Ky është Ambasadori Amerikan Donald Lu!

 
Nga Nikoll Lesi.
Donald Lu ka më pak se tre muaj që ka marrë detyrën si Ambasador i SHBA-së në Tiranë, por koha  e shkurtër nuk e ka penguar të jetë një nga diplomatët më aktivë amerikan në historinë e këtyre 24 viteve demokraci për zhvillimet politike në vend. Si rrallëherë nga selia diplomatike e SHBA-ve në Rrugën e Elbasanit, brenda pak javësh, janë bërë deklarata që janë cilësuar më të drejtpërdrejtat dhe më të ashprat ndaj klasës politike shqiptare. Ndërsa në raportet ndërkombëtare kritikat gjenden mes rreshtash, Ambasadori Lu u ka thënë në mënyrë të hapur disa të vërteta të frikshme politikanëve shqiptarë. Me një gjuhë të drejtpërdrejtë  ka folur para Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, njëlloj. Ka folur jo vetëm në mënyrë diplomatike ,porse me një sinqeritet, me një pasion për të ndihmuar Shqipërinë, me një pamje të qeshur në dukje, por me një gjuhë të mprehtë fshikulluese për të luftuar të keqen e madhe që ka kapluar vendin tonë; ka thënë “Largoni krimin nga politika! Luftoni korrupsionin!’ dhe duket se nuk do të tërhiqet derisa gjithçka të futet në shinat e drejtësisë. Ky është Ambasador!  Ka thënë se mes njerëzve të tyre në parti (Ramës dhe Bashës,etj) ka kriminelë dhe njerëz të korruptuar. Madje, siç thuhet jo zyrtarisht, për ata kryetar partish që “ngrinin supet” u ka dhënë edhe emrat. Konstatimi i këtij fakti është vetëm njëra anë. Po kaq i angazhuar duket edhe në procesin e dekriminalizimit, që duket se këtë herë ka nisur seriozisht. Ndërsa PD-ja po lodhet duket gjetur variante ligjore për dekriminalizimin që të fshehë problemet e saj me këtë fenomen dhe PS-ja po bën sikur tani e ka kuptuar se ka njerëz me precedentë penalë në radhët e saj, nga selia e Ambasadës Amerikane vijnë mesazhe fshikulluese: Largoni kriminelët e të korruptuarit dhe bëjeni tani!  Tani ose do t’i keni keq më SHBA, por edhe me veten. Më fort, ashtu siç në fakt duhet për politikën shqiptare, nuk ka reaguar asnjë Ambasador i SHBA-ve gjatë së kaluarës.  
 E morën paksa si buzagaz dhe me pamje aktori hollivudi kur përshendeti nga Ëashingtoni apo kur mbërriti në aeroportin e Rinasit dhe thanë nëpër dhëmbë politikanët e Tiranës se duket si një Ambasador i qeshur dhe do ta kemi mirë me atë. Nuk po del ashtu,siç menduan ! Ambasadori Lu sapo ka filluar punë, dhe prisni pasi nuk do të ndalojë në nismën e tij (natyrisht të shtetit që përfaqëson) pasi vendosmeria për të pastruar politikën shqiptare nga krimi është gjesti më burrëror dhe proshqiptar që bën ambasadori. Shqipëria ka nevojë për para, për ndihma e kontribute, ka nevojë për gjithçka. Porse mbi të gjitha ka nevojë të pastrojë politikën nga krimi, mafia, korrupsioni dhe ndëshkim para drejtësisë. Nëse ka një politikë të pastër, nëse zbatohet ligji, nëse vihen në krye të punëve njërëz profesionistë e atdhetarë Shqipëria ecën dhe brenda mandatit të Edi Ramës, por edhe të Ambasadorit Lu fillon një tjetër Epokë. Fillon Epoka e një Shteti ligjor.
Ambasadori Amerikan Lu natyrisht që e njeh mirë se si funksionon politika shqiptare,  ndaj po insiston përditë, bile dikujt i duket se e kalon cakun diplomatik, porse më mirë dikush që të tërheqë veshin dhe të don të mirën se sa një tjetër që thotë “mirë i keni punët” dhe ia shtron drekave si ambasador. Ky  që ka mbërritur në Tiranë duke qeshur e në fillim duke bërë foto edhe si artist, tashmë ka marrë një “shkop” të madh dhe po ua verdallos mbi kokë politikës shqiptare, duke e bërë me pasion e dëshirë të mirë, që krimi të mos ketë më vend në parlament apo kudo në politikë. 
 Me sa shikohet deri tani mund të them pa asnjë hezitim; Prisni e duroni se Ambasadori nuk ndalon, aq me tepër që di edhe vetë gjuhën shqipe!
Kishim nevojë për një Ambasador të tillë.
 
