Llalla: Pse keni frikë zoti Majko?
Majko ka shprehur shqetësimin personal, por duket se edhe të një pjese të deputetëve apo të ndonjë ministri, lidhur me qëndrimet e Kryeprokurorit. Teksa fliste për luftën ndaj korrupsionit, ish-kryeministri Majko iu drejtua kreut të akuzës: “Ju jeni e njëjta trupë që keni qenë dhe e trajtoni problemin sikur s’ka ndodhur asgjë dhe prisni ta zgjidhni me shtimin e buxhetit dhe personelit? Ky është problemi kryesor në luftë kundër korrupsionit? Apo deklaratat tuaja se do ndodhin gjëra të jashtëzakonshme nga hetimet? Apo nga ato që thoni në media se po hetoni disa ministra? Nuk janë sekrete hetimore këto?!”. Nuk ka vonuar dhe përgjigjia e kreut të organit të Prokurorisë. Llalla i është përgjigjur çështjes së hapësirave që ka ky institucion duke vënë theksin tek mungesa e fondeve. Por nga ana tjetër, i ka dhënë edhe një mesazh për hetimet. Një mesazh, që nuk ishte vetëm për deputetin Pandeli Majko. “Problematika e prokurorisë është mungesat në stafin e saj. Nuk mundet që një numër kaq i vogël prokurorësh të përballet me tërë këtë sfidë të shoqërisë (korrupsionin). Nëse ju shqetësoheni për deklaratat e mia mbi hetimet, ky është problemi juaj personal. Unë ato i përmend sërish. Kemi disa procese hetimi që do të sjellin rezultatet e tyre”, – u përgjigj nga ana e tij, Kryeprokurori i Republikës, z. Llalla.
Replikat e djeshme në komisionin e Ligjeve ishin vetëm një pjesë e shfaqjes së nervozizmit të një pjese të mazhorancës, lidhur me qëndrimin e kreut të akuzës. Por çfarë ka thënë realisht Kryeprokurori në intervistën e dhënë më datën 6 nëntor në “Top Channel”? I pyetur mbi dosjet e korrupsionit dhe abuzimeve për të cilat po punon prokuroria, Llalla tha se “kemi në proces hetimi, raste të zyrtarëve aktualë, ashtu si të ish-zyrtarëve të tjerë. Edhe në nivel ministri. Edhe të qeverisë aktuale… Derisa bëhet fjalë për një ministër, normalisht ka lidhje me detyrën”.
Jashtë qëndrimeve mediatike, pakënaqësia brenda radhëve të mazhorancës ndaj deklaratës së Llallës, ku thoshte se ishte duke hetuar një ministrër të qeverisë aktuale, ka qenë dhe më e madhe. Majko shprehu vetëm një përqindje të vogël të asaj çka zjen prej disa javësh brenda radhëve të politikës, sidomos në mazhorancë. Majko është një politikan i sprovuar, por qëndrimi i djeshëm, edhe nga mënyra sesi u tha, duket se ishte një siklet i mazhorancës. Prokurori i Përgjithshëm tha se po heton. Pavarësisht se kush është personi që është vënë nën hetim, deklarata nuk ishte nxjerrje sekreti hetimor. Tek e fundit, Adriatik Llalla është zgjedhur në atë detyrë dhe paguhet nga paratë e taksapaguesve, pikërisht për hetuar dhe penalizuar. Interpretimi i bërë dje nga Majko shkon përtej qëndrimeve korrekte politike, pasi vë nën presion politikisht organin e akuzës. Nëse vërtet, siç dhe ka mundësi të jetë, prokuroria ka kapur ndonjë ministër me “presh në dorë” dhe pritet të marrë masa, a nuk mund të merret qëndrimi i djeshëm i Majkos si një presion ndaj Prokurorisë? Cilido qoftë qëndrimi i Prokurorisë, deklarata e Majkos duket e pavend edhe për një arsye tjetër. Ai nuk ka pse frikësohet, tek e fundit nuk është ministër!
Fakti është që në zyrat e Prokurorisë së Përgjithshme janë në proces disa dosje të rëndësishme. Në listë janë ish-zyrtarë të lartë dhe zyrtarë të lartë, të cilët dyshohen se kanë kryer abuzime me buxhetin e shtetit. Prokuroria e Përgjithshme dëshmoi me rastin “Fullani” se kur vihet në lëvizje, nuk e ka problem të arrestojë edhe persona me ndikim jo të vogël dhe pushtet të lartë shtetëror. Në kohën kur organit të akuzës i kërkohet të zbatojë rekomandimet e Bashkimit Europian për luftën kundër krimit të organizuar, është mirë që nga politika t’i lihet edhe hapësirë për të vepruar. Nëse Majko shqetësohet se Prokurori i Përgjithshëm bën politikë, kur mazhoranca ka votat e mjaftueshme për të marrë çdo masë ndaj organit të akuzës, çfarë mund të thotë Partia Demokratike dhe opozita kur vihen nën hetime ish-ministra?! Por mazhoranca duhet t’ia plotësojë çdo kërkesë për fonde Prokurorisë që të ketë staf të plotë e më pas, e kap për “veshi” nëse ajo nuk arreston zyrtarë apo ish-zyrtarë. Çfarë i kushton mazhorancës një shtesë kaq e vogël në buxhetin e organit të akuzës, kur ai e argumenton se i duhet për të hetuar me metoda të sofistikuara, si dhe me njerëz. Si mundet që një prokuror të hetojë gjithë ato dosje njëherësh kur nuk është koha e duhur edhe për mungesë organike? Ndaj kryeministri Rama që të jetë në rregull publikisht dhe më pas, të mund të kërkojë llogari si shumicë ndaj Prokurorisë për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, duhet patjetër të plotësojë kërkesën e zotit Llalla.
Më pas, ka të drejtë kryeministri të veprojë si mazhorancë edhe ndaj kryeprokurorit. Por më parë, të plotësohen kërkesat. E mira e do që Prokurori i Përgjithshëm të mos na i vonojë ata ish-ministra apo edhe ministër, nëse ka fakte, që t’i dërgojë tek vendi ku ishte Fullani para ca kohe. Më pas, edhe mazhoranca nuk flet më!