Ku po shkon çifti Rama-Meta?

 

Ata që e njohin politikën që nga koha e konflikteve të para Nano- Meta e dinë se kreu i LSI-së ka përdorur gjithnjë të njëjtën taktikë: nëse ai do të arrijë një qëllim ai nuk ia thotë hapur asnjëherë këtë gjë partnerit apo kundërshtarit të tij. Taktika e tij është tjetër: e rrethon targetin e tij me thashetheme, fjalë, klimë politike të veçantë, deri sa arrin prej tij atë që kërkon.

Kështu po ndodh edhe tani me dyshen Rama-Meta. Kryeparlamentari ka vënë në punë një ushtri të tërë, vetëm për të treguar se ai është hatërmbetur me kryeministrin. Sinjalet janë të dukshme. Më shumë se një botues mediesh, që ka lidhje me të dyja krahët, flet se Meta i ankohet për Ramën. Shenjat janë dhënë edhe në publik nga zëra që nuk flasin kollaj pa miratimin e Metës. Fari Balliu, PD-isti që nuk e ka tradhtuar asnjëherë atë që prej vitit 2000, hodhi i pari në publik tezën e mosmbylljes së dyerve për LSI-në. Edhe gazetari dhe analisti Lorenc Vangjeli që punon si këshilltar i krye parlamentarit e ka pranuar “me leje” tezën se Rama dhe Meta janë ftohur: “Dy drejtuesit e koalicionit të majtë nuk duket se janë në ditët më të mira të miqësisë së tyre politike” shkroi ai për Java.

Pasi ka krijuar këtë atmosferë në publik Meta nuk ka qëndruar dot pa i hedhur edhe vetë benzinë zjarrit. Mëse njëherë kreu i kuvendit është munduar të krijojë distancë, jo vetëm me batutat e rimara gjërësisht nga shtypi se këto ditë vape nuk e kanë ngrohur me Ramën, por edhe me qëndrime konkrete. Fillimisht ai e sulmoi qeverinë për takstat duke pranuar një gjë që gjithkush e ka të vështirë ta pohojë në mazhorancë: Që ato nuk po krijojnë punësim. Një deklaratë e fortë e Ilir Metës ishte edhe ajo që i përgjigjej kryeministrit dhe ambasadores së BE-së në Tiranë Romana Vlahutin kur thoshte se reforma në drejtësi mund të bëhet edhe pa opozitën.  Ai ka afruar gjithashtu edhe qëndrimin me PD-në porsa i përket procesit të dekriminalizimit duke mohuar në mënyrë të tërthortë deklaratat e kryeministrit se në grupin parlamentar të PS-së nuk ka të papastër.

Në fakt e gjithë kjo “mëri” ka buruar pas rezultatit të zgjedhjeve lokale dhe dështimit të LSI-së në ato zona ku tentoi të krijonte bastionet e saj (Lezhë, Vorë, Gjirokastër). Dhe Meta filloi ti shfrytëzonte këto dështime për të akuzuar PS-në dhe Ramën se e kishin tradhtuar. Pa përfillur se të njëjtën llogjikë mund ta përdornin edhe socialistët (në shumë vende edhe kandidatët e tyre morën më pak vota sesa koalicioni që i bie se edhe LSI e paskësh lënë në baltë PS-në) Meta u përpoq ta përdorte këtë fabul për të shtuar presionin ndaj partnerit.

Dhe duhet thënë jo pa sukses. Sot brenda opozitës është rihapur debati i një bashkëpunimi të mundshëm me LSI-në. Përpos Fahri Balliut, një tezë të tillë e ka hedhur edhe kreu republikanFatmir Mediu. Por nga ana tjetër janë ata që i qëndrojnë deklaratës së kreut të PD-së, Lulzim Basha bërë në mars të këtij viti në emisionin “Opinion”: “sa të jem unë në krye të PD-së kurrë nuk do të ketë koalicion me LSI-në”. Në këtë logjikë foli së fundi edhe deputetja e kësaj partie Albana Vokshi.   ”…Them se kryetari Basha e ka bërë të qartë qëndrimin e tij dhe të PD-së në raport me LSI-në. Humbja e zgjedhjeve të fundit ka prodhuar si emergjencë një qëndrim përfundimtar, të kthjellët, në raport me frontin e LSI-së. Janë jo të pakta kostot politike, që ne si PD mbajmë në elektorat madje dhe tek anëtarët tanë, nga bashkëqeverisja me LSI-në në katër vite në qeverinë tonë…”, tha ajo në një intervistë për Mapo. Më parë numri dy i kësaj partie Arben Ristani e fshikulloi keq sapo Meta bëri deklaratën për taksat. “Ironi e gushtit kjo kur flet për taksat abuzuesi më i madh i fondeve publike, shpërdoruesi më i madh i taksave në vend” deklaroi Ristani.  Një gjuhë të ngjashme përdori edhe shefi i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka. “LSI absolutisht është partia që më shumë se kushdo tjetër ka dëmtuar votën e lirë dhe demokracinë shqiptare. Kështu që nuk besoj se dikush duhet të ketë iluzionin që PD do të bashkëpunojë me LSI-në, si një parti që është damkosur tashmë si armike e votës së lirë” ka deklaruar ai.

