Ligji i ri: Të gjithë të përgjuar

Eshtë folur shumë për përgjimet. Tashmë u bë modë përgjimi, ndonëse jo ligjor. Por me ndryshimet në ligjin e ri “për komunikimet elektronike” çdo njeri do jetë me ligj i përgjuar. Preteksti gjendet si ta duash. Kjo ka sjellë përplasjen mes aleatëve qeverisës PS e LSI. Një nismë e ndërmarrë nga ministri i Brendshëm, Saimir Tariri dhe ajo e inovacionit, Milena Harito, kërkon t’u japë disa institucioneve akses të drejtpërdrejtë në tabulatet e përdoruseve të telefonave.

Në draft thuhet se kjo bëhet në emër të ruajtjes së sigurisë kombëtare dhe luftës kundër terrorizmit. Në listën e insttiucioneve që do të kenë akses në tabulatet telefonike përfshihet edhe policia e shtetit.

Ministri Manjani ka kundështuar nismën dhe ka kërkuar rishikim të saj. Në draft, në pikën 10 thuhet se “të dhënat që ruhen në këto skedarë duhet të vihen në dispozicion të Gjykatës, Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore, sipas kërkesës së tyre edhe në formë elektronike, brenda 7 ditëve nga paraqitja e kërkesës sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës penale”.

Pas pikës 6, shtohen dhe pikat 7,8,9 dhe 10 me këtë përmbajtje:

7. “Përveç sa parashikohet në pikën 6, të dhënat për: identifikimin e pajtimtarit kur dihet numri dhe adresa e IP; identifikimi i pajisjeve apo adresave të IP për një pajtimtar të dhënë; identifikimi i vendndodhjes së një pajisjeje fundore apo IP, u vihen në dispozicion autoriteteve të përcaktuara në pikën 6, sa më parë, por në çdo rast jo më vonë se 24 orë nga paraqitja e kërkesës.

8. Për nevojë të ruajtjes së sigurisë publike dhe kombëtare, parandalimit të krimeve të rënda dhe akteve terroriste, të dhënat e përcaktuara në pikën 7, ju vihen në dispozicion nga sipërmarrësit e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike publike, Shërbimeve Informative dhe të Inteligjencës, Policisë së Shtetit dhe Policisë Ushtarake jo më vonë se 24 orë nga paraqitja e kërkesës së tyre.

9. Informacioni kërkohet dhe u jepet personave të autorizuar nga titullarët e shërbimeve dhe njësitë e përmendura në pikën 6 të këtij neni, në një formë të verifikueshme”.

Pika 8 e draftit përcakton se tabulatet duhe t’i vihen edhe policisë në dispozicion. Por ministri Manjani, në përgjigjen dërguar nismëtarëve shprehet i shqetësuar. Ai kërkon të specifikohen llojet e veprave penale për të cilat mund të kërkohet ky lloj informacioni nga policia apo institucione të tjera ekzekutive.

“Kjo do të sillte një përkeqësim të pariparueshëm të nivelit të ruajtjes së fshehtësisë së komunikimeve dhe të dhënave personale, për sa kohë aksesi u jepet organeve ekzekutive të emëruara pa asnjë ndërhyrje në organet kushtetuese. Këto parashikime nuk e kanë kufizuar detyrimin e ruajtjes së të dhënave. Gjykojmë se duhet të ishin parashikuar llojet e veprave për të cilat mund të kërkohen këto të dhëna, pasi në të kundërt gjithë procesi rrezikon të kthehet në abuzim, nisur  nga fakti se për cdo dyshim apo të dhënë lidhur me një lloj vepre penale, propozohet të jepet e drejta për të kërkuar këtë informacion. Përfundimisht sugjerojmë rivlerësimin e nismës”, shprehet Manjani.

Nëse nuk do të ketë ndryshime, drafti i ndryshimeve në ligjin “për komunikimet elektronike” pritet të sjellë përplasje të hapura dhe të forta mes PS e LSI kur ai të diskutohet në komisionet parlamentare. Dhe nuk mendohet të marrë numrin e nevojshëm për tu votuar.

SHKARKO APP