Liria e Shtypit/ Koha e Saliut dhe koha e Ramës
Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Medias kanë reaguar të gjithë, edhe ata që shkelin lirinë e shtypit.
Fillimisht reagoi Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ku në postimin e tij në Facebook kishte mesazhe kritike për qeverinë Rama për gjendjen e lirisë së shtypit në vitet e fundit. Ndër të tjera Presidenti Meta shkruan se “Shtypi ynë sot, edhe sipas këtyre organizatave, është më pak i lirë dhe i pavarur, mediat goditen nga retorika agresive dhe kërcënuese, rastet e dhunës ndaj gazetarëve janë shpeshtuar dhe tentativat për të përdorur fondet publike për të kontrolluar lirinë e shprehjes janë alarmante.
Kjo situatë duhet të marrë fund! Media e lirë luan rol kyç për të garantuar llogaridhënien dhe mirëqeverisjen. Praktikat e mohimit të së drejtës së gazetarëve për të ndjekur drejtpërdrejt veprimtarinë e autoriteteve publike duhet të ndalen. Sepse çdo goditje ndaj institucionit të medias, është sulm ndaj demokracisë…”.
Me pas kreu i PD-së, Lulzim Basha, në një postim në rrjetet sociale vinte në dukje pjesën më kryesore të problemeve më të cilat përballet sot media në Shqipëri. Censura, presioni, blerja e mediave dhe së fundi rastet e dhunës mbi mjaft gazetarë janë shqetësimet që kreu i opozitës dhe rendiste si problemet kryesore të hapësirës mediatike në Shqipëri, duke fajësuar qeverinë “Rama”.
Nuk hezitoi dhe Kryeministri Rama reagoi, duke thumbuar kohën e PD-së: “Ç’komedi e zymtë me djegësit, rrahësit e shantazhuesit e deridjeshëm të gazetave, gazetarëve e mediave që flasin në emër të lirisë së tyre! Po shyqyr ka gjykatës për të gjithë dhe për të gjithë sa bëhen e thuhen, vjen dita e gjykimit me votë. Pa merak vonon po s’harron 2021 shi”,– deklaron kreu i qeverisë Edi Rama.
Në foto: Redaksia e Gazetës “Koha Jone” e djegur nga pushteti natën e 2 marsit 1997, sapo u vendos Ligji i Gjendjes së Jashtëzakonshme.
Ndërkohë që sherret politike vazhdojnë, ku mali i akuzave nuk ka më njësi matëse, problematika e përkeqësuar me mediat është e matshme dhe ka përgjegjës për këtë situatë. Raporti i “Reporterëve pa Kufij”, për vitin 2018, e vlerësonte Shqipërinë si vend “pjesërisht të lirë për lirinë e mediave”. Shqipëria ra 7 vende në renditje, duke u afruar me klubin e shteteve që nuk quhen demokraci. Ndërkohë viti 2019 pas shkak të sulmeve fizike dhe dhunës ndaj gazetarëve mund të jetë edhe shumë më i keq sesa ai që lamë pas. Në çdo raport ndërkombëtar për median, faktori kryesor që përkeqëson lirinë e medias në një vend është qeveria. Shqipëria nuk ka sesi të bëjë përjashtim nga ky rast ndaj dhe nëse ka një situatë që po shkon drejt censurës dhe dhunës ndaj gazetarëve, përgjegjësia është te qeveria. Bile direkt te kryeministri Rama. Ai është frymëzuesi dhe sulmuesi kryesor ndaj gazetarëve kritikë. Ai ka mbyllur gojën e shumë mediave në Shqipëri, duke blerë pronarët e tyre me interesa financiare. Atë që nuk e bëjnë mediat në Tiranë dhe as qindra OJQ-të që marrin para për të monitoruar median, e bëri “Zëri i Amerikës”. Në tre raportime speciale për situatën mediatike në Shqipëri, media e financuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, tregonte se cilat janë rrënjët e krizës medatike dhe kush është fajtori që organizatat ndërkombëtare vlerësojnë gjithnjë e më negativisht lirinë e medias në Shqipëri. Në raportimin e VOA thuhet në mënyrë të qartë, se pjesë e problemit për lirinë e medias është dhe personalisht kryeministri Edi Rama. “Në Shqipëri media ka pësuar një përkeqësim të vazhdueshëm në 10 vitet e fundit, duke u bazuar në raportet e organizatave prestigjoze që vlerësojnë treguesit e saj. Studiues, analistë dhe pedagogë të gazetarisë veçojnë se raportimi dhe informacioni po kalon ditë të këqija, për shkak të ndikimit të qeverisë dhe shpeshherë dhe vetë pronarëve, të cilët priren që përmes përdorimit të medias t’i shërbejnë bizneseve të tjera. Kërcënimet që vijnë nga bota e krimit ndaj gazetarëve janë shqëtësim serioz mendojnë analistët, ndërsa veçojnë se propaganda e kryeministrit përmes televizionit me emrin e tij fabrikon lajmet dhe menjanon filtrin e gazetarit”,- raporton “Zëri i Amerikës”.
