Kujdes! Po mbërrin SPAK-u dhe BKH

 

Reforma në drejtësi ka një pikë kryesore: luftën ndaj korrupsionit në nivelin e lartë të zyrtarëve. Pikërisht e keqja janë zyrtarët e lartë të korruptuar, por që nuk ndëshkohen asnjëherë.  Për këtë qëllim në platformën e hartuar nga ekspertët është vendosur krijimi i një njësie të veçantë anti-korrupsioni që do të ketë në shënjestër zyrtarët e lartë të shtetit, prokurorët dhe gjyqtarët. Njësia do të quhet SPAK (Strukturë e Posaçme Anti-Korrupsion) dhe është huazuar nga modeli i vendeve të tjera të rajonit. Një strukturë e ngjashme u krijua në vitin 2001 në Kroaci, USCOK (Byroja Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar), e cila mundësoi dënimin e disa ish-ministrave dhe ish-kryeministrit të këtij vendi.

Dje në Korçë u zhvillua tryeza e radhës e konsultimeve për reformën në drejtësi, ku ekspertët që kanë hartuar platformën e cila pritet të votohet brenda muajit dhjetor nga Parlamenti, prezantuan detajet e funksionimit të kësaj njësie anti-korrupsion. Prokurori i Krimeve të Rënda, Enrik Ligori tha gjatë takimit se ngritja e kësaj zyre ka si qëllim hetimin e korrupsionit tek zyrtarët e lartë të shtetit.Sipas tij, me shfuqizimin që do t’i bëhet juridiksionit të Gjykatës së Lartë për hetimin e zyrtarëve, kjo strukturë lejon hetimin e hollësishëm të të gjitha rasteve në administratë. “Krijimi i SPAK-ut jep mundësi reale për të hetuar, por nga ana tjetër edhe për t’u hetuar. Mekanizmi funksionon në mënyrë të tillë që edhe këta mund të kontrollohen. Target i saj do të jenë hetimet e zyrtarëve të lartë të shtetit dhe me shfuqizimet e juridiksionit fillestar të Gjykatës së Lartë edhe ministrat, deputetët të jenë pjesë e hetimit të saj”, – tha Ligori.

Por si do të funksionojë kjo strukturë dhe cilët do të jenë njerëzit që do të marrin përsipër drejtimin e saj? Në dokumentin e propozuar nga ekspertët thuhet se kjo strukturë duhet të ketë prokurorët specialë dhe gjykatësit specialë për rastet e korrupsionit. Pesha kryesore në këtë strukturë do të jetë në dorë të prokurorëve që do të zhvillojnë hetimet. Struktura e prokurorëve do të ndërtohet në mënyrë të tillë që askush të mos jetë në krye të hierarkisë dhe të mos ketë në dorë pushimin apo devijimin e hetimeve. Nga ana tjetër, një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet zgjedhjes së njerëzve që marrin pjesë. Sipas dokumentit, prokurorët dhe gjyqtarët do t’u nënshtrohen në mënyrë rigoroze kontrolleve. Çdo vit do verifikohet pasuria e tyre dhe e të afërmve të tyre. Përpara marrjes së detyrës do të ketë raporte të hollësishme nga shërbimet për veprimtarinë e tyre dhe karakterin moral. Pika kryesore e dokumentit thekson se juristët që do jenë pjesë e kësaj njësie nuk duhet të kenë asnjë të dhënë negative, apo dhe dyshime për korrupsion dhe përfshirje në veprimtari kriminale. Ndërkohë, me emërimin në detyrë u jepen garanci ekstra që jeta e tyre të mos jetë e kërcënuar për shkak të punës që bëjnë. “Struktura duhet të jetë e qëndrueshme, në mënyrë që gjyqtarët dhe prokurorët të mos lëvizen, penalizohen apo të ndihen në rrezik për shkak të hetimeve apo çështjeve. Këta funksionarë do t’i nënshtrohen kontrollit të së shkuarës së tyre dhe duke qenë objekt i monitorimit të vazhdueshëm, sikurse ndodh në zyra të suksesshme në disa vende të rajonit”, – thuhet në dokument. Paga e prokurorëve dhe gjyqtarëve të SPAK-ut do të jetë në nivele të larta. Për t’u ardhur në ndihmë prokurorëve dhe gjykatësve të SPAKU-t do të jetë edhe një polici speciale, e cila do të jetë në varësi të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), edhe ky një institucion i ri kushtetues që do të ngrihet pas miratimit të reformës në drejtësi.  Edhe BKH mendohet të jetë organ hetues që do të plot punë në dokumentimin e çdo gjëje kriminale e antiligj.

Si do të kryhen hetimet? Veç ngritjes së kësaj strukture me njerëz të zgjedhur dhe pa rekorde negative në sistemin e drejtësisë, platforma parashikon dhe ndryshime ligjore ne hetimin e dënimin e korrupsionit. Ndryshimet kanë të bëjnë me metodën e sigurimit të provave për zyrtarët e lartë të korruptuar. Në dokument pranohet se për hetimet do të përdoren agjentë provokues, dëshmitarë anonimë dhe të mbrojtur, si edhe nxitja e shtetasve të bashkëpunojnë në hetime duke kryer veprime simuluese. Ligji do të vendosë dhe rregulla për përgjimin e zyrtarëve ku përfshihen përgjimet telefonike, përgjimet ambientale dhe përgjimet e komunikimeve elektronike. Sipas projektit, këta prokurorë do të kenë leje të pakufizuar në të dhënat telefonike dhe elektronike. Një ndryshim tjetër ligjor do të jetë dhe ai i shpërblimit me para për personat që denoncojnë rastet e korrupsionit të zyrtarëve. 

Dokumenti është ende një platformë dhe nuk dihet nëse PS, PD dhe LSI do të bien dakord për miratimin e tij në Kuvend. Realisht, edhe më parë ligjet për hetimin dhe dënimin e korrupsionit nuk kanë munguar. Por më shumë se kaq, ka munguar vullneti politik dhe gjetja e njerëzve me integritet moral që të vënë pas hekurave politikanët. Por krijimi i një strukture të tillë, realisht u jep prokurorëve dhe gjyqtarëve gjithë pavarësinë e duhur ligjore për të vënë pas hekurave edhe zyrtarë të lartë.

Mbetet të shihet nëse politikanët janë të gatshëm të votojnë një njësi të tillë që nesër mund t’u “hajë” dhe kokat e tyre. Në këtë rast do shikohet se sa janë të pastër politikanët dhe sa frikë do kenë nga SPAK-u. Por aty afër do kenë edhe BKH!

SHKARKO APP