Kushtetuta u zbatua. Sandër Lleshi, ministër
-Dje ministria e mbrojtjes dërgoi me urgjencë në presidencë shkresën për largimin nga shërbimi aktiv ushtarak të kandidatit për ministër. Pas këtij veprimi të qeverisë, Presidenti firmosi dekretin sipas normave kushtetuese.
Presidenti Ilir Meta dekretoi mbrëmjen e djeshme Sandër Lleshin në postin e ministrit të Brendshëm. Dekretimi erdhi pas firmosjes paradite të lirimit të Gjeneral Sandër Lleshit nga detyra e ushtarakut aktiv. Ky veprim ndodhi sapo ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka dërgoi në presidencë kërkesën zyrtare për largimin nga ushtria të general brigade zotit Sandër Lleshi. Me këtë shkresë gjithçka ishte konform Kushtetutës.
Me vendim e djeshëm kreu i shtetit i ka dhënë fund debatit tre javor që tensionoi në kulm marrëdhëniet institucionale mes mazhorancës dhe institucionit të Presidencës. Por në fund të këtij sherri vlen të bëhet një analizë se çfarë tregoi tensioni mes dy institucioneve kryesore të shtetit dhe kush kishte të drejtë.
Së pari, vendimi i djeshëm i Metës tregoi se institucioni i Presidentit i qëndroi korrekt deri në fund zbatimit të Kushtetutës së Republikës. Dekreti faktoi se nëse ka një palë që e ka shkelur kushtetutën ishte mazhoranca dhe konkretisht Kryeministri Edi Rama. Propozimi i parë i Sandër Lleshit nga Edi Rama u refuzua me argumentin se kishte probleme ligjore dhe kushtetuese. Pas këtij vendimit, Edi Rama dhe deputetët e PS shpejtuan të deklarojnë se kreu i shtetit kishte cenuar ligjin themeltar të shtetit. Sipas qeverisë dhe të tjerëve në PS, Presidenti ka detyrë vetëm të firmosë emrat që i dërgon kryeministri dhe kthimi i një emri është shkelje kushtetuese. Madje jo publikisht, në PS nisën dhe llogaritë për një nismë parlamentare kundër kreut të shtetit. Një qëndrim i tillë jo vetëm ishte i pamenduar, por siç treguan dhe zhvillimet e mëpasme tërësisht antiligjor. Këtyre akuzave, kreu i shtetit me shumë qetësi iu përgjigj me dokumente zyrtare që faktonin se kryeministri kishte propozuar për ministër një gjeneral aktiv. Sipas Kushtetutës dhe ligjit të Forcave të Armatosura një ushtarak me grada madhore nuk mund të ushtrojë detyra të rëndësishme, si ajo e deputetit apo ministrit. Por kryeministri Edi Rama nuk u ndal me kaq në shkeljen ligjore. Pasi iu refuzua dekretimi i parë, Qeveria miratoi emërimin si zëvendësministër të Brendshëm të Sandër Lleshit, me kompetenca të një ministri. Edhe në këtë rast këmbëngulja e kryeministrit solli një tjetër gafë juridike dhe kushtetutuese. Ashtu si në rastin e ministrit dhe deputetit edhe detyra e zëvendësministrit ndalohet të ushtrohet nga një ushtarak pa dalë më parë në lirim. Ky ngëç kushtetues që u prodhua nga qeveria me vetëdije vendosi Sandër Lleshin në pozitën që të kërkojë vet lirimin duke bërë kërkesë te Ministria e Mbrojtjes dhe te Presidenti i Republikës. Kërkesa e Gjeneral Sandër Lleshit, një ushtarak me karrierë të spikatur, në fakt është dhe prova se gabimi kushtetues ishte bërë nga kreu i qeverisë. Deklaratat e Ramës se ishte Presidenti ai që “shkaktoi krisje” në fakt tregojnë se Kushtetutën e kishte “shqyer” mazhoranca që në fillim.
Ndaj dje, pasi Ministria e Mbrojtjes konfirmoi se Gjeneral Sandër Lleshi mund të dilte në lirim, Presidenti firmosi largimin e tij nga Forcat e Armatosura. Më pas, për Sandër Lleshin si qytetar dhe jo si ushtarak nuk ka asnjë problem për të ushtruar detyrën e ministrit të Brendshëm. Së dyti, vendimi i Presidentit që nga shumë media afër kryeministrit Edi Rama dje u interpretua si “dorëzim” vlen edhe si një leksion për qeverinë “Rama”. Kryeministri që ka marrë “tepsinë”, “timonin” dhe gjithë Shqipërinë në vendimet e viteve të fundit ka treguar se nuk njeh asnjë institucion tjetër. Me një PS që e ka kthyer në aneks që vetëm voton nismat e qeverisë dhe me një opozitë që ngjan si dekor i shoqërisë civile, Presidenti me qëndrimin ndaj një kërkesë antikushtetuese tregoi se arroganca e qeverisë ka një limit. Dhe limiti ka të bëjë me Kushtetutën.
Pra Kushtetuta u zbatua, institucioni i Presidentit rriti autoritetin në publik dhe nga dje kryeministri duhet të mendohet mirë kur të nis propozime në presidencë.