Kulaçi dhe kërbaçi !

Afrimi i datës 21 korrik, e cila është vendosur dhe si afati i fundit për miratimin e reformës në drejtës, ka shtuar përpjekjet e palëve për të gjetur konsensus. Pas disa ditësh bllokim të negociatave, kryetari i Partisë Demokratike, Luzlim Basha, njoftoi dje se ka një propozim të ri për konsensus. Ai tha se formula e re e propozuar nga demokratët u qëndron rekomandimeve të nenit 88 të Komisionit të Venecias dhe kënaq edhe kërkesat e Partisë Socialiste për mosvendosjen e vendeve të rezervuara.

Edhe pse detajet e propozimit nuk janë bërë publike zyrtarisht nga PD-ja, mësohet se formula e opozitës parashikon ngritjen e një komisioni “ad hoc” parlamentar. Ky komision do të ketë përfaqësim të barabartë, 50 për qind nga opozita dhe 50 për qind nga mazhoranca dhe me votë të fshehtë përzgjedh anëtarët e organeve të “Vetting”-ut, që do kontrollojnë figurën e juristëve të rinj.

Në propozimin e PD mbetet e paqartë se çfarë roli do të luajnë misionet ndërkombëtare në operacionin e “Vetingut” për sa kohë që përzgjedhja e gjyqtarëve u kalon në dorë partive 50 me 50. Lidhur me këtë fakt, Basha tha dje se operacioni ndërkombëtar i Vetingut do të ketë vetëm ato kompetenca që u jep Komisioni i Venecias. Kjo formulë i është propozuar Partisë Socialiste që më datën 24 qershor. Dje zyrtarë të PS-së nuk pranuan të komentonin ofertën e re të opozitës. Asnjë fliste nga PS, pasi dyshja Rama-Xhafa janë duke menduar të jetë dakort për të variant të ri.

 Nga ana tjetër edhe Partia Socialiste këto ditë ka propozuar një tjetër variant për zgjidhjen e ngërçit politike. Propozimi i PS-së njihet me termin “Votë e transferueshme” dhe është për lënien e hapësirave të partive në zgjedhjen e anëtarëve të komisioneve të “Vetingut”, por jo duke u caktuar atyre mandate direkte nga partitë politike. Ky propozim i PS-së, sipas kreut të opozitës Lulzim Basha nuk është i ri dhe është rrëzuar një muaj më parë.

Dy qëndrimet e fundit të partive dëshmojnë se negociatat kanë nisur në mënyrë të ethshme mes të dy kampeve. Por më shumë se dëshirë e palëve, është një presion i ndërkombëtarëve që PS dhe PD të gjejnë konsensusin sa më parë. Duket se kjo është një strategji e ambasadorëve të BE dhe SHBA në Tiranë për t’i detyruar palët që të mos humbasin më kohë, duke i joshur partitë që të hedhin për diskutim çdo mundësi konsensusi.

E ndërsa konsensusi shihet si varianti më i mirë i datës 21 korrik, veç “kulaçit” ndërkombëtarët po përdorin edhe “kërbaçin”. Gjatë ditëve të fundit, Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu ka shpeshtuar takimet me deputetët e Partisë Demokratike. Ish-ministrja e Integrimit, Majlida Bregu ishte deputetja e radhës e PD-së që u fotografua dje në një takim me kryediplomatin e SHBA në Tiranë. Ndërkohë që takime të tilla janë zhvilluar dhe me deputetët Eduard Selami e Astrit Patozi. Qëllimi i takimeve ka qenë jo vetëm diskutimi në parim i reformës, por edhe një kërkesë tashmë e hapur e diplomateve për deputetët e PD-së ku me 21 korrik të japin votën për reformën, nëse negociatat mes PD dhe PS nuk do të prodhojnë konsensus. Veç tre deputetëve në fjalë ka pasur dhe takime të tjera jo publike mes diplomatit të SHBA dhe ligjvënësve të PD-së. Ky është varianti rezervë i diplomatëve për reformën dhe që po përdoret si presion ndaj drejtuesve të PD në rast se nuk japin konsensus.

Ndërkohë më 10 korrik,Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Victoria Nuland do të vizitojë Shqipërinë. Axhenda e saj ka si pikë kryesore miratimin e reformës në drejtësi dhe do të takohet me drejtuesit kryesor të partive politike në vend.

Deri më 21 korrik ndërkombëtarët po i përdorin të gjitha mënyrat për të afruar palët, që nga presioni për votim individual dhe deri të takimet që synojnë të gjejnë konsensus.

Nuk dihet nëse Berisha e pranon “kulaçin” pasi më pas atij i fillon “kërbaçi” nga reforma. Një gjë të sigurtë thonë në selinë blu se “asnjë “kulaç” nuk e hamë, duke mos llogaritur “kërbaçin” të cilin e njohim mjaft mirë që nga viti 1990”.

 

SHKARKO APP