Llogaritë e gabuara të Edi Ramës. Partia Socialiste drejt vetmisë së madhe
-Strategët politikë përherë kanë strategjinë e sulmit, por mendojnë edhe “vrimën” nga ku do tërhiqen, nëse mbetën vetëm. Edi Rama sulm kundër të gjithëve, ndërkohë që po pret degën ku ka ndejtur, tash katër vite.
Kryeministri Edi Rama e ka futur Partinë Socialiste në fushatën më të çuditshme të historisë së saj politike. Për herë të parë, PS-ja po shkon drejt zgjedhjeve, pa asnjë aleat. Edhe ato pak “blerje” partish që u bënë në minutën e fundit, rezultojnë se nuk kanë peshë elektorale. Ndërsa aleatët tradicional si PDS-ja e Paskal Milos dhe PSD-ja e Skënder Gjinushit këtë herë janë në llogari me vete. Edhe pse pesha e tyre elektorale është e diskutueshme, fakti është se PS-së në këto zgjedhje do t’i mungojnë votat e aleatëve që shtonin numrin votave të përgjithshme të së majtës.
Por nuk është ky problemi i madh i PS-së në këto zgjedhje. Problemi kryesor për PS-në do të jetë mungesa e votave të LSI-së në favor të saj për zgjedhjet e 25 qershorit. Partia që i siguroi shumicën qeverisëse dhe shumicën kushtetuese prej gati 84 mandatesh, Lëvizja Socialiste për Integrim, u largua nga koalicioni me vendim personal të Edi Ramës. Krejtësisht vendim personal i Edi Ramës. Në mesnatë dhe në terr pabesie. Nuk ka asnjë logjikë elektorale për këtë vendim të Edi Ramës. Nuk ka as burrëri politike, nuk ka as sens njërëzor. Përveçse se paktit me Lulzim Bashën, të gjitha garancitë e tjera për fitoren qeverisjes, pa LSI-në, nuk qëndrojnë. Sepse një parti që sot ka 20 mandate në Kuvend është e pamundur që ta eliminosh politikisht me një palë zgjedhje brenda një muaji. Ndërkohë që sondazhet reale dhe ajo çfarë shikohet nga takimet apo mitingjet elektorale të LSI, kjo forcë politike konkuron bindshëm për të qenë forca kryesore qeverisëse me datë 26 qershor.
Pavarësisht se çfarë thonë sondazhet e manipuluara për rezultatin e PS-së në zgjedhje, ka një rregull të pashkruar që prej vitit 2005 për fituesit dhe humbësit e zgjedhjeve në Shqipëri. Sa herë që e majta ka hyrë e ndarë në zgjedhje, Partia Socialiste ka humbur zgjedhjet. Kështu ndodhi në vitin 2005 kur socialistët mendonin se LSI-ja nuk kishte peshë elektorale. Kështu ndodhi dhe në vitin 2009, kur Edi Rama mendonte se i mjaftonte logoja e PS-së për t’u bërë kryeministër. Në të gjitha rastet, përvoja ka treguar se nga sherri PS-LSI ka përfituar gjithmonë PD-ja. Rama duket se harroi këtë rregull dhe vendosi të bëj një tjetër eksperiment të rrezikshëm politik. Ai mendon se kishte pas vetes Lulzim Bashën dhe PD për të bashkëqeverisur, por Basha sapo u kthye nga SHBA e takimit me Presidentin Trump ka ndërruar kurs 180 gradë. Basha po mendon se si të bashkëqeverisë me një forcë tjetër politike, të cilën e ka patur dikur aleate. Pra Edi Rama mbetet vetëm. Do ta tradhtojnë dhe disa deputetë që ka në listat e tij. Kur anija të fut ujë, shumica ikin me notë apo gjejnë ndonjë gomardare shpëtimi. “Sejcili për vete e Zoti për të gjithë” mbetet slogani pas mbytjes së anijes së PS.
Edi Rama bëri plane të pabesa për të eleminuar aleatin e tij strategjik, Ilir Metën dhe LSI. Mendoi se, pas pazarit fillestar të datës 17 majit me Lulzim Bashën, do të kishte fuqi shkatërruese për LSI. E ka patur këtë plan brenda vetes me kohë, por nuk e ka shfaqur para takimit me liderin e PD-së.
Plani nisi me idenë e një koalicioni të madh PS-PD. Takimet e shpeshta Rama-Basha, dhënia e ministrive dhe drejtorive të rëndësishme të Qeverisë u duk si hapja e rrugës për qeverinë që do bashkonte të majtën dhe të djathtën. Mbi këto premisa, Rama nisi fushatën duke kërkuar votë për vete, por edhe për Lulzim Bashën. Një strategji e pa parë më parë në fushatat elektorale në Shqipëri ishte kjo që ndodhi në javët e para të fushatës. Por në javën e fundit, Basha kuptoi se në këtë histori ishte vetëm një prej shumë njerëzve që Edi Rama përdor për të arritur qëllimet e tij. Por që ta kuptonte duhej vizita dhe takimi me Presidentin e SHBA, Trump. Fotografia me Presidentin e shtetit me të fuqishëm të botës nuk ishte pa domëthenie politike e publike.
Kjo kthesë e Bashës shënon dhe dështimin e gjithë skenarit të Ramës për këto zgjedhje. Në 25 ditë fushatë, Edi Rama ndodhet në situatën më të sikletshme. Nuk ka më aleatë, nuk ka as partnerin strategjik, LSI-në, e cila e mbajti në qeveri për 4 vjet si kryeministër, por tashmë nuk ka as garancinë se Basha do e mbështesë për qeverinë e re. Hija e Donald Trump sillet mes Ramës dhe Bashës, nga ku cili e shkel atë hije, përcëllohet, digjet.
Edi Rama u nis për ti bërë gropën LSI, por me sa shikohet po bie vetë në atë gropë që hapi për Ilir Metën. Lulzim Basha është i qartësuar, tashmë. PDIU ka deklaruar se do shkojë me atë parti apo grup partish që bëjnë shumicën 71 deputetë, LIBRA e ka të prerë se Edi Rama jo kryeministër.
Kush mbetet tjetër në tregun politik? Asnjë! Këto janë të gjithë kundër Edi Ramës.
Qamil Xhani