 

Por një lëvizje koalicionesh ka pak gjasë që të ndodhë. Debati për të është më shumë një zhurmënaje e prodhuar nga vetë Meta me një qëllim të përcaktuar. Ti bëjë presion Edi Ramës. Ashtu si edhe gjatë bashkëqeverisjens me Berishën, Ilir Meta dhe LSI-a e kanë treguar qartë, se ata nuk shqetësohen për problemet reale të vendit, por për rritjen e çmimit të tyre politik edhe financiar. Ndaj dhe sot, kur flet për taksat, dekriminalizimin, reformën në drejtësi, apo punësimet Meta nuk e ka seriozisht. Qëllimi i tij është rritja e pazarit.  Dhe ky pazar për Ilir Metën ka rënë.

Së pari politikisht. Me koalicionin e fundit që i ngjante më shumë një kulle Babiloni sesa një koncepti politik, Rama arriti të sigurojë një shumicë të thjeshtë prej 72 votash në parlament.

Së dyti financiarisht. Ndërsa ai i ka hapur portën klientëve dhe miqve të tij, të konrollojnë nga tregu i karburanteve deri tek ai i bizneseve shëndetësore, kryeministri po godet të gjeneruesit e fondeve sipas mënyrës së LSI-së (shitja e vendeve të punës së mësuesve, recetat fallco etj) duke dhënë sinjalin se LSI nuk mund të vjedhi më shumë sesa duhet. 

Pikërish ky është edhe problemi real i çiftit Rama-Meta.

Po pyetja që shtrohet është: a mund ta rrezikojë ai koalicionin katër vjeçar të vëllezërve armiq të së majtës? Një përgjigje për këtë e ka Spartak Ngjela: “Koalicioni është pa të ardhme. PS-LSI është një koalicion pa vlerë, pasi janë bllokuar reformat dhe nuk ka pasur barazi politike, që në momentet e nisjes. LSI i ka marrë PS ministri të rëndësishme si atë të Transporteve, të Bujqësisë. Ky është koalicion me fund të shpejtë. Në këto kushte, PS është e rrezikuar në vitin 2017. Pse nuk e ka zgjidhur Rama këtë? Është paaftësi politike. Rama nuk është politikan. Të shohim ç’do të bëjë”, thote  avokati.

Po a i ka mërrë masat Rama ndaj një shantazhi të Metës? Një politikan që ka një njohje aq të mirë të së majtës sa çka edhe vullnet për të bërë diversion brenda saj, është i bindur që po. Madje Kastriot Islami shkon edhe më tej.  “Marrëdhëniet PS-LSI duken së jashtmi të “ftohta” por ato janë “shumë të tensionuara” nga brenda”, ka thënë ai për Panorama.  Sipas tij Rama kërkon “t’i shpëtojë sulmit të partnerëve për “de-oligarkizimin” e “grupit e të qeverisjes se tij” dhe ka kohë që përgatitur “skenarin back-up” kundër LSI. Pra sipas tij kjo lojë do të përfundojë jo me goditjen e Metës nga Rama ashtu ciç ka ndodhur historikisht me ta, edhe në vitin 2001 edhe në vitin 2008 ku gjithmonë i gjati i ka bërë dajle aleatit të tij të vogël.

Këto janë pra skenarët që shtrohen përpara koalicionit PS –LSI. Ose që Rama ta bëjë kokë turku Metën duke humbur aritmetikisht, por duke shpresuar që kjo humbje ti shndërrohet në pëlqyeshmëri publike, ose që ky i fundit ti shkojë deri në fund “qevmbetjeve’ të tij, që tani për tani i ndan vetëm me botuesit dhe analistët dhe ta prishë koalicionin.

Por përpos këtyre dy varianteve ka edhe një të tretë në praktikë më të mundshëm. Që Rama ti besojë më shumë aritmetikës sesa riskut. Që Meta ti harrojë mëritë dhe të ulë pazarin duke qëndruar për katër vite në koalicion. Pra të sillet siç u soll me Sali Berishën duke shpënë deri në fund “kontratën” pavarësisht nga kostoja e saj.

Ky është varianti më i besueshëm edhe për një arsye tjetër: se Ilir Meta ka treguar se nuk prish koalicion për parime, pa e vjelur deri në pikën e fundit, “kontratën” 4 vjeçare të pushtetit. (lapsi)

SHKARKO APP