Kur do ta rrëzosh Kryeministrin, Opozitë?
-Nëse opozita thotë se nuk futemi në zgjedhje me këtë kryeministër, nëse opozita deklaron se duhet të bëjmë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe ato vendore në një ditë, pra me 30 qershor 2019, nëse kryeministri lajmëroi shpalljen të pafajshëm të ish-ministrit Tahiri, nëse PD-LSI bërtasin se bandat e drogës bashkëdrejtojnë me Edi Ramën, nëse ulërin selia blu dhe LSI se Rama po i jep koncensione dhe tenderime një grupi oligarkësh; atëhere opozita duhet të organizojë PROTESTEN FINALE. Në të kundërt të rrijë e të presë vitin 2021, me sytë nga viti 2025!
Pas disa ditë heshtje, Lulzim Basha është rikthyer dje në skenën politike me akuza të rënda ndaj qeverisë për lidhje me krimin dhe me qëndrime të ashpra kundër kryeministrit Edi Rama. I pranishëm në protestën disa ditore të banorëve në zonën e Unazës së Re që rrezikojnë banesat nga projekti i qeverisë, Lulzim Basha deklaroi se është koha që të nisin tubimet masive kundër këtij kryeministri të lidhur me bandat kriminale. Duke e cilësuar si të paligjshme çdo vendimmarrje të qeverisë, Lulzim Basha deklaroi se e vetmja gjë e ligjshme në ditët e sotme janë protestat që zhvillojnë banorët. “Shteti ka shkelur ligjin, ministritë kanë shkelur ligjin, kryeministri ka shkelur ligjin, policia ka shkelur ligjin. E vetmja gjë e ligjshme këtu është protesta e këtyre njerëzve për të mbrojtur shtëpitë e tyre. Është një e drejtë kushtetuese, e pamohueshme dhe e patjetërsueshme. E vetmja gjë e ligjshme këtu, është rezistenca e tyre.”- u shpreh Basha.
Kreu i PD-së bëri thirrje që qytetarët të mos lënë banorët e Unazës së Re, të vetëm. Ai deklaroi se shumë shpejt ajo që po ndodh me rreth 200 banesa në Tiranë mund të ndodhë në oborrin e qytetarëve të tjerë. “Thirrja për shqiptarët është: Mos prisni t’ju vijë e keqja në pragun e shtëpisë tuaj! Mbroni veten tuaj duke u bërë barrikadë kundër kësaj të keqeje që po ndodh këtu. PD do të vazhdojë të mbështesë të drejtat e qytetarëve dhe është e vendosur që bashkë me qytetarët të shporrë bandën që ka zaptuar qeverisjen dhe të rivendosë shtetin ligjor”,- deklaroi kreu i PD-së Lulzim Basha.
Ajo që bie në sy në reagimet e kreut të PD-së është se me gjithë skandalet e mëdha të muajve të fundit, vetëm dje u kujtua të përmend fjalën “protesta”. Pardje Edi Rama shpalli të “pafajshëm Saimir Tahirin”, madje i sugjeroi opozitës dhe medias që t’i kërkojnë falje. Gjykata ende nuk ka folur, por përderisa kryeministri e dha verdiktin nuk pritet që gjyqtarët të rrezikojnë karrierën dhe ti dalin kundër kreut të qeverisë. Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, u “shkarkua” me dorëheqje në mes të aksionit më të rëndësishëm kundër krimit dhe PD-ja në vend t’i kërkonte llogari kryeministrit se përse ndaloi operacionin e policisë, mburrej se Xhafaj iku nga presioni i PD. Kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako u kap në përgjime me të arrestuarit e bandës së Shijakut. Sot jo vetëm nuk ka ndonjë hetim nga prokuroria, por gjysma e PD është paditur për shpifje, po nga Dako, i cili edhe i kërcënon që të “mos shkelin më në Durrës”. Këto ditë, Qeveria dhe PS po sillen sikur të kenë në mendje një skenar që ngjan me grusht shteti duke kërcënuar Presidentin për dekretin e një ministri dhe ende nga PD nuk ka një zë serioz që të thotë një qëndrim të qartë. Foli ish-kryeministri Berisha, por nuk është zë zyrtar, ndonëse ka peshë në selinë blu.
Nëse opozita thotë se nuk futemi në zgjedhje me këtë kryeministër, nëse opozita deklaron se duhet të bëjmë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe ato vendore në një ditë, pra me 30 qershor 2019, nëse kryeministri lajmëroi shpalljen të pafajshëm të ish-ministrit Tahiri, nëse PD-LSI bërtasin se bandat e drogës bashkëdrejtojnë me Edi Ramën, nëse ulërijnë se po jep koncensione dhe tenderime një grupi oligarkësh; atëhere opozita duhet të organizojë protestën finale. Në të kundërt të rrijë të presë vitin 2021, me sytë nga viti 2025!
Opozita është mision, është forcë, është program për një qeverisje me të mirë. Ndaj Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi nuk duhet të mendohen se kur e si do të bëjnë Demonstratën, e cila do të sjellë krizë politike duke e detyruar kryeministrin të largohet e duke shkuar në zgjedhje me një qeveri teknike. Ata duhet të vendosin datën e fillimit të fundit të kryeministrit.
Të detyrosh Edi Ramën të ikë duhet forcë, pjesmarrje dhe vendosmëri. Në protestën finale nuk u duhet thënë, protestuesve se “tani ju falenderojmë për pjesmarrjen, ndaj shpërndahuni në ship”, por duhet rezistencë, përballje dhe në emër të luftës kundër krimit qeveritar, edhe përplasje.
Kështu rrëzohet Edi Rama, ndryshe ai darkon i qetë dhe tallet live me këdo që e kritikon, ndonëse i pirë, prapë e gjen udhën për në qeveri e për të drejtuar me arrogancë.
Opozita ndodhet para vendimit për fatin e saj politik dhe për fatet e vendit. Sa më shumë vonon, aq me shumë të çara opozitare apo miklime financiare do të gjejë kryeministri. Edi Rama nuk ka frikë as nga facebook, pasi flet nga e shkruan nga makina e tij, ku siç thotë Ylli Manjani, i del për dreq edhe leshi i hundës si lesh derri. Edi Rama nuk ka ndrojtje nga krejt opozita për duel fjale. Ai ka frikë dhe ikën vetëm nga protestat e njerëzve të vendosur për të sakrifikuar e që janë pasionantë për të hyrë në zyrën e Ramës ku janë “pikturat” e tij.
Opozita nuk ka zgjidhje tjetër. Në të kundërt të shkrihet për tu rikrijuar nga fillimi.