformat dhe të mendohet. Me këtë strategji pa strategji të opozitës, ata ose kanë nisur të mos i besojnë më, ose po shohim të ikin nga ky vend një orë e më parë. Nuk mjafton të thërrasësh në ditë në media dhe rrjete sociale “shteti ka rënë”, pasi sado e vërtetë të jetë kjo, Edi Rama dhe gjithë problemet që ka sjellë qeverisja e tij vijojnë të jetë ende në këmbë.
Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kanë detyrimin t’u shpjegojnë shqiptarëve se pse po heshtin para një qeverie, të cilën duhej ta kishin zbuar më kohë!