Lamtumirë portale anonime ! Regjistrohuni ose do të mbylleni !

Një nismë e Partisë Socialiste për zgjedhjet e ardhshme pritet të rregulloj kaosin që ekziston aktualisht në median online. Në propozimet e bëra nga selia rozë për amendimin e Kodit Zgjedhor propozohet që të gjitha portalet online, të cilat nuk janë të regjistruara dhe nuk njihen nga Bordi i Monitorimit të Mediave, nuk do lejohen të bëjnë fushatë elektorale. Dhe është absolutisht e drejtë që të bllokohen cilindo që nuk regjistrohet, që nuk jep adresën, emrin e botuesit,etj. Dhe sejcili prej tyre të respektoj rregullat e medias ku nuk mund të shahet apo shpifet sepse penalizohesh. I bën dot një botues mediash të shkruara shpifje dhe komente të ndyra? Jo, sepse mënjëherë shkon në gjykatë për dëmshpërblim. Ndaj edhe portalet të zbatojnë të njëjtat rregulla. Natyrisht që sejcili ka të drejtën kushtetuese të thotë mendimin e tij, të kritikojë, investigojë për këdo, aq me shumë për qeveritarët, por sëpari të licensohet, pra të jetë në rregull me ligjin. Nuk mundet të ecet kështu në këtë botë kaosi mediash online ku mediat online nuk regjistrohen, por shkruajnë, sajojnë, fyejnë, leçisin kë duan dhe masakrojnë me të gjitha bateritë familje, persona.

“Ndalohet përdorimi i portaleve elektronike të pakontrolluara nga Bordi i Monitorimit të Mediave për propagandë zgjedhore. Autoritet shtetërore marrin masa për mbylljen gjatë fushatës zgjedhore të portaleve elektronike të paregjistruara të cilat përhapin propagandë zgjedhore, zhvillojnë sondazhe pa respektuar rregullat e këtij kodi, apo kalojnë kufirin e informimit dhe konsiderohen propagandë zgjedhore”,- thuhet në nenin 10 të amendamentit të PS. E thënë ndryshe, portale anonime do të mbyllen nga shteti nëse bëjnë propagandë gjatë muajt  të fushatës.

Por çfarë janë portalet anonime dhe si funksion ky treg në Shqipëri? Në një studim të disa muajve më parë numëroheshin rreth 800 portale në Shqipëri, të cila si rregull duhet të shërbejnë për informim. Në këtë shifër llogariten portalet që kanë si aktivitet kryesor informimin dhe raportimin e ngjarjeve. Por edhe pse është një shifër relativisht e madhe, vetëm një pjesë e vogël e tyre plotësojnë kriteret etike dhe normat ligjore për t’u cilësuar faqe informative apo agjenci lajmesh. Falë lehtësirave që krijon interneti dhe mungesa e një legjislacioni efikas në këtë sektor, kushdo mund të hapë një ueb për të shpërndarë informacione. Problemi është se të gjitha këto portale e cilësojnë vetën agjenci lajmesh, në kohën që nuk plotësojnë asnjë nga kushtet. Bile janë portale sharjesh e shpifjesh.

Problemi i parë i portaleve të tilla është anonimati. Janë faqe online që përveç emrit në internet nuk kanë asnjë adresë zyrtare. Nuk janë të regjistruara në gjykatë, nuk kanë emër botuesi, nuk figurojnë si biznes në asnjë zyrë të shtetit dhe sigurisht që nuk paguajnë as taksa dhe nuk kanë asnjë kontakt me institucionet. I gjithë procesi kryhet në informalitet të plotë vetëm duke paguar një agjenci private të shërbimit të internetit. Kjo nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë. Ligji duhet t’i penalizojë jo vetëm këto portale anonime, por edhe vetë agjensitë e shërbimit të internetit.

Problemi i dytë është prodhimi i lajmeve të rreme. Në këto portale gjithmonë mungon autorësia e lajmit. Nuk kanë asnjë element profesional gazetaresk dhe të gjitha publikimet rezultojnë sajesa ose shpije ndaj individëve të caktuar dhe personazheve publikë. Nëse e kanë inatin me dikë këto portale shkruajnë, sajojnë, komentojnë dhe shkatërrojnë duke mos patur asnjë fakt. Janë lajme të rreme që pasi publikohen në faqe anonime merren nga ueb-e të tjera. Dhe me pas bëhen zinxhir ueb-esh që nisur nga një lajm portali anonimat bëhet “tërkuzë” online. Ndërkohë që financimi i tyre është i pazbardhur për sa kohë nuk dihet se kush i ka në pronësi. Shpreh herë lajme të tilla të sajuara dhe pa asnjë mundësi verifikimi qarkullojnë në rrjetet sociale dhe duke u lexuar edhe më shumë se raportimet e mediave të tjera serioze.

Portale të tilla u kthyen në një problem real edhe për fushatën e zgjedhjeve në SHBA. Studimet e organizatave të mediave në Amerikë arritën në përfundimin se shumica votuesve, gjatë fushatës ishin informuar më shumë me lajme të rreme nga portale të tilla dhe jo me raportime nga mediat serioze.

Por pa shkuar shumë larg në SHBA, edhe në Shqipëri, gjatë zgjedhjeve të vitit 2013 u vu re fenomeni i lajmeve të rreme. Kryesisht kandidatë të dy kampeve u vunë në qendër të sajesave dhe thashethemeve vulgare që qarkullonin në portale anonime dhe rrjete sociale. Në një rast një portal anonim shkroi se iks person ishte parë një ditë me parë në Tiranë duke marrë një çantë me dollarë tek ish-kinostudio, ndërkohë që personi i cili akuzohej kishte një muaj që ishte në spital në Romë. Në mungesë të një legjislacioni të saktë, ndaj këtyre portaleve nuk pati asnjë masë nga institucionet. Me rritjen e përdoruesve  të internetit në Shqipëri kërcënimi real mbetet informacioni i rremë dhe sulmet pa fakte  në median online.

Ndaj nisma e Partisë Socialiste për rregullimin e këtij tregu kaotik duhet mbështetur. Sigurisht, një propozim i tillë ka nevojë të qartësohet dhe të saktësojë sesi nuk do të prekë lirinë e shprehjes, por një masë e tillë është e vetmja mënyrë për të vendosur kritere të qarta.

Cilido që regjistrohet në gjykatë, më pas në QKR, që paguan taksat sipas numrit të punonjësve  të punësuar (qoftë edhe për veten e tij), që jep adresën në portal dhe që respekton ektikën në media, le të vazhdojë. Të tjerët të mbyllen pa asnjë mëshirë. Dhe nuk ka asnjë shkelje të lirisë së medias në këtë rast.

SHKARKO APP