Idetë dhe librat e Blushit përballë dollarëve të Gjergji Bojaxhiut

Skandali i mashtrimit të disa kompanive të tregtimit të karburanteve në vend ka zbuluar skemën sesi politika dhe biznesi funksionojnë në ndërthurje prej vitesh në Shqipëri. Në një nga rastet e dyshuar të transfertave ilegale të parave, sipas policisë, është ish-zëvendësministri i Ekonomisë, Gjergj Bojaxhi.  Historia nis me periudhën kur Bojaxhi negocionte në emër të qeverisë shqiptare një marrëveshje me kompanitë e huaja të naftës. Më pas nga negociator i qeverisë “Berisha”,Bojaxhi del bashkëpunëtor dhe aksioner në biznesin e tregtim të karburanteve. Vetëm disa muaj më parë, biznesi i tij rezultonte me qarkullime marramendëse qindra miliona dollarësh.Edhe mbrëmë përballë Sokol Ballës në “Top Story” Gjergji Bojaxhiu shpjegoi se ka transferuar e qarkulluar dhjetra milionë dollarë, bile theksoi se jam në rregull me ligjin. Por pyetjet e Ballës e turbulluan keqas në disa raste, ndonëse zakonisht shqiptaro-amerikani Bojaxhi nuk e ka zakon të sikletoset apo ti merret goja siç disa herë tregoi në “Top Story”. Sokol Balla është gazetar VIP dhe pyetjet i bën të këtij niveli, paçka se kur e pyeste për milionat e dollarëve që qarkullon edhe cash (para në dorë) e shikonte në bisht të syrit si në mosbesim, duke thënë se “janë shumë para” dhe nuk besohesh. Nuk ia tha troç, porse mënyra e pyetjeve tregonin se Sokol Balla, si dhe të gjithë shqiptarët , nuk e besojnë Bojaxhiun ndonëse flet sikur po mendon për hallet e popullit shqiptar. E drejta e tij të bëjë biznes, ashtu sikurse të bëjë opozitën apo oponencën e politikës, porse pikësëpari duhet të jesh në rregull me ligjin shqiptar. Sipas policisë ai ka mashtruar e pastruar para në shuma të mëdha, akuzë që pritet të hetohet edhe nga Prokuroria.

Nëse Bojaxhi i ka letrat në rregull, siç edhe thotë, është në të drejtën e tij të bëjë biznes dhe le të fitojë sa më shumë. Problemi është se Bojaxhi nuk është një individ që këto kohë është marrë vetëm më biznes. Të gjithë e njohin si kandidat për në Bashkinë e Tiranë, ideatorin e një lëvizje qytetarë dhe së fundi si kryetarin e një partie të re që kishte nisur të themelohej. Në media, prej gati 4 vjetësh cilësohej “si ylli në ngjitje” i politikës. Në sondazhe çuditërisht renditej edhe më lartë se partitë që kanë 25 vjet në skenën politike. Në media, i lihej një hapësirë e konsiderueshme, madje dhe në kulmin e fushatës elektorale, kur çdo minutë llogaritet me mijëra euro. Të gjitha këto lëvizje, edhe pse vetë Bojaxhi deklaronte se ishin bërë më paratë e mbledhur në mënyrë vullnetare, në fakt tregojnë tjetër gjë. Duket se paratë mund të kenë gurgulluar nga tjetër “përrua”. Por amerikani Bojaxhiu kishte edhe doza sarkazme ndaj hetimit shqiptar se gjoja janë të paaftë, bile tha se po të doni me sillni “makinën e së vertetës” ( poligrafin) dhe do ta dal i pastër nga akuzat !

Dyshimi është se paratë e një biznesi të nisur në mënyrë të dyshimtë, sipas dosjes hetimore, janë venë në lëvizje për t’u kthyer në një faktor politikë.  Për tu imponuar në shoqërinë civile, për të blerë hapësirën në media dhe së fundi për t’u zgjedhur në organet vendimmarrëse. Kjo është skema perfekte sesi biznesi i imponohet politikës, duke arritur që me burime të paqarta financimi të prodhojnë lëvizje politike nën petkun e “Shoqërisë civile”.Media këto raste, në vend që t’i denoncoj, i shet në opinion si modele të politikanëve të rinj që do të na shpëtojnë nga bllokimi që i kanë bërë skenës politike PS ,PD dhe LSI.

Hyrja e Bojaxhi në politikë është një karrierë e financuar në mënyrë të dyshimtë (gjithnjë referuar dosjes së publikuar) dhe që rivalizon edhe politikanë të tjerë që realisht qëndrojnë larg skemave të tilla. Rasti më konkret është i Ben Blushit. Vjen në politikë me një karrierë të gjatë dhe synon të ndryshojë sistemin nga brenda. Në polikë kanë qëllime krejtësisht të kundërta. Blushi synon të përmirësojë realisht situatën, ndërsa Bojaxhi vjen në polikë, si zgjatim i interesave të biznesit. Blushi reagon ndaj keqqeverisjes, ndërsa Bojaxhi reagon për të “qeverisur” më mirë biznesin e tij. Blushi sulmon politikën aktuale në PS dhe PD sepse realisht duhet përmirësim, ndërsa Bojaxhi pas çdo akuze ka llogaritur interesat e kompanive të tij. Blushi vjen në politikë me ide, ndërsa Bojaxhi me para. Bile me kaq shumë miliona dollarë, sa do t’i ikte mendja çdo biznesmeni në Shqipëri. Blushi kërkon një qeverisje më të mirë, ndërsa Bojaxhi kërkon të ndikojë tek qeverisja për të pasur ca biznese më shumë. Kjo del edhe nga debati mbrëmë në “Top Story”, sepse Sokol Balla mjeshtërisht e shkatërroi duke e nxjerrë bllof në argumentat që Bojaxhiu përdori.

Jo rastësisht kur Ben Blushi nisi të shprehte hapur pakënaqësinë ndaj qeverisjes aktuale dhe u fol për krijimin e një lëvizje të re politike, ish-kandidati për Bashkinë e Tiranës, Gjergj Bojaxhi lançoi idenë e krijimit të një force të re politike. Ishte një mënyrë e Bojaxhiut për të ulur peshën e ndikimit të një politikani karriere dhe intelektuali si Ben Blushi , të cilin sondazhet e tregojnë shumë lart në publik. Apo “dikush” e futi në lojën politike Bojaxhiun për t’u mbrojtur nga akuzat?

Nëse në parlament u futën deputetë pa shkollë e me CV kriminale si vrasës apo trafiktanë dhe u bë gjithë kjo luftë trevjeçare derisa erdhi ligji i dekriminalizimit,tani duket se loja mafioze është përfeksionuar në nivele të larta. Nga shteti në biznes, nga biznesi në politikë për mbrojtur dhe pastruar paratë e pista dhe do të ndodhemi para një situate ku “krimi intelegjent” do të marrë pushtetin politik.

Ndaj nëse akuzat e policisë rezultojnë edhe nga prokuroria të sakta, atëhere nuk ka pse heziton asnjë sekondë Kryprokurori. Prangat vendosin drejtësi! Dhe jo vetëm deri këtu, por ka nevojë që prangat të kërcasin kudo në biznes dhe politikë, të cilët mashtrojnë, pastrojnë para dhe nga ana tjetër bëjnë sikur “digjen” për hallet e popullit.

Ben Blushi me libra dhe ide, ndërsa Gjergji Bojaxhiu me “pastrim parash” janë si nata me ditën në politikë e në publik.

Spiten Prulli

 

SHKARKO APP