Kush do mbajë përgjegjësi për viktimat e TRAGJEDISË?
Tërmeti i 26 nëntorit nuk është thjesht fatkeqësia natyrore e radhës. Goditja 6.4 ballë e Shkallës Rihter la pas 51 të vdekur dhe 970 të plagosur duke shënuar numrin më të madh të viktimave nga një tragjedi natyrore në gati 100 vitet e fundit. Ajo që bien dakord të gjithë ekspertët është se pavarësisht faktit se goditja e tërmetit ishte e fortë, sërish numri i viktimave është shumë i lartë për të fajësuar vetëm goditjen sizimike. Shumicën e viktimave nuk i vrau tërmeti, por godinat e ndërtuar keq. Fatkeqësitë natyrore nuk mund të ndalohen, por ndërtimet dhe abuzimet me banesat që u rrafshuan duke marrë jetë njerëzish mund të ishin parandaluar. Ajo që ndodhi në Durrës dhe Thumanë ngjan më tepër si një tragjedi e paralajmëruar prej vitesh dhe askush nuk u kujtua të marrë masa. Tragjedia ka përgjegjës konkretë në institucionet e shtetit dhe në biznesin privat. Ka zyra shtetërore që duhet të kishin ndërhyrë më kohë. Institucione, bashki, ministri dhe një varg i gjatë zyrash shtetërore që paguhen nga lekët e qytetarëve dhe kanë përgjegjësi ligjore.
Në rastin e Durrësit nuk duhet të jesh teknik apo inxhinier projektues për të kuptuar se pjesa më e dëmtuar nga tërmeti ishin banesa pa asnjë kusht teknik ndërtimi. Pallate e shtëpi të ngritura në kënetë dhe në zonën e plazhit, pa kushte teknike dhe pa zbatim të kodit aktual të ndërtimit, janë një provë ulëritëse që flet për abuzime të tmerrshme. E megjithëse dihej se çfarë bombe sociale dhe fatkeqësi po mbillej me ndërtimet në Durrës askush nuk ndërhyri. Për planet afatgjata, faji është i gjithë qeverive që lejuan kaosin e kënetës dhe ndërtimeve në zonën e plazhit në Durrës. Ndërkohë bashkitë kanë përgjegjësitë më të madha për lejet pa kriter dhe mungesën e kontrollit në Durrës. Rasti i Thumanës është dhe më flagrant e skandaloz. Një pjesë e banorëve që humbën jetën u lanë të banonin në një pallat të dëmtuar rëndë që nga tërmeti i 21 shtatorit të këtij viti. Zona që ishte prekur rëndë nga ky tërmet u trajtua sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Asnjë institucion, bashki dhe dhjetëra inspektoriate nuk ndërhyri për të shmangur tragjedinë. Shkeljet ligjore janë të rënda dhe përgjegjësit dihen publikisht. Në këtë zinxhir përgjegjësish që prodhoi katastrofën nuk mungojnë as projektuesit dhe inxhinierët që kanë pranuar të firmosin projekte vrasëse dhe nuk kanë mbajtur asnjë përgjegjësi për kushtet teknike.
Në tragjedi të ngjashme në Turqi dhe Greqi, drejtësia ka ndëshkuar këdo që ka shkelur ligjin duke nisur nga zyrtarë të lartë, kryebashkiakë e deri te ndërtues, investitorë dhe inxhinierë që kanë shkelur ligjet e ndërtimit të projekteve. Sigurisht jo të gjithë janë fajtorë për tragjedinë e 26 nëntorit. Mes inxhinierëve ka njerëz profesionistë me etikë morale dhe profesionale që nuk kanë bërë pazare me sigurinë e qytetarëve. Janë të njëjtë inxhinierë dhe ekspertë që këto ditë po shpëtojnë jetë njerëzisht duke kontrolluar çdo banesë dhe duke verifikuar godinat për dëmet. Shumica e tyre po punojnë nga 18 orë në ditë dhe në mënyrë vullnetare duke treguar një përgjegjshmëri dhe humanizëm që ka munguar për shumë vite në administratën shtetërore. Por këta duket se janë pakicë dhe të vetmit që kanë respektuar ligjin. Të tjerët së bashku me zyrtarët që abuzuan dhe sollën tragjedinë justifikohen vetëm me tërmetin ose po mundohen të rregullojnë letrat e projekteve vrasëse. Ndëshkimi i autorëve që ndikuan në këtë tragjedi është një detyrim i drejtësisë përballë 51 viktimave që humbën jetën. Por më shumë se kaq është dhe një detyrim ndaj shoqërisë për dekadat e ardhshme. Prokuroria ka nisur hetimet dhe nëse askush nuk shkon para përgjegjësisë për ndërtesat vrasëse, ky është modeli më i keq që do të ndërtohet në vend. Pas homazheve për viktimat dhe sistemimit të të pastrehëve, debati për përgjegjësitë e kësaj tragjedie duhet të ishte çështja kryesore e qeverisë, media dhe opinionit publik. Drejtësia nuk mund të groposet në gërmadha, sepse në Durrës dhe Thumanë kemi vrasje me vetëdije dhe korrupsion që arrin në gjithë strukturat e shtetit. Të vetëdijshëm për skandalin që sjell hetimi i kësaj tragjedie qeveria po e shmang me çdo kusht nxjerrjen e përgjegjësive. Ndaj sot kemi më shumë debat për arrestime gazetarësh, mbyllje portalesh, presion ndaj medias me gjasme luftë ndaj lajmeve të rreme dhe asnjë masë konkrete për ata që gatuan tragjedinë. Media ka mëkatet e veta, por nuk është ky rasti për të nisur fushatë kombëtare kundër gazetarëve, në kohën që politika, shteti, pushteti vendor dhe biznesi janë zbuluar, njëlloj si një grup i strukturuar kriminal, si autorë të krimit me ndërtesat që morën jetën e 51 shqiptarëve.
Mili Xhani