Lamtumirë mandatit, kryebashkiakë 8 vjeçarë!

 

Kur mbeten edhe më pak se katër muaj nga çelja e fushatës për zgjedhjet vendore  dy kampet kryesore politike janë duke testuar elektoratin për të përzgjedhur kandidatët më potencialë. Në korridoret e tre partive kryesore të PS, PD, LSI qarkullojnë këto ditë lista të ndryshme me emrat e njerëzve që pritet të kandidojnë. Deri në javët e para të muajit maj, kohë e cila është dhe afati i fundit për dorëzimin e kandidatëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, dhjetëra emra pritet të hyjnë apo të fshihen nga listat që kanë në kokë kryetarët e partive. Megjithatë për disa emra vendimi duket se është marrë, edhe pse jo në mënyrë përfundimtare. Dilema më e madhe zhvillohet në Partinë Socialiste. Në 10 nga bashkitë kryesore të vendit, pas Tiranës, të majtët kanë rreth 12 vjet që qeverisin me të njëjtët emra. Kryeministri Edi Rama ka nisur në këto qarqe rivitalizimin e terreneve dhe projektet madhore urbane prej një viti. Por projektet e qeverisë nuk mjaftojnë për të bindur qytetarët se edhe për 4 vite të tjera duhet të kenë si administratorë lokalë të njëjtët emra. Por konsumimi në publik nuk është problemi i vetëm. Gjatë qeverisjes së këtyre viteve, bashkiakët e majtë kanë qenë në qendër të akuzave dhe padive për abuzime dhe shpërdorim detyre. Madje, paditë ironiksht janë bërë edhe gjatë qeverisjes së re të Partisë Socialiste. Njërëzit duan të shikojnë në krye të bashkive emra të rinjë, që nuk kanë asnjëherë kryetar bashkish, ndonëse i duan emra që të kenë autoritet premtues, emra administrues  dhe me një CV të njohur që janë të spikatur nga fusha të ndryshme. Por janë mërzitur me të njëjtat fytyra tash katër apo tetë vite.Aq më keq që ka disa edhe me 12 vite në krye të pushtetit vendor, a thua u ka mbirë karrika në prapanicë! Natyrisht që nuk mund të mohohet puna e disave, se janë qytetarët që i vlërësojnë më tepër, por ka edhe një kufi kur një administrues pushteti vendor duhet ta kuptojë se i mërzitet edhe familjes së tij duke e parë përherë e përditë e përvite në Tv lokal apo qendror! Është e vështirë të ikësh nga karrika ku je mësuar, por duhet ta lëshosh se rrezikon edhe forcën tëndë politike, edhe emrin tënd, por mbi të gjitha shkatërron nervat e elektoratit që të voton për hir të forcës politike ku militon apo e beson.

Kandidatët e rrezikuar tek e majta

I pari në listën e kandidatëve që nuk mund të rikandidohet është kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Pas një sage gjyqësore për lejet e ndërtimit, Gjika nuk shihet më si kandidati potencial i së majtës. Edhe pse gjykata e shpalli të pafajshëm për akuzat e ngritura, duket se marrëdhëniet e Gjikës me Kryeministrin dhe kreun e PS-së, Edi Rama nuk janë më ato të viteve të mëparshme në opozitë, kur Gjika cilësohej si një nga pikat më të forta mbështetëse në elektorat të PS-së, për betejat e saj kundër qeverisjes “Berisha”. Arsyet e prishjes së marrëdhënieve Rama-Gjika, duket se lidhen edhe me ndikimin e deputetëve të rinj të PS-së në Qarkun e Vlorës, ku ligjvënësit e PS-së kërkojnë që fjala e tyre të ketë peshë edhe në zgjedhjet vendore. Dhe deputeti kryesor në këtë qark Koço Kokëdhima ka të tjerë emra në kokën e tij për në Vlorë.

Kandidati tjetër që rrezikon kandidimin shtë drejtuesi prej dy mandatesh i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Ndryshe nga rasti i Gjikës, moskandidimi i Dakos nuk varet nga marrëdhëniet me kreun e PS-së dhe Kryeministrin Edi Rama. Pas disa muaj tensionesh, mes dy figurave të PS-së marrëdhëniet janë normalizuar. Por PS-së dhe Ramës në Durrës i duhet të zgjedhë mes simpative personale dhe rrezikut për të humbur bashkinë e Durrësit, e cila pas Tiranës është më e madhja në vend për nga numri i banorëve dhe fluksi i investimeve. Hyrja e mundshme në garë e Agron Dukës në radhët e së djathtës, ka komplikuar llogaritë e së majtës. Duka është mjaft i favorizuar në Durrës, për shkak të lidhjeve me elektoratin e majtë dhe aleat tjetër ka edhe konsumimin që pushteti u bën kryetarëve të vjetër. Por Agron Duka ka edhe Lefter Kokën njeri të familjes dhe nuk ka kurrsesi që të dalë kundër fisi Koka ndaj Dukës. Jetojmë në Shqipëri! Ndaj Durresi duket i humbur për PS me Agron Dukën përballë. Vendimi për kandidimin e Dakos do të merret në fund nga Edi Rama, por përveç pëlqimeve personale dhe mbështetjes që Dako ka në Kryesinë dhe forumet drejtuese të PS-së, Ramës do t’i duhet një figurë që nuk e rrezikon të majtën në Durrës.