 
 
Deklaratat jo të zakonshme 
 
E para është ajo e datës 2 mars. Deputeti Tom Doshi kishte vetëm pak orë që përjashtua nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Doshi hodhi akuza dhe vuri në pikëpyetje jo vetëm besueshmërinë e qeverisë dhe të kreut të Kuvendit, por gjithë sistemin politik dhe juridik në vend. Në një situatë që ndryshonte nga minuta në minutë dhe nuk kuptohej se çfarë ndodhte, një reagim i shkurtër nga ambasada e SHBA-ve i dha fund spekulimeve. “Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të përjashtuar z.Tom Doshi, i cili pretendohet se është përfshirë në veprimtari kriminale”, – thuhej në njoftim e që fliste më shumë se kushdo tjetër për atë që po ndodhte. Në historinë e qëndrimeve të SHBA-ve ndaj zhvillimeve politike në vend, për shumëkënd ky reagim është cilësuar si më i ashpri. Madje pati nga ata që nxituan të nxjerrin një togfjalësh të harruar nga arkivat e viteve para ’90, duke thënë “se kjo është ndërhyrje në punët e Shqipërisë”. Deklaratat kanë qenë jo të zakonshme, por po aq e jashtëzakonshme ka qenë edhe situata politike në vend këto kohë.  Dhe ishte kjo deklaratë e ambasadës së SHBA që bëri të ulin kokën disa politikanë të lidhur me krimin . Nëse sheh sot pas gati një muaji sesi po rrjedhin gjërat me çështjen “Doshi”, me protesta dhe inskenime, kupton se kjo deklaratë i preu hovin një reagimi politik që mund të keqpërdorej për të sjellë tensione dhe trazira. Jo më kot, situata e ditëve të para të marsit u cilësua e ngjashme me atë të 21 janarit të vitit 2011 ku u vranë katër veta. Dhe ishte gati për të shpërthyer edhe protesta e opozitës së Bashës, nëse nuk do të kishte reaguar Ambasadori Lu.
Kur Prokuroria e Përgjithshme kërkoi autorizimin e Kuvendit për arrestimin e Tom Doshi dhe Mark Frrokut, sërish ambasada amerikane qartësoi situatën përballë akuzave politike dhe një opozite që kishte nisur ta shihte problemin tek Prokuroria. Sipas ambasadës, kërkesa për arrestimin e dy deputetëve ishte “një mundësi e rëndësishme për të demonstruar se asnjë individ nuk qëndron mbi ligjin”. Teksa për çështjen ka nisur një proces gjyqësor. Sërish dje, nuk kanë munguar mesazhet që vijnë nga selia diplomatike e SHBA-ve. Duke inkurajuar organet e drejtësisë për një proces të rregullt gjyqësor, deklarata lë të kutohet se çështja e politikanëve që kanë probleme më drejtësinë, janë të korruptuar apo kanë precedentë penalë nuk ka përfunduar. “Ne vazhdojmë të nxisim të gjitha partitë politike në Shqipëri të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive, si dhe mbështesim përpjekjet e Kuvendit për të hartuar legjislacionin, në përputhje me Rezolutën e 24 dhjetorit 2014”, – thuhet në deklaratën e publikuar dje. 
 
