Këshilltarët e ujit të Veliajt

Dy këshilltarë de juro të LSI-së votuan të enjten për rritjen e çmimit të ujit në Tiranë. Pjesëmarrja e tyre në votim, përveçse ishte një vendim individual  në kundërshtim me qëndrimin zyrtar të LSI, duket se lidhet me interesa personale dhe klienteliste të këshilltarëve. Të paktën kështu krijohet ideja, ndonëse të dy e kanë mohuar një akuzë të tillë. LSI deklaroi para mbledhjes së nuk do të merrte pjesë në votim. Ndërkohë që dy këshilltarët, Agim Kraja dhe Genta Mezini vendosën të marrin pjesë dhe të votojnë pro rritjes së çmimit të ujit.

Por kush janë dy emrat që kanë futur në sherr PD dhe LSI mbi qëndrimet opozitare. Një vështrim i karrierave të tyre zbulon të vërtetën se kujt partie i përkasin këta këshilltarë.

Agim Kraja, biznesmen me origjinë nga Hasi, u bë këshilltar i bashkisë së Tiranës me monarkistët e mbretit, si këshilltar i Legalitetit dhe iu bashkua LSI-së, me ndërmjetësimin e kryetarit të këshillit bashkiak, socialistit Aldrin Dalipi. 

Si këshilltar i LSI-së përfitoi benefitet e pushtetit, kryesisht tendera rrugësh. Natyrisht bashkia shprehet se i ka fituar konform ligjit.  Në zgjedhjet e vitit 2015 ishte i gjashti në listën e LSI-së dhe u rizgjodh këshilltar në Bashkine e Tiranës.

Para zgjedhjeve të 25 qershorit u ftoh me LSI-në, sepse donte të kandidonte për deputet, por kur drejtuesit e LSI e ftuan të kandidonte në Kukës dhe ai nuk pranoi. 

Ndërkohë që emri i tij u shfaq si njeri nga financuesit e fushatës së LSI-së, financim që është refuzuar nga drejtuesit e LSI-së dhe paratë i janë kthyer mbrapsht, sepse financimi ishte në kundërshtim me ligjin. Kjo shënoi edhe ndarjen e tij nga LSI pasi sjellja e tij u konsiderua një provokacion. Në këto kushte ai u rithirr nga suportuesi e tij Aldrin Dalipi. Nuk dihet nëse do të marrë tenderime në bashki, por si media do ta survejojmë se çfarë tenderash do të fitojë pas ditës së djeshme ku votoi për PS-në.

Burimet nga bashkia tregojnë se menjëherë pas mbledhjes, për gati dy orë, bashkë me Dalipin, kanë qenë në zyrën e kryetarit të bashkisë, ku u përgatit dhe u shpërnda deklarata e tij për shtyp. Të pyetur nga “Koha Jone” për këtë fakt zyra e kryebashkiakut e hedh poshtë një variant të tillë.

Ndryshe nga ky këshilltar shëtitës, Genta Dedej apo Mezini, është veprimtare prej kohësh e LSI-së, që prej themelimit të LSI. Bashkë me vëllanë e saj janë pjesë e strukturave të LSI-së së Tiranës dhe me kontribute të njohura.  Mjeke në profesion, intelektuale me biznes privat të konsoliduar. Me një pasion natyral për të bërë karrierë, ajo njihet si një intelektuale që synon lart.

Shoqja e saj, Klotilda Ferati, ish-kryetarja e grupit të këshilltarëve të PS në këshillin bashkiak të Tiranës, e zgjedhur deputete e PS, thuhet se e ka telefonuar dhe i ka thënë nëse nuk vjen në mbledhje do të humbasësh të drejtën të zgjidhesh këshilltare. Zonja Ferati, pas mbledhjes, e ka dërguar në zyrën e kryetarit të Bashkisë, pasi ia kishte prezantuar më parë si pasionante për të ecur përpara në jetë dhe që do t’i bashkohet PS . Ndërkohë që Agim Kraja e Aldrin Dalipi dilnin nga zyra e kryetarit të bashkisë, hynte Genta Mezini dhe Klotilda Ferati.