Gjuha e kryeministrit Edi Rama ndaj medias, etiketimet e tij si “kazan”, por edhe hapja e një televizioni privat kryeministror me emrin ERTV janë fenomene që kanë ndikuar në panoramën mediatike në vend. Interesant është fakti se kreu i qeverisë nuk ka pranuar as të flas për “Zërin e Amerikës” lidhur me këto shqetësime. “Analistët vërejnë me shqetësim gjuhën fyese të kryeministrit Edi Rama ndaj gazetarëve si dhe e cilësojnë gjithnjë e më shumë autoritar dhe arrogant. Zëri i Amerikës i kërkoi një intervistë shefit te qeverisë, lidhur me problematikën e medias në Shqipëri, por nuk mori përgjigje pozitive. Një prej kritikave të analistëve lidhet me propagandën e qeverisë përmes kanalit televiziv të kryeministrit ERTV dhe ndikimin e fortë të zyrave të shtypit në media”,- raporton Zëri i Amerikës, duke cituar më pas analistin Fatos Lubonja që thotë: “Kjo është e paparë. Unë nuk di ndonjë vend tjetër të botës që kryeministri të ketë televizion me emrin e tij”.
Në raportimin e “Zërit të Amerikës” për problemet e mediave në Shqipëri është prononcuar dhe ambasadori i OSBE, Bernd Borchardt, një prej diplomatëve që prej muajsh është dëgjuar të kritikojë opozitën për bojkotin dhe të flasë me gjuhë të moderuar ndaj qeverisë “Rama”. Por në çështjen e lirisë së medias duket se dhe Bernd Borchardt mendon njëlloj si opozita. Madje ai dhe pse zakonisht vlerëson reformat e qeverisë për mediat e thotë hapur se “situata është përkeqësuar në krahasim me vitin 2013”.
Shtypi i shkruar në këto 28 vite ka kaluar situata jashtëzakonisht të vështira në raport me qeveritë e radhës, duke filluar me arrestime gazetarësh dhe djegie të redaksisë të gazetës “Koha Jone” në kohën e Saliut të viteve 1992-1997, si duke përfunduar në vitet e fundit me sulme intimiduese, kontrolle qeveritare, pragfalimentim të gazetave kritike prej politikës kryeministrore, blerje mediash që i shërbejnë pushtetit të Edi Ramës, por edhe sulme fizike ndaj gazetarëve kritikë.
Sot, për rastësi, është dhe 25 vjetori i daljes nga qelia e burgut i ish-gazetarit të “Koha Jonë”, Martin Leka, i cili bëri tre muaj e kusur burg vetëm për një artikull kritik ndaj qeverisë së kohës me 31 janar 1994 dhe që me 4 maj 1994 doli nga burgu 313. Ai është heroi i parë, bashkë me Aleksandër Frangaj, i shtypit të lirë shqiptar që provuan prangat ndër duar për fjalën e lirë.
Shembujt janë të shumtë në këto 28 vite demokraci, por në vend që situata e shtypit të jetë më pozitive, ajo ka pësuar rënie prej sulmeve të kryeministrit, sulme me synimin e falimentimit të mediave kritike.
Dhe për dreq, kryeministri Rama, nga ish-gazetar i “Koha Jone” që dikur kritikonte qeverinë e Saliut, sot është kthyer në njeri problematik për lirinë e shtypit.
S.P.