Kurthi i PS dhe kryeministrit për komisionin e Venecias

-Anëtarët e komisionit të Venecias që erdhën në Tiranë me kërkesë të Ylsi Manjës së PS, a ranë në kurth pa dashje apo ndonjë gjë rilindase kanabiste i ka furnizuar?!

Pas zhurmës së sponsorizuar nga Partia Socialiste për projekt-opinionin e Komisionit të Venecias, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka sqaruar dje në një letër publike gjithë keqkuptimet e lindura nga ky dokument.

Në letrën që kreu i shtetit shqiptar i dërgon Presidentit të Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio, paraqiten në mënyrë të detajuar argumentet ligjore ku është mbështetur kreu i shtetit në anulimin e 30 qershorit, si dhe faktohen mospërputhje të dokumentit të Venecias me zhvillimet në Shqipëri. Kreu i shtetit vlerëson se qëndrimi i ekspertëve të Venecias për aktet e kreut të shtetit, lidhur me anulimin e 30 qershorit është, në disa raste, kontradiktor, i pabalancuar në paraqitjen e fakteve dhe ka tejkaluar kompetencat e një misioni këshillimor. Nga ana tjetër, kreu i shtetit duke ju referuar dhe takimit që ka pasur në Tiranë me ekspertët e këtij komisioni, shprehet se informacioni që ata kanë pasur për zhvillimet në Shqipëri ka qenë i paplotë. Por në opinionin e Venecias, që është ende draft dhe nuk është dokument zyrtar ka dhe çështje të tjera që vënë në pikëpyetje seriozitetin ekspertëve. Konkretisht pyetjet që ju dërguan Venecias për të sqaruar nëse Presidenti ka shkelur Kushtetutën apo jo, u firmosën vetëm nga deputetët e PS, por që janë të njëjtët deputetë që kanë votuar në Kuvend një rezolutë e ku natyrisht votuan që të shkarkohet kreu i shtetit. Pra ata që po hetojnë Presidentin që në fillim e kanë shprehur votën e tyre pro shkarkimit të presidentit. Në këtë pikë, kërkesa që i kanë drejtuar Venecias për “sqarim” është thjesht një manovër politike, që kreu i shtetit në letrën e tij e quan kurth për Komisionin e Venecias.

E çfarë mendimesh gjoja duan deputetët e hetimit nga Venecia, kur para se të hetojnë e hodhën voten publikisht se duhet shkarkuar! Pra e gjitha me pyetjet është një lojë djallëzore për të përdorur emrin e Komisionit të Venecias.

“Kuvendi i Shqipërisë edhe pse në dukje ka adresuar 8 (tetë) pyetje me natyrë ligjore dhe kushtetuese për Komisionin e Venecias, është i interesuar vetëm për përdorimin e tij politik duke ngritur një kurth të pamerituar për Komisonin e Venecias. Të gjithë anëtarët e Komisonit Hetimor kanë votuar përmes Rezolutës së Kuvendit për shkarkimin e Presidentit që në datën 13 qershor 2019, ndaj kjo tregon se komisioni ka nisur veprimtarinë me një përfundim të marrë paraprakisht”, shkruan kreu i shtetit. Për pasojë, drafti i Venecias u përdor politikisht nga PS dhe çfarë është me e keqja, në vend t’i shërbente uljes së tensioneve sot e ka ndezur dhe më shumë palët politike. “Ende pa arritur në duart e palëve projekt-opinioni, eksponentë të mazhorancës dhe mediat pranë saj shpërndanë urgjentisht lajmet se, citojmë: “Presidenti ka shkelur Kushtetutën” dhe “Venecia shkarkon Presidentin” duke krijuar kaos dhe ndasi në opinionin publik dhe mbi të gjitha duke shtuar pasiguritë për zgjidhjen e krizës së rëndë që vazhdon në Shqipëri”,– shprehet kreu i shtetit në qëndrimin e tij.

Në foto: Ylsi Manja, kryetari i komisionit parlamentar hetimor të PS

Lidhur me tejkalimin e kompetencave të ekspertëve, që nga mediat afër qeverisë u cilësua si një akuzë e rendë ndaj kreut të shtetit, Presidenti ka sqaruar se për çfarë bëhet fjalë. Konkretisht Venecia u pyet vetëm nëse kreu i shtetit ka apo jo të drejtë të anulojë zgjedhjet, në situatën e caktuar politike në Shqipëri. Por ekspertët kanë shkuar përtej kësaj çështje dhe vlerësojnë se zhvillimi i zgjedhjeve vetëm më një parti nuk është proces i paligjshëm! “Ekspertët kanë tejkaluar objektin e punës së tyre duke ndërhyrë në kompetencat dhe vlerësimin e OSBE/ODHIR, institucioni më i lartë i autorizuar për monitorimin dhe trajtimin e çështjeve zgjedhore. Në analizën dhe konkluzionet e ekspertëve nuk gjejnë vend/referim asnjë prej gjetjeve dhe konkluzioneve të 3 (tre) Raporteve të OSBE/ODIHR. Këto raporte janë hartuar prej misionit vëzhgues që ka monitoruar Shqipërinë për 3 muaj para, gjatë, dhe pas procesit të votimit të 30 qershorit, dhe ku kanë marrë pjesë mbi 200 vëzhgues”,- shprehet kreu i shtetit. Drafti i komisionit të Venecias, nëse nuk ndryshon deri në vendimin final, në vend tu shërbente palëve për të zgjidhur krizën politike dhe ligjore, ka krijuar më shumë kaos. Veç faktit që thotë se “Presidenti nuk ka shkelur Kushtetutën”, drafti merr përsipër të “njohë” zgjedhjet e 30 qershorit. Për të sqaruar këtë paradoks logjik dhe ligjor, Presidenti u ka dërguar dje 10 pyetje ekspertëve të këtij komisioni. Formulimi i pyetjeve nuk la hapësira që përgjigjet të jenë “as mis dhe as peshk” dhe mbi të gjitha, janë pyetje që u japin fund dilemave për 30 qershorin dhe për gjithë krizën kushtetuese dhe politike në vend.

Po mbrëmë dolën edhe komentet e zyrës së presidentit që rrëzojnë çdo hamendësim nga mazhoranca se mund të luajën me një draft-raport të tillë.

Pas kësaj lind një pyetje: Anëtarët e komisionit të Venecias që erdhën në Tiranë me kërkesë të Ylsi Manjës së PS, a ranë në kurth pa dashje apo ndonjë gjë rilindase kanabiste i ka furnizuar?!

Mili Xhani

SHKARKO APP