Kush e saboton zbatimin e Vettingun?
Ende pa nisur reforma në drejtësi, institucionet e reja që do kryejnë Vettingun janë ndeshur me vështirësitë e para. Juristët që do të bëjnë reformën më të madhe në sistemin e drejtësisë do të përballen me mungesë fondesh dhe me staf të reduktuar në institucione. Deputetët e Partisë Socialiste vendosën dje në Komisionin e Ligjeve që të ulin pagat juristëve që do të punojnë në Komisionin e Posaçëm të Kualifikimit, Kolegjin e Apelimit dhe Komisionerin Publik. Gjithashtu, socialistët vendosën që të mos miratojnë numrin e punonjësve që kanë kërkuar si staf këto institucione të reja. Të treja institucionet kanë kërkuar 185 punonjës, ndërkohë që u miratua propozimi i mazhorancës me 110 punonjës. Një vendim i tillë u kundërshtua nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Edhe vetë brenda mazhorancës ky qëndrim ndaj institucioneve të Vettigut është parë me rezerva. Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri votoi kundër miratimit të variantit të PS-së duke deklaruar se kërkesat e institucioneve të reja duhet të miratoheshin pa asnjë mëdyshje.
Vendimi i deputetëve të PS-së vjen vetëm një javë pasi Ministria e Drejtësisë deklaroi se qeveria ka miratuar gjithë fondet dhe infrastrukturën për reformën në drejtësi. Votimi i djeshëm në komision bie ndesh dhe me qëndrimin e drejtuesve të PS-së për mbështetje të plotë të institucioneve të reja të drejtësisë. Mungesa në paga dhe në staf për organet e reja të drejtësisë mund të jetë një problem jo i vogël për funksionimin normal të tyre. Problem është dhe mënyra sesi qeveria e sheh zgjidhjen e kësaj situate. Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama denoncoi dje një vendim qeverie që i jepte Ministrisë së Drejtësisë të drejtën për të administruar zyrat dhe logjistikën e Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Anëtarët e Kolegjit kanë të njëjtin status me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe në procesin e Vettignut roli i tyre është më i rëndësishmi, pasi ata kontrollojnë edhe vetë kushtetuesen. Por me vendimin e fundit të qeverisë, informacioni zyrtar, serveri i internetit dhe dosjet do të jenë dhe në dorë të Ministrisë së Drejtësisë. Përveçse nuk ka asnjë bazë ligjore për këtë procedurë, pasi Kolegji është institucion Kushtetues, një vendim i tillë i qeverisë krijon përplasje dhe ndërhyre të ekzekutivit në sistemin e ri të drejtësisë.
Për këtë qëllim, Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama kërkoi dje anulimin e këtij vendimi të qeverisë, duke e cilësuar si një ndërhyrje të qartë dhe kapje të sistemit të drejtësisë që pa nisur reforma. Pra një hile shqiptare, ku gjoja merr infrastrukturën, por u kontrollon gjithë të dhënat e Vettingut, të cilat duhet të jenë secrete.
Po dje, media publikoi një letër që institucionet e Komisioni Europian i dërgonin Qeverisë Shqiptare lidhur me reformën në drejtësi. Drejtoria e KE i kërkojnë qeverisë që të plotësojë kushtet teknike dhe financiare për 40 punonjësit Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Fakti që një zyrtar i BE-së kërkon me detaje plotësimin e kushteve financiare dhe detajeve administrative tregon se mes qeverisë shqiptare dhe përfaqësuesve të SHBA dhe BE duhet të ketë një mungesë të theksuar rakordimi.
Të gjitha këto raste të marra veç e veç ngjajnë si procedura burokratike. Ndërkohë panorama e përgjithshme e procesit të reformës nuk jep shenja pozitive dhe krijon idenë e një sabotimi të gjithë reformës. E habitshme mbetet se si deputeti Saimir Tahiri ka votuar kundër kolegëve të tij të PS, ndonëse ka vepruar mirë. Por diçka kuptohet edhe nga ky votim. Tahiri me sa duket e di se ka urdhër politik, ndaj e bëri sfidën hapur. Edhe si inat ndaj mos futjes së tij në qeveri.
Komisionet e Vettingut duhet të kishin nisur punë me kohë dhe të kishin seleksionuar dosjet. Vonesat kanë ardhur pikërisht për shkaqet që lidhen me pagat, godinën, administratën, numrin e punonjësve dhe detajet e sigurisë së njerëzve të drejtësisë. Ndërkohë që sërish është kthyer në vëmendje çështja e pagesave të administrates, por publiku duhet të dijë se një pjesë e fondeve janë dhënë nga ndërkombëtarët. Pjesën e mbetur qeveria shqiptare duhet të paguajë paratë. Por edhe sikur reforma të përballohej e gjitha nga buxheti i shtetit, qëndrimi “dorështrënguar” i qeverisë është i pajustifikueshëm. PS-ja deklaronte dikur se drejtësia e korruptuar i merr vendit miliarda euro, ndaj pavarësia e financiare e institucioneve të vetingut është garancia e parë se drejtësia nuk do t’i sjellë më vendit koston e korrupsionit.
Qeveria të paguajë paratë që duhen për njërëzit e Vettingut, nëse nuk do që krimi i drejtësisë t’ua paguajë atyre! Ata janë njërëzit më të rëndësishëm në Shqipëri. Ata duhet të kenë kushte pune, paga shumë të larta dhe siguri fizike.
Në të kundërt, dikush në qeveri po e sabaton qëllimisht Vettingun.