Këto burime janë përgënjështruar nga zyra e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndonëse fakti që votuan hapur pro propozimit të tij dhe kundër vendimit politik të partisë nga vinin, të bën të dyshosh.

Votën e hodhën kundër vendimit të LSI. Tashmë janë me PS.

DEKLATAT ME SHKRIM E SHPËRNDARË DJE PËR MEDIAT NGA AGIM KRAJA:

Falënderoj zotin Luan Rama dhe dua t’i kujtoj se mandati i pestë i LSI në Tiranë, që përkon me emrin e tij, ka një kontribut të padiskutueshëm të votave të komunitetit që unë përfaqësoj, siç është Njësia 9, zonat informale e sidomos ish-komuna Farkë dhe Bashkia Vorë.

Këtë kontribut e kam dhënë me gjithë shpirt për LSI dhe nuk jam aspak pishman.

Gjatë ditës së martë ne këshilltarët e LSI jemi mbledhur dhe kemi diskutuar gjatë, kemi bërë dhe dëgjesë publike me kryetarin e Bashkisë Tiranë, nënkryetarin dhe stafin drejtues të Ujësjellësit.

Pas dëgjesës kemi dalë me një qëndrim të përbashkët, ku përpara godinës së Bashkisë e kemi bërë të ditur nëpërmjet zotit Endrit Braimllari.

E quajtura “Paketa LSI” parashikonte mosrritje të çmimit të ujit për bizneset e lidhura me artikujt e shportës, për familjet që marrin ndihmë ekonomike që janë të regjistruar në skemën e shërbimit social dhe për pensionistët.

Gjatë ditës së sotme unë kam shkuar në mbledhjen e lajmëruar të Këshillit Bashkiak dhe u befasova kur disa kolegë të LSI më thanë se nuk duhet të qëndrojmë në mbledhje. Jam i parimit se ajo që vendoset njëherë, i qëndrojë në mënyrë të palëkundur.

Qëndrimet partiake nuk mund të ndryshohen çdo pesë minuta.

Unë në mbledhje kam marrë pjesë si anëtar i LSI, pavarësisht se jam monarkist.

Jam i kënaqur që shumë anëtarë të LSI, por dhe qytetarë të shumtë Tiranës më kanë shprehur mbështetje për votën time që shkoi në favor të qytetarëve. Shkoi në favor të atyre familjeve që përfituan nga kreditë e buta.

Nëse sot vota ime do të mungonte, 1 mijë qytetarë nuk do të kishin mundësinë për përfitimin e kredive të buta.

Jam i lumtur për këtë vendim.

Agim Kraja, Anëtar i LSI në Këshillin Bashkiak të Tiranës

DEKLARATA E GENTA MEZINIT

Falënderoj të gjithë qytetaret e njësisë 10 të cilët me votën e tyre në vitin 2015, me dhanë mundësinë të jem pjesë e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Falënderoj të gjithë dashamirësit dhe ata që më kanë përgëzuar për aktin e djeshëm, ku unë votova bindshëm, krejt e lirë dhe e pavarur prej imponimit politik, votova për një projekt kaq ambicioz, që lidhet me furnizimin me ujë të kryeqytetit për 24 orë.

 Jo vetëm si qytetare e Tiranës, por edhe si mjeke në profesion, unë jam e bindur që rindërtimi sipas standardeve të larta bashkëkohore të rrjetit të ujësjellësit, do të minimizojë ndjeshëm edhe sëmundjet infektive që vijnë si pasoje e kontaminimit të ujit nëpër depozita dhe cisterna krejt të amortizuara, siç janë parazitet e ndryshëm, viruset etj… Për sa i përket deklaratave të bëra nga LSI për blerjen e votës sime, apo manipulimin e votës sime përkundrejt pazareve qe vetëm një dëshpërim i thellë mund ta sajojë, ju bej me dije që asgjë nuk është e vërtetë.

