LSI: Përqafohuni, por mos devijoni nga Reforma!

Takimi i së hënës mes Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha është një nga ngjarjet më të rëndësishme të viteve të fundit në politikë. Është i rëndësishëm jo se shtrëngojnë duart dy rivalë politikë, pasi në Shqipëri kjo ka ndodhur dhe herë të tjera, por sepse këtë herë takimi bëhet pa ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, të paktën jo në mënyrë direkte. Insistimi për bisedime duket se ka ardhur nga llogaritë personale politike të palëve për të gjetur një rrugëdalje për ngërçin e reformës në drejtësi, por jo vetëm atë.

Të dy palët, Rama dhe Basha kanë interesat e tyre në këtë takim pompoz që do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve. Rama ka interes të jap sinjalin te ndërkombëtarët se bashkëpunon me opozitën edhe kur nuk ka asnjë dritë në horizont. Basha, pavarësisht rezultatit të bisedimeve, shkon në takim me një fitore në xhep. Arriti t’i imponohet Kryeministrit dhe maxhorancës si faktor. Një maxhorancë që deri dje e quante kryetarin formal të PD-së, apo një nga “fëmijët e kopshtit pa drekë të Sali Berishës”. Por që ky “kryetar de jure” e detyroi Kryeministrin të vrapojë ta takojë në Pallatin e Kongreseve!

Takimi është diçka pozitive dhe një kulturë e re që Rama dhe Basha po përpiqen të sjellin në politikë. Por kjo është çështja që i përket fasadës, sepse jo të gjitha vendimet janë lënë për t’u marrë në ato pak orë të takimit. Prej disa javësh stafet e dy kryetarëve po punojnë mbi projektet që do të diskutohen, qëndrimet që do të prezantohen dhe vendimet që do të merren. Praktikisht takimi do jetë shtrëngim duarsh, foto, buzëqeshje dhe batuta. Kjo është ajo ç’ka do shohin mediat. Pjesa tjetër, ajo që ka të bëjë me zhvillimet e ardhshme politike, jo vetëm të kësaj vere, por edhe më gjatë do fshihet pas rreshtave të deklaratave. Kjo është mënyra sesi kanë funksionuar deri tani takimet e liderëve në vend. Mbetet të shihet nëse Rama dhe Basha do të bëjnë përjashtim nga takimet e paraardhësve të tyre.

Por në gjithë këtë atmosferë konsensusi PS dhe PD mungon një element i rëndësishëm në vendimmarrjen politike. Lëvizja Socialiste për Integrim është faktori i tretë politikë në vend, që me apo pa dashje, është përjashtuar nga takimi i Pallatit të Brigadave. Pavarësisht se nuk do të jenë në takim LSI-ja dje ka dhënë mesazhet, apo “porositë” për takimin e dyshes Rama-Basha. Kryeministri dhe kreu i PD-së në letrat e shkëmbyera për vendosjen e detajeve të takimit kanë lënë të hapur diskutimin e çdo teme, që nga reforma në drejtësi, procesi i integrimit të vendit e deri te reforma zgjedhore. Por për LSI-në, takimi duhet të ketë vetëm një qëllim: Reformën në drejtësi. Zëvendëskryetari i LSI-së dhe kreu i grupit Parlamentar, Petrit Vasili është ndalur dje vetëm në këtë reformë, duke u kujtuar pjesëmarrësve në takim se çdo konsensus është i mirëpritur, por pa “cenuar rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe të misioneve EURALIUS dhe OPDAT”.  Pjesa e deklaratës “pa cenuar” duket se mban dhe mesazhin kryesor që LSI i çon aleatit Rama dhe partisë kryesore opozitare. Që do të thotë se një konsensus PS-PD për reformën në drejtësi, duke dalë nga formati aktual i draftit të miratuar nga Venecia mund të mos pranohet nga LSI. Sidomos nëse luhet fshehur për ndryshimin e Kodit Zgjedhor pa marrë sugjerimet e LSI-së.

Pjesë e takimit Rama-Basha, në mënyrë jo zyrtare, është thënë se do të jenë dhe diskutimet për reformën zgjedhore. Një marrëveshje private PS-PD për këtë çështje mund të linte jashtë skemës gjithë partitë e tjera të spektrit politik. Jo rastësisht, dje rreth 48 parti të “vogla” të majta dhe të djathta depozituan në Kryesinë e Kuvendit draftin për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Para se të protokollohej drafti, deputetët dhe kryetarët e partive zhvilluan një takim me kreun e Kuvendit, Ilir Meta. Disa orë me vonë, numri dy i LSI-së, Petrit Vasili tha se kërkesa e 48 partive do të hyjë për diskutim menjëherë në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Një tjetër mesazh ky ndaj takimit Rama-Basha, si për të thënë “përqafohuni, por mos devijoni nga tema kryesore, reforma në drejtësi”. Nëse do të ketë ndryshim të Kodit Zgjedhor, negociatat do të jenë në Kuvend dhe jo në Pallatin e Kongreseve.

Por ata të dy nuk takohen për reformën zgjedhore! Kjo është e sigurt, ndonëse do të flasin para mediave se patëm mirëkuptim etj., etj. Diçka luhet nën rrogozin e maxhorancës, por pritet në muajt në vazhdim të shikojmë se deri ku do të dali uji që do futet nën rrogoz të hënën.

SHKARKO APP