LSI: Qeveria të deklarojë Fondin e EMERGJENCËS dhe paratë e dhuruara
Shqipëria e pas 26 nëntorit nuk është më ajo e para datës tragjike. Tërmeti shkatërrues që la pas, sipas të dhënave paraprake, 49 viktima dhe gati 900 të plagosur është një tragjedi kombëtare që do të lërë gjurmë për dekada. Katastrofa në Durrës dhe Thumanë veç tmerrit e panikut na zbuloi në mënyrë po kaq të frikshme paaftësinë e shtetit që kemi ndërtuar këto vite. Dhe jo vetëm vitet e Ramës, por krejt 29 vitet e fundit.
Ç’organizimi i hallkave të shtetit për emergjencat është një këmbanë alarmi. Tragjedia është e madhe, por po kaq ulëritëse është paaftësia e institucioneve që ishin krejtësisht të papërgatitura për një situatë të tillë. Kjo histori paaftësie është që prej 28 vitëve, realisht, porse si ka mundësi që qeveria e sotme nuk mori masa edhe pas paralajmërimit të Presidentit? Një situatë që ishte paralajmëruar në mënyrë të ndryshme, sidomos pas tërmetit të 21 shtatorit. Shtete më të vogla se ne dhe me më pak buxhet, por edhe shtete të rinj si Kosova, treguan se janë shumë herë më të përgatitur për menaxhimin e katastrofave të tilla. Justifikimi se nuk ka fonde për përgatitjen e emergjencave të tilla nuk qëndron. Trajnimi i ekipeve dhe pajisjet për dy apo tre skuadra emergjence kushtojnë më pak se fasadat e ministrive që janë lyer nga dy herë në gjashtë vjet. Sikur vetëm fondi i përgatitur për vjedhje prej 40 milionë euro te Unaza e Re, të ndahej një pjesë për Emergjencat dhe strukturat e saj do të mjaftonin që të mos prisnim edhe qentë nga Kosova të na ndihmonin për të gjetur njerëzit nën rrënoja!
Kur duket se pjesa më e rëndë e situatës ekstreme ka kaluar, tani vjen dhe momenti më i rëndësishëm për të ardhmen e atyre që janë dëmtuar nga tërmeti. Tragjedia dhe pasojat që ajo lë pas nuk mbyllen për tre ditë dhe dëmet e gjithë banesave të prekura do të duan shumë kohë të riparohen. Por sot në rrugë dhe kampe janë më shumë se 6 mijë persona, sipas të dhënave të vetë qeverisë. Janë njerëz pa shtëpi ose me banesa të dëmtuara rëndë. Qeveria ka akomoduar disa mijëra vetë në hotele dhe kampe me çadra. Të tjerët janë larguar te të afërmit ose kanë zgjedhur të ikin nga Durrësi përkohësisht. Është një situatë dramatike që kërkon strategji dhe reagim të shpejt nga ana e qeverisë. Ndërkohë ajo që shihet deri tani është një organizim dëshpërues. Qytetarët në kampe ankohen për mungesën e kushteve dhe ndihma që nuk mbërrijë atje ku duhet. Kreu i qeverisë thotë se ka ushqime mjaftueshëm, ndërkohë Greqia detyrohet të sjellë dhe ekipe me guzhinierë që të sigurojë ushqimin për disa prej atyre që ndodhen në Durrës. Kryeministri thotë se duhen fonde dhe dhurime nga ana e qytetarëve. Një përgjigje ka ardhur si solidarizim individual dhe jo si urdhër i qeverisë. Llogariten se janë më shumë se 15 milionë euro që janë mbledhur vetëm në tre ditë nga biznesmenë dhe qytetarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe shqiptarët e diasporës. Megjithëse ka një rrëmujë dhe frikë për abuzime nga individë të papërgjegjshëm, sërish shqiptarët anë e mbanë botës kanë treguar një solidaritet prekës duke dhënë kursimet e tyre për njerëzit në nevojë. Shumica e donacioneve janë bërë publike gjest e kujtdo që ka dhënë edhe një qindarkë janë madhështore. Por teksa kërkohet me të drejtë ndihmë dhe donacione, qeveria nuk ka bërë asgjë nga ajo që i takon. Qeveria dhe shtabi i emergjencave është mbledhur tre ditë rresht, por në asnjë moment nuk ka një deklaratë që të saktësojë se sa është fondi i qeverisë për këtë emergjencë. Është detyrim ligjor dhe moral që Këshilli i Ministrave të tregojë se çfarë ka në arkën e shtetit dhe sa është shuma që qeveria do të vendosë për përballimin e situatës së këtyre qytetarëve. Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, në një reagim gjatë mbrëmjes së djeshme shprehej se të gjithë shqiptarët po dhurojnë, por vetëm qeveria nuk ka deklaruar se çfarë fondi ka për të dëmtuarit. “Qeveria të deklarojë sa është fondi për tragjedinë dhe të lërë fjalët boshe??? Se sa dhuron Qeveria e Kosovës, e Maqedonisë, Vatikani, Dua Lipa, Rita Ora, Kastrati, Mane etj etj i morëm vesh të gjithë me shifra e me çdo gjë. Vetëm Qeveria e Shqipërisë, që duhej te ishte e para mbi të parat, që tu tregonte të gjithëve së sa fonde ka vene në dispozicion për këtë tragjedi të tmerrshme nuk ka treguar deklaruar e publikuar hiçgjë, asnjë lek të vetëm. Kjo është e turpshme. Si mundet te ndodhe kjo??”,- shprehet Vasili.
Kërkesa për publikimin e parave që qeveria ka në fondin e emergjencës për ketë tragjedi nuk është vetëm detyrim ndaj të prekurve nga tërmeti, por edhe një transparencë ndaj donatorëve dhe qytetarët që po japin kursimet tyre. “Çdo hap për të përballuar këtë hall të jashtëzakonshëm fillon nga financimi. Kur qeveria nuk bën publike financimin e saj, si mund të frymëzojë donacionet nga të tjerët. Apo kërkon t’ja hedhe si herët e tjera. Të kalojë ditët e para dhe pastaj bënë sikur harron dhe fillon propagandën”,- deklaron Vasili.
Mënyra sesi qeveria po reagon pas tragjedisë ka të bëjë dhe me besueshmërinë ndaj qytetarëve dhe vetë të dëmtuarve. Këto ditë në media ka pasur mjaft denoncime për abuzime që po bëhen deri dhe me batanijet dhe ushqimet e qytetarëve të prekur nga tragjedia. Janë sjellje ordinere që turpërojnë çdo shqiptar dhe duhen dënuar në mënyrë shembullore. Por kur administrata fut duart deri të ushqime e fëmijëve që jetojnë në kampe, çfarë po ndodhë me paratë e dhuruara dhe me buxhetin e shtetit për të përballur këtë tragjedi.
Ndaj duhen masa të rrepta për të kontrolluar për paratë e donatorëve si dhe qeveria të tregojë xhepat e saj për këtë emergjencë.
Mili Xhani