 Unë premtoj që votën time, në këshillin bashkiak te Tiranes do ta përdor vetëm në të mire të interesave të komunitetit. Jam e nderuar qe me jepet mundësia te kontribuoj përkrah kryetarit te Bashkisë z. Erion Veliaj dhe do bëj të pamundurën që të jap gjithë mundësitë e mia ne shërbim të qytetarëve. Duke u nisur nga akuzat e dëshpëruara të LSI për blerjen e votës sime, dhe duke qenë se unë zgjedh progresin dhe jo regresin, zgjedh zhvillimin dhe jo prapambetjen, zgjedh shëndetin dhe jo sëmundjen, e shoh se nuk mund të jem me pjese e formatit politik te LSI. Që nga ky moment, vota ime do të jetë pjesë e grupit politik të Partisë Socialiste.

Mbledhje urgjente e Grupit të Këshilltarëve të LSI-së në Bashkinë Tiranë

LSI përjashton këshilltarët që votuan rritjen e çmimit të ujit.

Grupi i Këshilltarëve të LSI-së në Bashkinë e Tiranës zhvilloi dje një mbledhje urgjente pas votimit për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm në Këshillin Bashkiak ditën e enjte. Në këtë mbledhje u mor vendimi për përjashtimin e dy anëtarëve të LSI në këtë këshill, Agim Kraja dhe Genta Mezini, të cilët dolën kundër vendimit politik të LSI. Koordinatorja e Grupit të Këshilltarëve të LSI-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Eriona Bixha në një deklaratë për mediat sqaroi dhe arsyet e përjashtimit të dy këshilltarëve.

“Grupi i këshilltarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Këshillin Bashkiak të Tiranës me përgjegjësinë e përfaqësimit dhe mbrojtjes së interesit të qytetarëve, me angazhimin për të garantuar transparencën maksimale të të gjithë procesit të vendimmarrjes në këshillin bashkiak, me vendosmëri për të mos lejuar askënd që të përdorë atributet e përfaqësimit politik dhe publik në mënyrë të trafikuar dhe në dëm të bashkëpunimit institucional, në koherencë të plotë me qëndrimin politik të Lëvizjes Socialiste për Integrim, vendosi:

– Të përjashtojë nga grupi i këshilltarëve të LSI-së, Genta Mezinin dhe Agim Krajën për veprim në kundërshtim me statutin, me programin dhe vendimin e forumeve drejtuese të LSI-së.

– Qëndrimi dhe votimi i tyre në mbledhjen e këshillit bashkiak të Tiranës të datës 26 korrik 2017 ka qenë tërësisht individual dhe i shtyrë prej interesave korruptive, dhe nuk ka të bëjë aspak me qëndrimin parimor për bashkëpunim institucional, transparent dhe në shërbim të qytetarëve të shpallur dhe ofruar me shumë seriozitet nga grupi i këshilltarëve të LSI-së.

– Grupi i këshilltarëve të LSI-së, duke u distancuar qartë dhe prerë nga qëndrimi korruptiv i këshilltarëve, Genta Mezini dhe Agim Kraja u propozon forumeve drejtuese të LSI-së të Bashkisë së Tiranës, që në zbatim të statutit të partisë të përshkallëzojnë masat ndëshkuese ndaj këtyre dy individëve, që më papërgjegjshmërinë e tyre qytetare dhe amoralitetin politik keqpërdorën atributet përfaqësuese të LSI-së, duke trafikuar votën dhe shitur dinjitetin në dëm të interesit të qytetarëve, duke u bërë vegël në duart e atyre që zgjodhën të zëvendësojnë bashkëpunimin transparent e institucional me bashkëpunimin korruptiv individual.

Duke e konsideruar opozitën mision në shërbim të vendit dhe demokracisë, duke e vlerësuar atë si çështje morali dhe jo pazar numrash, grupi i këshilltarëve të LSI-së garanton qytetarët e Tiranës se shërbimi ndaj tyre ka qenë dhe do të mbetet detyrimi ynë madhor e i pandryshuar”.

