Kush është më i pushtetshëm: Petrit Ahmetaj apo Edi Rama?

 
 
 
Diçka po luhet në kupolën e PS-së. Akoma vazhdon historia e CEZ-it dhe e kompanive të saj në mbledhjen e borxheve. Edi Rama duhet të kishte vënë në lëvizje mazhorancën në Parlament për të shkarkuar Petrit Ahmetin, që të çlirohej nga akuzat se po luan me çështjen “CEZ” për të goditur indirekt Ilir Metën, me dorën e Bashës. Ka informacione se ish-kryeministri Vilson Ahmeti, vëllai i Petrit Ahmetit, kryetar i ERE-s, janë parë të darkojnë këto ditë në një lokal në periferi të Tiranës me Ylli Qabirin, ish-ministër dhe një prej ekonomistëve më të mirë shqiptarë, që mbetet mik i kryeministrit Rama. Çfarë po ndodh, apo synohet që të mbahet ende në detyrë Petrit Ahmetaj? Mos ka pazare me kompanitë në fjalë edhe PS-ja, si vetë Berisha dikur? Apo ka ndonjë kompani që mblidhte borxhet e CEZ-it dhe që sot është miliardier dhe ka ndërhyrë tek kryeministri për të mos shkarkuar kreun e ERE-s?
Sa më shumë e mban Edi Rama pa shkarkuar kreun e ERE-s kur po dalin skandale të tij dhe konflikt i hapur interesi, aq më shumë do të thuhet se kryeministri ka interesa në këtë aferë. Nuk mund të themi se ka interesa direkt kryeministri, porse ndonjë ministër i tij edhe mund të ketë marrë "thelën" e vjeshtës nga grupi Ahmetaj. Ky dyshim të shtohet kur dëgjon se Rama shkarkon edhe shefin e një sektori, në ndonjë rreth, nëse ka akuza për korrupsion e nuk heq barrën që i vjen nga kreu i ERE-s, Ahmetaj. Mos harroni se kryetari i ERE-s është "ujk" i vjetër profesionist dhe xhiron bukur, edhe kur është nën akuzë, si në këtë rast. Kur Edi Rama don të bëjë publicitet një shkarkimi e bën në çast dhe nuk guxon njeri ta kundërshtojë, ndërsa në këtë megaskandal ai nuk e largon nga detyra,aq me tepër që Ahmetaj ka konflikt të hapur interesi, edhe në mos qoftë përzier në afera korruptive.
Kryetari aktual i Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti, rezulton të ketë qenë konsulenti kryesor i veprimtarisë së kompanisë ‘DIA’ të Kastriot Ismailajt, që është nën hetim dhe bashkëortak me të në një biznes tjetër, po në këtë fushë. Sipas dëshmive të siguruara nga hetimi i kompanisë ‘DIA’, rezulton se Petrit Ahmeti, në cilësinë e këshilltarit zyrtar të ish­kryetarit të ERE-s, ka sugjeruar dhe më pas ka hartuar një konsulencë për studimin e tregut të energjisë në Shqipëri, të cilin CEZ ia ka faturuar me një vlerë 1.5 milionë euro dhe që dyshohet se është përdorur për korruptimin e ERE-s, e cila uli në mënyrë të frikshme çmimin e blerjes së energjisë për CEZ nga KESH. Në media është botuar dokumenti ku provohet se ish­ministri i Financave, Ridvan Bode, ka miratuar sipas një dokumenti zyrtar, uljen në 2.2 lekë për Kv/h, për furnizimin e CEZ nga KESH, nga 2.83 që ishte në fuqi ndërkohë, si dhe njohjen e borxhit të keq në masën 16.8% të kësaj kompanie, që buronte nga kontrata e shitjes. Nga procesi gjyqësor në pikën 20 të dëshmisë rreth “Pasut&Partenrs”, thuhet se zoti Ismaili dhe zoti Ahmetaj, në atë kohë ndihmës i Bordit të Komisionerëve të ERE-s, përgatitën një studim tregu mbi borxhin e OSHEE-së. Dëshmitari E.M. në deponimin e tij për aferën ‘CEZ-DIA’ thotë se “Kastriot Ismailaj, që në mars-prill 2011 më ka shprehur që çdo gjë e kam rregulluar në Pragë dhe besoj se në vjeshtë do të fillojmë kontratën për mbledhjen e borxheve të CEZ-it. Më tregoi një dokument prezantimi për DIA-n, të cilën e kishte prezantuar në Pragë. Ky dokument kishte në faqen e parë kompaninë austriake “Passut & Partners” si autore të studimit…Kur e pyeta Ismailajn për emrin e kompanisë austriake ai më tha se emri është austriak, por prezantimin e kanë bërë dy persona që ishin shtetasit S.H. dhe Petrit Ahmeti, si persona që njohin mirë sistemin energjetik në Shqipëri. Di që pas këtij prezantimi, u firmos kontrata e shërbimit në 1 shtator 2010” . Për këtë çështje është pyetur edhe shtetasi S.H., një ndër personat që ka bërë prezantimin me Petrit Ismailajn, në emër të kompanisë austriake, vetëm për të përfituar kontratën e mbledhjes së borxheve. “Këtë dokument unë e kam përgatitur së bashku me shtetasin Petrit Ahmeti, të cilin e ka thirrur për këtë punë, vetë Kastrioti. Eksperienca e Petritit ishte e madhe sepse ai kishte punuar për një kohë të gjatë në sistemin energjetik. Dokumenti është përgatitur për një kohë prej rreth dy javësh dhe i është dorëzuar Kastriotit, i cili pasi mbaroi, tha se ky dokument do të shkonte në Pragë te ‘CEZ Praga’, në funksion të marrjes së një pune. Gjatë verës së vitit 2010, Kastrioti më ka kërkuar që ta shoqëroja dhe së bashku me të dhe një mikun tonë të përbashkët B.S., kemi shkuar në Pragë në Çeki”, deponon S.H. Po ashtu, Ahmeti dyshohet se ka devijuar tek një kompani e vëllait të tij, ish­kryeministri Vilson Ahmeti, një pagesë prej 170 milionë lekësh të vjetra, e cila buron nga pagesa për konsulencë dhe që mund të jetë përfitimi që ai ka marrë për lobimin pro CEZ në uljen e çmimit të blerjes së energjisë nga KESH-i. Në një dokument hartuar nga Drejtoria e Tatimeve të Tiranës ndaj firmës DIA (Debt International Advisory), flitet qartë për shumat e dhëna të parave, për punime të pakryera. Kompania A.I.C ku është pronar edhe ish­ kryeministri Vilson Ahmeti, ka përfituar nga DIA plot 16.916.667 lekë (pra gati 170 milionë lekë) dhe sipas dokumentit dhe provave, për punime të pakryera për llogari të CEZ-it. “Për punët e kryera nga kjo shoqëri, inxhinierit të degës nuk i vendosën dokumentacionin në dispozicion që të vërtetonte kryerjen e këtyre punimeve. Fatura e lëshuar nga kompania ‘Nereida’ sh.p.k ka përshkrimin “Mbështetje dhe asistencë logjistike për arkëtim të detyrimeve” nuk ka asnjë dokument shoqërues që të vërtetojnë kryerjen e këtyre shërbimeve”, shkruhet në raportin e Tatimeve.
Të gjitha këto prova tregojnë se kryetari aktual i ERE-s është në një konflikt të pastër interesi në këtë debat dhe nëse bëhet fjalë për minimumin e seriozitetit në hetim, ai duhet të dorëhiqet për të dëshmuar se socialistët nuk po e përdorin këtë debat për politikë, por për transparencë. Ndryshe, ata do t’i krijojnë alibi Berishës, për këtë vjedhje monstruoze, e cila është kryer edhe me ndihmën e njeriut që sot drejton ERE-n, në emër të socialistëve. Është po ashtu interesant fakti që PD-ja nuk kërkon dorëheqje të këtij personi kyç në pushtetin e socialistëve, por dorëheqje të Ilir Metës, meqë ky i fundit ka njohur ortakun e Ahmetit, i cili është sot në një post kyç që garanton kapjen e shtetit nga CEZ-i dhe ngre dyshime reale edhe për mënyrën se si u negociua largimi i CEZ-it nga vendi.
Mendohet se kryeministri Rama nëse nuk i kërkon dorëheqjen deri në fund të javës do të ketë sulme nga LSI-ja ndaj kreut të ekzekutivit, sepse duket se ka një lojë të orkestruar nga Berisha me dorën e Ramës. Por pyetja publike është se pse kryeministri nuk e shkarkon kreun e ERE-s, Petrit Ahmetaj, ndërkohë që ka shkarkuar edhe për gjëra më të vogla zyrtarë të periferisë? Dje, Partia Demokratike u hodh në sulm për emërimin e një drejtori të një shkolle profesionale në Berat. Reuzultoi se drejtori ishte dënuar më parë për abuzime me fondet e ndihmës sociale dhe se kishte kryer dënim për këto akuza, ndonëse e kishte humbur faktin i quajtur i dënuar, sepse parashkruhet në Kodin Penal, pas njëfarë kohe pas dënimit. E ndonëse ishte me vertetim nga drejtësia se është i pa dënuar përsëri Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë brenda pak orësh shkarkoi drejtorin për principe morale qeverisëse. Një gjest që tregon seriozitetin e ministrisë, por edhe dy standarde të qeverisë. Një drejtor që e ka kryer dënimin, u shkarkua pak orë pas denoncimit, po për një person që ka konflikt interesi në një çështje kaq të ndjeshme pse nuk reagohet nga kryeministria?
Ose Rama e lë kreun e ERE-s në detyrë që sa më shumë i bien atij do të dalë pluhur për ortakun e tij bashkëqeverisës Meta dhe kështu ai mendon se po i bën dëm LSI-së. Por deri tani nuk po gjendet ndonjë dokument, fakt apo inçizim që të përziejë kreun e parlamentit në këtë histori përveçse Berishën, Boden, Petrit Ahmetaj dhe atë që është në burg.
 
