Kur ngrihet Tirana, bien tiranitë!
-Artistët që folën në protestë theksuan se me shembjen e Teatrit u rrëzua edhe përralla rilindase për Reformen në Drejtësi sepse SPAK-u nuk reagoi ndaj këtij akti makabër dhe korruptiv të qeverisë, ku duhej të kishin firmosur arrestime VIP. Ndërkohë artistët edhe pse të rrahur, të keqtrajtuar, të mbajtur në burg dhe të poshtëruar nga qeveria, nuk e përdorën protestën për revansh dhe dhunë. Ata e rrëzuan qeverinë me shpirtin dhe kulturën e tyre.
Qytetarët e Tiranës, si rrallë herë në historinë e kryeqytetit, kanë dalë dje në shesh për të dënuar shembjen e Teatrit Kombëtar. Thirrjes së Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar për të zhvilluar një manifestim proteste ju përgjigjen dhjetëra mijëra qytetarë, të indinjuar nga aktet e qeverisë për shkatërrimin e kulturës kombëtare, si dhe nga dhuna barbare ndaj artistëve dhe të rinjve. Në protestë ishin edhe përfaqësues të opozitës, PD, LSI dhe partive të tjera të Frontit Opozitar, por tubimi organizohej nga Aleanca dhe artistët që prej 3 vitesh kërkojnë mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Opozita thirri mbështetësit e vet në takim, por tubimi i djeshëm u provokua dhe ndalua në mënyrë antiligjore nga ana e qeverisë. Me mijëra qytetarë të nisur nga Korça, Elbasani, Gjirokastra, Shkodra, Kukësi, Fieri, Vlora dhe qytete të tjera u ndaluan në hyrje të Tiranës. Me justifikimin e pandemisë së koronavirusit, Policia e Shtetit qëllimisht ndaloi qytetarët të vinin në tubimin për Teatrin Kombëtar. Denoncimet e qytetarëve për ndalime flagrante të lëvizjes janë pa fund dhe u publikuan dje në media. Ndalimi i qytetarëve është dëshmi e sjellës anti-ligjore, por edhe frikës që qeveria ka nga protestat dhe tubimet.
Pavarësisht se tubimi u provokua dhe qeveria përdori çdo mjet për të ndaluar qytetarët, manifestimi ishte madhështor. Pjesëmarrja këtë herë në protestë nuk ishte nga rrethet, por nga kryeqyteti. Jo se nuk donin qytetarët e rrethëve, por nuk u lanë të vijnë. Historia politike e 30 viteve të fundit tregon se banorët e Tiranës, në masë, refuzojnë përfshirjen në manifestime. Shumë rrallë qytetarët nga Tirana bëhen pjesë e tubimeve, protestave dhe manifestimeve kundër qeverive. Historia 30-vjeçare e pluralizmit na tregon se kur dalin banorët e Tiranës në protestë, keqeverisja ka arritur atje ku nuk mban ma shpirti dhe nuk flitet më për shtet, por për regjim. Shembja e Teatrit Kombëtar, identitet i Tiranës dhe gjithë vendit ka prekur derdhur dhe pikën e fundit të durimit qytetar. Dhuna ndaj vajzave, grave, të rinjve dhe mediave janë dëshmia e sjellje barbare që tashmë nuk kërcënon vetëm opozitarët, por çdo qytetarë që ka zgjedhur të jetojë në këtë vend. Ndaj dhe tubimi i djeshëm i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit ishte një manifestim i qytetarëve që nuk pranojnë një qeveri që u shemb identitetin dhe i dhunon barbarisht. Shpërthimi i banorëve të kryeqytetit dhe mbushja e shesheve është sinjali vendi se po kërcënohet nga tirania. Pjesëmarrja masive tregoi dje se Tirana nuk i pranon tiranët.
Veç pjesëmarrjes, manifestimi i djeshëm kishte dhe mesazhe të forta për një ringritje themeleve të shtetit dhe demokracisë së rrënuar në vend. Shembja e Teatrit Kombëtar tregoi se pushteti i korruptuar nuk ndalet para asgjëje dhe institucionet janë kthyer në shërbëtor të një bande të rrezikshme. Përdorimi politik i policisë, manipulimet në Këshillin Bashkiak, heshtja e organizatave të shoqërisë civile dhe diplomatëve, blerja e mediave dhe heshtja e turpshme e një pjese të vogël të vetë artistëve përballë krimit kulturor, treguan se shoqërinë dhe shtetin mund ta shpëtojnë vetëm qytetarët duke reaguar. Artistët që folën në protestë theksuan se me shembjen e Teatrit Kombëtar u rrëzua edhe përralla rilindase për Reformën në drejtësi, sepse SPAK nuk reagoi ndaj këtij akti makabër të qeverisë. Dështimi i gjithë institucioneve dhe ulja në gjunjë para krimit e bënë të domosdoshme vijimin e protestave për rikthimin e ligjitimitetit në vend dhe ndëshkimin e autorëve të krimit kulturor.
Protesta e djeshme nuk është e fundit dhe të mërkurën njerëzit do të jenë sërish në shesh. Por protesta duhet vlerësuar edhe si një një leksion qytetarie për gjithë shqiptarët. Artistët edhe pse të rrahur, të keqtrajtuar, të mbajtur në burg dhe të poshtëruar nga policia dhe qeveria, nuk e përdorën protestën për revansh dhe dhunë. Edhe pse krimi që është bërë mbi ta justifikon çdo formë reagimi ndaj një regjimi, dje ata treguan se forca e tyre është qytetaria dhe mbështetja e njerëzve, ndërsa përballë kanë talebanët që forcën e kanë te dhuna dhe të armët.
M. Xhani