Kandidatura e tretë që rrezikon të mos përfshihet nga PS-ja është ajo e Qazim Sejdinit në Elbasan. I zgjedhur në vitin 2007 në krye të Bashkisë, Sejdini ka dy mandate në drejtimin e njërës prej bashkive më të rëndësishme në vend. Rikandidimi i tij kushtëzohet nga dy arsye. E para, ka të bëjë me faktin se një pjesë e deputetëve të majtë kanë pasur rezerva më mënyrën e menaxhimit të pushtetit në këtë bashki. Dhe më kryesori duket se është Ben Blushi, deputeti aktual i Elbasanit. Ndërsa e dyta, lidhet edhe me qëndrimin e LSI-së. Qarku i Elbasanit dhe kryesisht bashkia kryesore patën një rritje të frikshme të votave të Lëvizjes Socialiste për Integrim, çka bën që kjo forcë politike të ketë edhe pretendimet për zgjedhjet e kandidaturës. Në mos për zgjedhjen e emrit, të paktën për pëlqimin formal.

Kandidatura e katërt e majtë në bashkitë kryesore që mund të mos kandidohet është ajo e Baftjar Zeqos në bashkinë e Fierit. Më shumë se kandidimi, Zeqos tashmë i intereson mbyllja e një procesi gjyqësor që ka nisur një muaj më parë për shpërdorim detyre. Zëra në selinë e PS-së në Fier thonë se “padia” ishte një sinjal për të frenuar ambicjen e tij për kandidim. Emri tjetër për Fierin është gjetur.

Kandidatura tjetër që përflitet, më e mundshme e socialistëve është ajo e qarkut të Gjirokastrës. Flamur Bime është në fundin e mandatit të tretë të tij në këtë qytetet dhe për vetë socialistët cilësohet si një periudhë e mjaftueshme për të zgjedhur një përfaqësues tjetër të qytetit pas 12 vitesh. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për bashkinë e Beratit, kreu i së cilës e mban këtë detyrë që nga viti 2003. Veç konsumimit nga pushtetit, Nasifi nuk shihet më si kandidat edhe për shkak të rritjes së faktorit LSI. Në këtë qark, LSI-ja duket se ka piketuar një prej deputetëve të saj aktualë për kryetar bashkie.

Listës së kryetarëve të bashkive që nuk kandidojnë, edhe pse në zgjedhjet e vitit 2011 rezultuan të sukseshëm, i shtohet gjithashtu edhe kreu i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tusha, si dhe kreu i Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi. Kreu bashkiak lezhjan ndonëse thuhet se e ka të siguruar kandidimin nga Ilir Meta, por kush e njeh mirë situatën në Lezhë, nuk është ashtu siç i pikturohet kreut të LSI. Përveç konsumit pothuaj 8 vjeçar si bashkiak, ndonëse ka bërë edhe punë të mira,Viktor Tusha ka një problem që vlon brenda socialistëve lezhjanë; gjithë postet drejtuese në pushtetin e drejtorive të rrethit i ka përlarë LSI dhe PS flet nën dhëmbë se ka mbetur pa punë. Konkluzioni është se nuk do të dalin në votime socialistët duke bërë të mundur fitoren e kandidatin të PD-së, ku ndër më të lakuarit nga opozita janë Salvador Kaçaj, Preç Zogaj, Fran Frroku, Llesh Kola, Gjok Uldedaj dhe kryetari i qarkut.

Kandidatët e rrezikuar tek e djathta

Ndërsa tek e majta një pjesë më e madhe e debateve bëhet për bashkitë e madha, tek e djathta listat e kandidatëve pritet të ndryshojnë thuajse gjithë kandidaturat. Bashkia kryesore është ajo e Shkodrës, që drejtohet nga Lorenc Luka, ku PD-ja edhe pse e ka cilësuar si bastion të saj, në zgjedhjet e fundit parlamentare humbi bindshëm. Aq më tepër që Luka njihet si mbështetës i hapur dhe i vjetër i Jozefina Topallit. E në këtë rast nuk fal Lulzim Basha që nuk don ta shikoj me sy Topallin. Për këtë arsye në selinë blu po shihet mundësia e një kandidimit të një profili më të lartë politikë. Në zgjedhjet e kaluara PD-ja fitoi në rreth 25 bashki të konsideruara të vogla. Për shkak të ndarjes së re territoriale, balancat politike kanë ndryshuar dhe një pjesë e këtyre njësive nuk janë më. Nisur nga kjo, PD-ja pritet të ndryshojnë shumicën e kandidaturave aktuale, duke u hapur rrugën dhe ish-deputetëve apo ish-zyrtarëve që qeverisjes së tetë viteve të mëparshme.

PD e ka test të fortë këtë rradhë në zgjedhje pasi është vetëm Lulzim Basha që do të testohet para vetes, Berishës,PD dhe publikut. Ndaj mendohet se Basha do të përzgjedhë figura publike me mbështetje të fortë në elektorat e në media që ti fitojë zgjedhjet edhe më hartën elektorale të Edi Ramës që më pas të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Loja ka filluar! Emrat po shoshiten në "shoshën" e Edi Ramës, Lulzim Bashës dhe Ilir Metës.

 

 

SHKARKO APP