INVESTIGIM I AGJENCISË BIRN 12 QERSHOR 2017

Klientelizmi politik: Donatori i LSI-së (Agim Kraja) fiton miliona në tendera publikë

Nga Ola Mitre

Përgjatë dy dekadave të fundit, partitë politike në Shqipëri kanë fshehur donatorët e mëdhenj të fushatave elektorale, duke deklaruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vetëm emra funksionarësh partiakë. Por në vitin 2016, kjo traditë u thye nga Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila i bashkangjiti buxhetit të vet vjetor një listë me 42 financues.

Megjithëse ky deklarim përbën një risi për transparencën e financave politike, BIRN zbuloi se LSI ka pranuar financim në kundërshtim me Kodin Zgjedhor nga të paktën një donator- njëherazi edhe përfitues i tenderave publikë. Neni 89 i Kodit Zgjedhor kufizon partitë politike që të përfitojnë fonde nga kompani apo aksionerë kompanish, të cilët në dy vitet e fundit kanë fituar fonde publike, kontrata apo koncesione me vlerë mbi 10 milionë lekë.

Të dhënat e siguruara nga BIRN në Qendrën Kombëtare të Bizneseve dhe në transaksionet e kryera nga thesari i shtetit tregojnë se njëri prej donatorëve të LSI; kompania Xhast shpk ka përfituar tendera publikë me vlerë më të lartë se 10 milionë lekë. Xhast shpk është një kompani ndërtimesh dhe shërbimesh, që sipas QKB është themeluar në vitin 2001 nga Agim Kraja-aktualisht këshilltar i LSI në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Në vitin 2016, kjo kompani ka dhuruar 1 milionë lekë për Lëvizjen Socialiste për Integrim, duke u renditur në një ndër katër financuesit më të mëdhenj të deklaruar.

Të dhënat e siguruara nga BIRN në thesarin e shtetit tregojnë se Xhast shpk ka fituar tendera publikë në vlerën e rreth 255 milionë lekëve për periudhën 18 maj 2012-shkurt 2017. Por dy prej tenderave të fituar janë në tejkalim të vlerës së përcaktuar në Kodin Zgjedhor.

Më 18 qershor 2015, kompania Xhast rezulton të jetë paguar në vlerën e 10.8 milionë lekëve nga komuna Golaj e qarkut të Kukësit. Ndërsa më 22 qershor 2016, e njëjta kompani ka kryer një transaksion prej më shumë se 16 milionë lekësh me Bordin e Kullimit në Lezhë. Lëvizja Socialiste për Integrim nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga BIRN në lidhje me mundësinë e favorizimit të kompanisë Xhast në fitimin e tenderave publikë. I kontaktuar përmes llogarisë aktive në rrjetin social Facebook dhe numrit të telefonit të kompanisë të publikuar në QKB, edhe administratori Agim Kraja nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN. Kompania Xhast shpk nuk është donatori i vetëm i LSI që ka përfituar fonde publike. Dy financues të tjerë të deklaruar, të cilët janë njëherazi edhe aksionerë kompanish kanë fituar tendera publike në institucionet e drejtuara nga Lëvizja Socialiste për Integrim gjatë viteve 2013-2017. Megjithatë, vlerat e përfituara prej tyre  janë brenda kufizimeve të Kodit Zgjedhor.