Ambasadori, i veçantë nga paraardhesit
 
Koha e gjatë e pritjes për marrjen e detyrës, duket se e kanë përgatitur për situatën që do të gjendet në Tiranë. Mbërritja në 12 Janar dhe njohja konkrete me terrenin real, mund t’ia kenë përforcuar idenë që ka pasur për Shqipërinë në raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit. Ndryshe nga paraardhësit e tij shfaqet më pak në media.Përveç takimeve zyrtare dhe pjesëmarrjes në aktivitete  ka folur shumë pak në media për zhvillimet politike. Më shumë se qëndrime personale, preferon të flasë me gjuhën e deklaratave zyrtare, që mund të duken “të hidhura”, por nuk janë vetëm fjalët e një ambasadori. Janë qëndrimi i Departamentit Amerikan të Shtetit me gojën e Ambasadorit Lu. Ndërsa deklaratat në media janë të rralla, takimet me politikanët kryesorë në vend, sidomos në në momente delikate, janë të shpeshta. Në 17 mars, pak pas nisjes së protestave të përditshme të PD-së, ish-kryeministri Sali Berisha bënte thirrje për “revolucion dhe shporrje të qeverisë”. Dy ditë më pas ndryshoi tonet e kërcënimeve dhe nxori teroinë e “revolucionit paqësor”. Protestat u rralluan dhe demokratët moderuan gjuhën politike. Çfarë kishte ndodhur? Më 18 mars, në zyrën e ish-kryeministrit ishte zhvilluar një takim me ambasadorin amerikan Lu. Nuk mund të thuhet me saktësi se cila ka qenë “porosia” e ambasadorit për Berishën, pasi mund të spekullojmë, porse duke parë faktin se një ditë përpara protestës kishte dalë Berisha për “marrje të pushtetit” dhe ishin përgatitur edhe me armë të vinin në protestë.Të nesërmen asgjë nuk ndodhi . Protesta dhe vetë Berisha ishin si “dy qingja”, të urtë.  Nëse duam të spekullojmë mund të  themi se ambasadori mund ti ketë qetë e duke buzqeshur “ Kujdes! Mos e kalo sensin e masës!”. Por nuk po e themi këtë, ndonëse edhe mund ta hamëndësojmë si gazetar. 
 
 
Kush është ambasadori Lu
 
Donald Lu u betua si Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë më 17 dhjetor 2014.  Përpara kësaj detyre, ai ka punuar për krizën e sëmundjes Ebola në Afrikën Perëndimore ku ishte zëvendës-koordinator në zyrën e Ndihmës për Ebolën në Departamentin e Shtetit. Detyrat dhe punët e tij të mëparshme jashtë Shteteve të Bashkuara përfshijnë zëvendës-shef të Misionit në Indi, Azerbajxhan dhe Kirgistan.  Ai gjithashtu shërbeu për një vit si i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Azerbajxhan.
Ambasadori Lu është një zyrtar i Shërbimit të Jashtëm me 25 vjet eksperiencë pune në shërbim të qeverisë amerikane, duke përfshirë edhe detyra në Pakistan, Indi, Gjeorgji, Kirgistan, Azerbajxhan dhe Uashington. Ai gjithashtu ka shërbyer si vullnetar i Korpusit të Paqes në Sierra Leone, në Afrikën Perëndimore nga viti 1988 deri më 1990. Si vullnetar i Korpusit të Paqes ai ndihmoi për të rivendosur në punë puset e ujit të gërmuara me dorë dhe ka ndihmuar në mësimdhënien për edukimin mbi çështjet shëndetësore dhe ndërtimin e banjove publike.
Ambasadori Lu është nga Huntington Beach në Kaliforni. Ai është diplomuar në Universitetin Princeton me master dhe bachelor në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai është i martuar me dr.Ariel Ahart, një specialiste e njohur në shëndetin publik. Ata kanë dy fëmijë, Kip-in 13 vjeç, dhe Aliya 9 vjeç. Ai flet shqip, rusisht, gjeorgjisht, azeri, urdu, hindi dhe krio të Afrikës Perëndimore. Atij i pëlqen çiklizmi, të shikojë filma, të udhëtojë dhe të kalojë kohë me familjen e tij.
 

SHKARKO APP