Kush ishte “Hamza Kastrioti” dje në Bashkinë e Kamzës?

-Me pak fjalë “kështjellën” demokrate në Kamëz e lanë vetë demokratët apo nuk patën fuqi ta mbronin?! Nëse nuk e dorëzuan dhe thonin se “do të ishin në detyrë”, atëhere pse i hoqën gjërat nga zyra dhe raftet?! Natyrisht që Xhelal Mziu nuk është “Skenderbeu demokrat”, siç është nga ana tjetër Edi Rama “Skenderbeu rilindas”. Mziu nuk do të bënte luftë apo të dilte me molotov në duar. Dje duhej që krejt selia blu të ishte në Kamëz në protestë masive. Por kjo nuk ndodhi!

Historia na ka treguar se kur ka vendosmëri, edhe sikur “taborre” me rilindas të kishte dje në Kamëz, bashkia nuk dorëzohej. Nuk themi dhe as nuk duam të nënkuptojmë se duhet të kishte luftë apo bomba molotov, siç ka ndodhur kur ka dashur PD-ja ta bëjë “luftën”. Por dorëzimi pa asnjë përballje ia vlen të analizohet, pasi duhet të kuptohet se sa e vendosur është PD-ja për të mbrojtur njerëzit e saj, të cilët e kanë përfaqësuar dhe kanë mbushur kryeqytetin sa herë lëshonte thirrjen selia blu.

Demokratët kishin deklaruar se ajo që do të shikonte Rilindja në bashkinë e Kamzës dhe të Shkodrës do të ishte betejë spektakolare me kryeministrin Rama. Pasi u dorëzua pa “luftë” Devolli, Kavaja dhe një mori bashkish të opozitës, të gjithë në PD thonin se “ja do ta shikojë në Kamëz, kryeministri, se çdo ta gjejë!”. Dje me datë 7 gusht 2019 bashkia u dorëzua socialistit te 30 qershorit, pa asnjë përballje. Bile kaq lehtë e qetë sa as në Devoll!

Xhelal Mziu shkruante në Facebook para se rilindasit të futeshin brenda në “kështjellën” demokrate: “Unë besoj se nuk varet vetëm nga unë. Besoj se shumica e qytetarëve do të jenë barrikadë e këtij grushti shteti… Do ta lë zyrën kur të bëhen zgjedhje normale. Janë 27 kryetarë bashkish që janë të gatshëm që të mbrojnë Kushtetutën, ligjin”.

Fillimisht, dje, kishte disa dhjetra demokratë e jo mijëra, siç u përfol se do të bëhej nami. Më pas Mziu iku sapo kaloi orari zyrtar demokrat dhe në zyrë hyri Rakip Suli, shoqëruar me një urdi djemsh të fortë. Vendosmëria e PD-së dhe Mziut vihet në dyshim nga pamjet e fotove që tregojnë zyrën e kryebashkiakut për ditën e djeshme, para dhe pas “zbarkimit” të Sulit. Fotot e publikuara, të bëra pasdite brenda zyrës ku rrinte Mziu, tregojnë qartësisht se dorëzimi i “bastionit të demokratëve” ishte i përgatitur. Zyra paraqitet totalisht e boshatisur dhe prej aty ishin hequr të gjitha dokumentet apo fotografitë që mbante Mziu më herët.

Nëse ke vendosur të qëndrosh në zyrë duke mos njohur zgjedhjet e 30 qershorit, nuk ke pse heq orenditë e zyrës, pasi nëse duan ta marrin me forcë, rilindja, le ta thyejnë dhe pushtojnë zyrën me gjithçka ka brenda. Apo jo?!

Por si për çudi futja e socialistit Suli nuk solli asnjë mbledhje të demokratëve pasdite apo në darkë para bashkisë. Të gjithë ikën dhe nuk dolën siç flitej apo përbetohej selia blu.

Me pak fjalë “kështjellën” demokrate në Kamëz e lanë vetë demokratët apo nuk patën fuqi ta mbronin?!

Nëse nuk e dorëzuan dhe thonin se do të ishin në detyrë, atëhere pse i hoqën gjërat nga zyra dhe raftet? Natyrisht që Xhelal Mziu nuk është “Skenderbeu demokrat”, siç është nga ana tjetër Edi Rama “Skenderbeu rilindas”. Mziu nuk do të bënte luftë apo të dilte me molotov në duar. Por duhej që krejt selia blu të ishte dje në Kamëz, edhe afër e kishin, por edhe të mobilizonin krejt strukturat ditë-natë për të krijuar bindjen se nuk dorëzohen demokratët, aq më pak “demokratët e Kamzës”.

Por asgjë nuk ndodhi, as protestë e madhe dhe as protestë e vogël nuk pati dje në darkë. Selia blu u mjaftua me deklarata, por Edi Rama ka treguar se nuk pyet fare për deklarata. Ai ka frikë nga përballja popullore ose më saktë siç thonë analistët e njohur Lubonja e Bushati, nga dhuna e popullit të revoltuar.

Historia na ka treguar se kalaja e Beratit iu dorëzua, dikur turqve, nga Hamza Kastrioti, pasi osmanët nuk e merrnin dot. Çdo lloj krahasimi çalon, por pas asaj që pamë dje në Kamëz, pyetja del vetiu: Kush ishte “Hamza Kastrioti” dje në Kamëz?!

Alban Mati

Në foto: Xhela Mziu para ikjes nga zyra

Në foto: Rakip Suli, pasi zyra u boshatis dhe u la bosh

SHKARKO APP