LSI: Referendum për ligjin e plehrave
Partia Socialiste është tërhequr përkohësisht nga miratimi në Kuvend i ligjit të importit të plehrave në Shqipëri. Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha dje se ligji për plehrat do të diskutohet me qytetarët. “Nuk ka më projekt-ligj për dekoratat apo për mbetjet. Grupi Parlamentar Socialist do t’i rikthejë në publik për një debat shterues, bazuar në argumente jo në akuza dhe në arsye jo në mllef. Bashkëqeverisja me njerëzit e zakonshëm ka filluar”,- njoftoi dje përfaqësuesi i deputetëve të PS. Se ç’lidhje kanë dekoratat me plehrat këtë vetëm në PS mund ta dijnë.
Në qëndrimin e kreut të grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka dy pasaktësi. Nuk është vërtetë që nuk ka projektligj për plehrat. Projekti është depozituar në Kuvend dhe është planifikuar të miratohet me 13 tetor. Ligji në fjalë u rrëzua nga ish-Presidenti Bujar Nishani. Projekti nuk kaloi në Kuvend në muajin maj, për shkak se LSI doli hapur kundër dhe PS nuk bënte dot 71 vota. Po pas fitores së zgjedhjeve të 25 qershorit dhe krijimit të qeverisë së re, socialistët e risollën në Parlament ligjin shumë të diskutuar. Për këtë është botuar kalendari i projektligjeve nga mediat, ku ishte dhe ligji për plehrat.
Kthesa e djeshme për dy ligjet nga PS-ja ka vetëm një shpjegim. Frikë e mazhorancës aktuale nga protestat masive të qytetarëve dhe nga reagimi i fortë i opozitës së re. Menjëherë pas depozitimi të ligjit në Kuvend, dy partitë kryesore të opozitës, PD dhe LSI paralajmëruan protesta të ashpra. Ndërkohë shoqata ambientaliste dhe shoqëria civile nisën organizimin e qytetarëve për tubime masive para parlamentit dhe godinës së qeverisë. Ligji në fjalë e kthen Shqipërinë, nga një vend që ka si qëllim kryesor turizmin, në një kosh plehrash të Europës. Të paktën kështu interpretohet dhe përderisa qeveria nuk ka shpjegim tjetër, mbetet se keshtu është ligji. Përveç ndotjes, mungesa e sigurisë në dogana dhe korrupsionit mund të bëjë që Shqipëria të jetë vendi ku do të hyjnë mbetje kimike dhe aq me keq ato toksike. Për këto arsye protestat që u bënë një vit më parë kundër ligjit në tetor do të ishin këtë herë shumë herë më të mëdha. Mund të sillte përplasje të të dhunshme të turmave me policinë. Pezullimi i ligjit për dekoratat është një lëvizje për hesapet brenda PS-së. Për shkak se heqja e dekoratave të komunizmit prek një pjesë të mirë të shumicës së votuesve të PS-së, kryeministri ka menduar dhe një herë për efektet që do të sjellë të baza tradicionale e së majtës. Aq më tepër se po vijnë edhe zgjedhjet vendore.
Nisma që dëmton gjithë shoqërinë dhe shkakton reagime është kjo e plehrave. Ligji është sjellë dhe risjellë në parlament pa arritur të miratohet. E para sepse është haptazi një projekt që dëmton vendin dhe e dyta, sepse pas këtij ligji ka interesa të forta ekonomike dhe korruptive të kompanive që importojnë mbetjet. PS është tërhequr një herë nga miratimi dhe deklarata e djeshme e Taulant Ballës duket si një lojë e re politike. Me justifikimin se do të ketë dëgjesa publike dhe takime me qytetarët, ligji mund të sillet sërish në Kuvend nga PS. Sepse parimi me të cilin zhvillohen dëgjesa me qytetarët është i thjeshtë: Ju kundërshtoni si të doni, në fund PS e voton në Kuvend. Ose është lojë për të fituar kohë.
Realisht që çështja e mbetjeve të mos mbetet në dorë të disa politikanëve dhe takimeve me qytetarët e përzgjedhur nga zyra e shtypit të PS, ka vetëm një zgjidhje. Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka kërkuar dje mbajtjen e një referendumi popullor për mbetjet. Kjo është e vetmja mënyrë për ti dhënë fund njëherë e mirë debatit për plehrat. Çdo formë tjetër diskutimi me qytetarët dhe kryeministrin do të ishte pa produkt dhe e paragjykuar. Vetëm qytetarët, pasi të njihen për efektin që do të ketë në shëndetin e tyre dhe të fëmijëve të tyre, importi i mbetjeve mund të vendosin se çfarë duhet të bëjë qeveria. Me referendum le të vendoset nëse e duan apo jo projektin e qeverisë.
Përfundimisht ky projekt që ka sjellë reagime dhe mund të sjellë përplasje të forta mes popullit e qeverisë duhet të debatohet edhe siç kërkon qeveria, nëse duhet, por në fund duhet të shkojë në referendum popullor.
Mbi sofranin popull nuk mund të dalë asnjeri.
Q.Xh.