Si ka mundësi që kreu i ERE të jetë më i fuqishëm se Kryeministri Rama? Apo ka ndonjë peng dikush nga qeveria apo lojë për ta mbajtur në detyrë për të gjuajtur Ilir Metën me pushkët e PD-së?
 
 
 
REAGIMI
Kryetar i ERE, Petrit Ahmeti:
 
Kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti, në një prononcim dhënë dje për ‘Koha Jonë” deklaroi se për pretendimet e ngritura, duhet të flasin institucionet përkatëse të shtetit. “Ky është një debat qesharak opinionesh. Unë nuk dua të përfshihem në debate të tilla publike, të cilat nuk është se i shërbejnë sqarimit të opinionit, përkundrazi. Personalisht, i kam dhënë sqarimet e mia para organeve përkatëse. Për çështjen që debatohet, po merret drejtësia dhe unë nuk e shoh të udhës të përfshihem në një debat të tillë, ku po abuzohet në mënyrë ekstreme. Mund të them se mënyra sesi po trajtohet kjo çështje në media, etj, është ekstremisht e pavërtetë. Është një çështje për të cilën do të flasin organet përkatëse. Kjo më duket se është rruga më e mirë për të mos i trajtuar çështjet vetëm në pikëpamje opinionesh”, – tha dje Ahmeti për “Koha Jonë”.

SHKARKO APP