PS me Presidentin Ilir Meta, ministri Ditmir Bushati me Greqinë

-Komisioni Parlamentar i Politikës së Jashtme i përbërë nga PS-PD-LSI u shpreh dje publikisht pro kërkesave të Kryetarit të Shtetit, Ilir Meta.

-Ministri Ditmir Bushati duhet të mësojë nga profesionalizmi i ish-ministres Mimi Kodheli, e cila deri në minutat e fundit kur u krijua qeveria “Rama2”, në shtator 2017, ishte në listë për ministre e Jashtme.

Takimi i djeshëm i deputetëve të Komisionit Parlamentar për Punët e Jashtme me Presidentin, Ilir Meta ka nxjerrë në pah dhe qëndrimet kontradiktore që ka mazhoranca për paktin detar me Greqinë.  Komisioni i Jashtëm drejtohet nga ish-ministrja e Mbrojtjes dhe deputetja me përvojë në politikën e Jashtme Mimi Kodheli. Në fund të takimit me Presidentin e Republikës, ajo që ra në sy ishte qëndrimi i deputetes Mimi Kodheli. Ndryshe nga sa deklaron ministri Ditmir Bushati, i cili këto ditë ka shfaqur pakënaqësi ndaj Presidentit për mos’dhënien e autorizimit për negociata, Kodheli ishte dakord 100 për qind me qëndrimin e kreut të shtetit. Në deklaratën e saj për mediat, Kodheli tha se “ne kemi dëgjuar me vëmendje atë çfarë Presidenti tha; personalisht si deputete, si kryetare e Komisionit të Politikës së Jashtme ndaj të njëjtin opinion me të”. Po ashtu, Kodheli ka qenë dakord me të gjitha kërkesat që Presidenca ka parashtruar lidhur me negociatat para se të japë Plotfuqishmërinë, sipas Kushtetutës.

Në cilësinë e drejtueses së politikës së Jashtme në Kuvend, ish-ministrja Mimi Kodheli i ka dhënë të drejtë gjithë qëndrimeve të Presidentit për negociatat me Greqinë. Ndërkohë, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, e drejtuar nga Ditmir Bushati ka mbajtur këto ditë qëndrime kundër institucionit. Sipas, Ditmir Bushatit, Presidenti nuk mund të kërkojë kaq shumë informacione, por duhet t’ja lërë në dorë procesin e negociatave ministrisë së tij. Gjithashtu, Bushati ka theksuar se emrat e propozuar në grupin negociator nuk mund të diskutohen në publik. Presidenti në qëndrimet e tij ka kërkuar më shumë transparencë institucionale dhe është mbështetur në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili është detyrues njëlloj si Kushtetuta e vendit. Ndërkohë, Bushati i referohet një ligji të vitit 2016 që duket se është miratuar enkas për të shkaktuar paqartësi në lidhje me marrëveshjet për caktimin e territorit detar me fqinjët.

Prej disa javësh Ministria e Jashtme, Kryeministria dhe mediat afër mazhorancës kanë nisur një sulm ndaj institucionit të Presidencës lidhur me dhënien e autorizimit, edhe pse Presidenti vetëm kërkon zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Por qëndrimi i djeshëm i Mimi Kodhelit sjellë një panoramë krejt tjetër. Në emër të komisionit që ajo drejton dhe deputetëve të PS-së, Kodheli ka rrëzuar gjithë kritikat që i janë bërë kreut të shtetit. Ndryshe nga eprorët e saj që janë sot në poste drejtuese në qeveri, Kodheli ka qenë e qartë kur tha se kërkesat e kreut të shtetit janë të ligjshme. Ajo ka përkrahur dhe propozimin e Presidentit për të pasur në negociata më shumë njerëz që vijnë nga bota akademike dhe janë njohës të së drejtës ndërkombëtare të detit.

Duke dëgjuar argumentet shpjeguese të një deputete dhe ish-ministre të PS-së që i jep të drejtë kreut të shtetit për negociatat me Greqinë, nuk kuptohet këmbëngulja e Ministrisë së Jashtme për të anashkaluar institucionin e Presidentit. Nga njëra anë përfaqësuesja e PS-së mbështet Presidentin në të drejtën kushtetuese për më shumë transparence, kurse nga ana tjetër ministri i PS-së kundërshton Presidentin duke dashur të mbyllë sa më shpejt marrëveshjen e re me Greqinë, ndërkohë që flitet për dhënie territori shtetror. Duket sikur PS-ja është në krah të Presidentit që kërkon mbrojtjen e interesit të vendit duke u bazuar të Kushtetutë, kurse ministri Ditmir Bushati po sheh vetëm interesin e Greqisë për të mbyllur sa më parë një pakt të paqartë. Ky qëndrim i ministrit bëhet dhe më absurd duke pasur parasysh kërkesat e Presidentit, i cili nuk është kundër marrëveshjes dhe as kundër nënshkrimit të saj sa më shpejt, por kërkon vetëm transparencë institucionale dhe kujdes pasi flitet për ujëra territorial shqiptare, të cilat i kërkon Greqia.

Fakti që krejt anëtarët e komisionit parlamentar të politikës së jashtme, komision i cili përbëhet nga PS, PD dhe LSI, u shprehën publikisht hapur pro Presidentit të Republikës tregon se institucioni i Presidentit është kushtetues edhe në këtë çështje madhore për Shqipërinë.

Ndaj ministri Ditmir Bushati të jetë më bashkëpunues dhe i kujdesshëm kur flet në media, pasi nuk mund të thotë për Kryetarin e Shtetit, fjalë, të cilat nuk duhet të dalin nga goja e një dilentati e jo më ministrit të Jashtëm.

Mimi Kodheli dha dje një leksion për Ditmir Bushatin, por edhe për një pjesë të deputetëve të PS-së, të cilët nuk kanë as diplomë e jo më të japin mend për politikën e jashtme.

Në fund të fundit Mimi Kodheli është një politikane karriere dhe me integritet. Por duhet që ministri Bushati të mësojë nga profesionalizmi i ish-ministres Kodheli, e cila deri në minutat e fundit kur u krijua qeveria “Rama2”, në shtator 2017, ishte në listë për ministre e jashtme.

Edi Vunoi

 

SHKARKO APP