Përfitimi i parave publike nga donatorët e partive kryesore politike në vend është një skemë e njohur për ekspertët dhe vëzhguesit e zgjedhjeve në Shqipëri. Sipas tyre, “klientelizmi partiak” mbahet gjallë edhe prej faktit se shumica e partive politike i mbajnë ende të fshehtë emrat e donatorëve të tyre. Duke iu referuar rastit të kompanisë Xhast shpk, Afrim Krasniqi-drejtor i Institutit të Studimeve Politike i tha BIRN se “ky është rasti tipik ku në çdo vend demokratik do të duhej të ishte objekt hetimi nga disa organe njëherësh”. “Do të duhej të kishte hetim për të verifikuar nëse kompania ka përfituar akses të privilegjuar në financim, në tenderë, në promovim, në evitim të taksave ose të kontrollit të cilësisë nga organet ekzekutive, dhe në fund të fundit, për të hetuar përfitimet dhe motivet që e kanë shtyrë një firmë private për të financiar aktivitete masive elektorale dhe politike të një partie politike,” tha ai. Krasniqi shpjegoi se skema e financimit të partive politike lidhet shpeshherë me fushën e aktivitetit të kompanive të caktuara, çka përforcon sipas tij marrëdhënien klienteliste. “Shumica e firmave financojnë jo çdo parti, por… organin përgjegjës që i monitoron dhe që mund t’u sigurojë kontrata. Për pasojë, shumica e prokurimeve direkte publike nga qeveritë i shkojnë pikërisht këtyre klientëve elektoralë, edhe pse kjo është një masë e ndaluar nga legjislacioni ynë në fuqi,” argumenton Krasniqi.

Roden Hoxha, jurist pranë Avokaturës së Shtetit dhe Zyrës së Përfaqësimit në Gjykata të Huaja Ndërkombëtare dhe Arbitrazhin Ndërkombëtar argumenton se përveç mungesës së transparencës, Shqipëria ka nevojë të përmirësojë ligjin e saj zgjedhor. Ai i shpjegoi BIRN se dhuruesi nënshkruan një deklaratë ku zotohet se nuk ndodhet në asnjërën prej rrethanave të nenit 89 dhe është ai që  mban përgjegjësi personale “për deklarim të rremë”. Hoxha shpjegon gjithashtu se në rastet kur nuk përbën vepër penale, ligji përcakton penalitete financiare për mosrespektimin e detyrimeve nga ana e partive politike. “Ligji zgjedhor shqiptar ka pasur dhe ende ka nevojë për rishikime, siç mund dhe të shihet nga ndryshimet e herëpashershme të tij,” tha Hoxha. Mentor Kikia, drejtor i organizatës “Forumi i Mendimit të Lirë’ dhe monitorues i shpenzimeve të fushatës elektorale të vitit 2009 thekson se “partitë bien dakord që të mos bëjnë kurrë transparencë me çështjen e financimit”. “Në vitin 2009 problem ishte mungesa e transparencës, pasi ne kërkuam nga bankat dhe nga vetë partitë të dhëna dhe emrat e donatorëve përmes llogarive bankare, por askush nuk na dha asnjë lloj informacioni,” tha Kikia për BIRN. “…Ky është problemi i madh nga i cili buron pjesa dërrmuese e korrupsionit, sepse kompanitë që ushqejnë makinerinë e politikës me para’, nesër do t’i marrin mbrapsh përmes tenderëve, konçesioneve që ne sot po shikojmë që janë njëri më absurd se tjetri, përmes lejeve të ndërtimit apo projekteve që financohen nga paratë publike,” shton ai. Afrim Krasniqi dhe Mentor Kika mendojnë se partitë politike shqiptare bëjnë konsensus të heshtur me njëra-tjetrën sa i përket financimeve jo-publike; “një problem i madh i demokracisë dhe i luftës kundër korrupsionit në Shqipëri”. Për të adresuar këtë problem, Krasniqi mendon se nevojiten hetime nga struktura të pavarura, ndërkohë që Kikia propozon mospërdorjen e fondeve jo-publike.

“Praktikisht nuk kanë ndodhur [hetime] dhe me një konsensus të heshtur midis tri palëve kryesore politike, nuk pritet të ndodhë edhe në të ardhmen deri në jetësimin real të strukturave të reja hetimore të reformës në drejtësi,” tha Krasniqi për BIRN. “Ka disa alternativa për t’u përmirësuar kjo situatë. Rritja e financimit të partive politike nga buxheti i shtetit, duke vendosur një çmim reference për aktivitetet elektorale dhe mospërdorimi i fondeve jopublike është një prej tyre,” përfundoi Kikia.  Marrë nga BIRN 

SHKARKO APP