LSI:Dekriminalizim urgjent . “JO” biznesmenëve-deputetë
Lëvizja Socialiste për Integrim ka miratuar dje një platformë partiake për dekriminalizimin dhe transparencën. Në pamje të parë duken si vendime që lidhen me jetën e brendshme të një partie, por më shumë se kaq kemi të bëjmë me një model që duhet ndjekur edhe nga partitë e tjera. Për herë të parë, një parti politike distancohet nga disa fenomene negative që janë kthyer në probleme reale të politikës dhe kanë krijuar kosto për vendin. Jemi në kohën kur flitet më shumë se kurrë për largimin e politikanëve me precedentë penalë nga parlamenti apo administrata dhe për mungesën e transparencës së fondeve që mbajnë në këmbë partitë,etj. Ndërkohë që Parlamenti ende nuk ka miratuar ligjet përkatëse sesi do të kryhen këto procese, LSI-ja ka dhënë dje një leksion për gjithë partitë e tjera.
Ambasadori amerikan Lu ka thënë disa herë se ka deputetë kriminelë, që ka korrupsion, zyrtarë e gjyqtarë të përlyer dhe duket se pakkush nga politika e ka dëgjuar për ta zbatuar atë çka insiston me të drejtë ambasadori. Duket se Ilir Meta e ktheu në vendim politik nismën e ambasadorit. Mund të lidhet kjo inisiativë e LSI edhe me vizitën zyrtare të Metës në SHBA. Ka shumë “mund”, porse nga dje mbetet e para forcë politike që kërkon urgjent të dekriminalizohet politika dhe jep edhe një rrugë ligjore, të ndarë në disa pika.
Si fillim, me dekriminalizimin. PS dhe PD janë përfshirë në një debat prej një viti nëse duhen shenjat e gishtërinjve, testi i drogës dhe një sërë detajesh të tjera për politikanët. Dje Kryetari i LSI-së, Ilir Meta në mbledhjen e Kryesisë ka qenë më konkret në lidhje me çështjen e dekriminalizimit. “LSI përkrah fuqimisht platformën e dekriminalizimit dhe distancohet nga çdo individ me rekorde kriminale që mund të jetë në radhët e saj, apo që synon të anëtarësohet në LSI. Për ne, platforma e dekriminalizimit duhej të ishte miratuar dje dhe jo nesër në Kuvend. Jemi të angazhuar për të përshpejtuar këtë proces që t’i heqim vendit tonë një njollë të pamerituar për shkak të politikës”,- tha Meta. Në platformën e LSI-së thuhet se individët me rekorde kriminale jo vetëm nuk duhen promovuar në poste shtetërore, por nuk duhen pranuar as të aderojnë në këtë parti politike. Kjo nismë edhe pse nuk e zgjidh problemin me parlamentin aktual që ka jo pak persona me precedentë penalë, të paktën garanton se në të ardhmen partitë do jenë më të kujdesshme në hartimin e listave të deputetëve.
Një problem tjetër ndaj të cilit LSI-ja ka mbajtur dje një qëndrim të ri në politikën shqiptare janë edhe biznesmenët. Parlamentet e dy mandateve të fundit kanë pasur një numër të konsiderueshëm biznesmenësh. Vetëm gjatë këtij mandati, janë të paktën 31 biznesmenë të mëdhenj, 20 prej të cilëve të zgjedhur për herë të parë dhe pa përvojë politike. Problemi me biznesmenët nuk politikën shqiptare është se në shumicën e rasteve nuk janë në politikë për të mbrojtur interesat e komunitetit të biznesit apo të votuesve, por thjesht për të mbrojtur apo zhvilluar më tej ekonominë personale. Mund të jenë njerëz të suksesshëm, por ajo që dinë të bëjnë më mirë është biznesi dhe ruajtja e interesave të tyre, jo politika dhe interesat e qytetarëve. Në pushtet apo në opozitë, biznesmenët në Parlament në jo pak raste e kanë gjetur gjuhën e përbashkët që të miratojnë ligje që u shërbejnë vetëm interesave të ndërmarrjeve të tyre. Ndërsa jo rastësisht, një pjesë e koncesioneve dhe investimeve të qeverive lidhen dhe me biznesmenë të veçantë.
Lëvizja Socialiste për Integrim ka vendosur dje të kufizojë përfshirjen e biznesmenëve në përfaqësimin publik me qëllimin minimizimin dhe shmangien e konflikti të interesit të mundshëm. Realisht, LSI-ja nuk është ndër partitë kryesore që ka numrin më të madh të biznesmenëve. Partia Socialiste dhe më pas PD-ja janë forcat që kanë më shumë sipërmarrës në radhët e tyre. Nëse shikon sot akuzat kryesore të PD-së për mazhorancën vihet re se shumica e tyre lidhen me deputetë-biznesmenë dhe ministra-biznesmenë, që funksionet politike i përdorin për fitime personale. Përderisa ky lloj politikanësh e sheh detyrën si zgjatim të biznesit të tij është koha që kufizimi i tyre për pjesëmarrjen në politikë të bëhet nga çdo parti. Sigurisht, biznesmenët duhen në politikë si pjesë e një komuniteti që ka investuar në shoqëri, por duhen ata biznesmenë që milionat nuk i kanë bërë pasi janë lidhur me politikën apo biznesmenë që kanë prapavija kriminale.
Së fundit, LSI-ja ka bërë dje edhe gjë gjest tjetër. Ilir Meta deklaroi se në faqe zyrtare të LSI-së do publikohen rregullisht të ardhurat e kësaj force politike, kuotat që paguan partia, donacionet dhe shpenzimet që kryhen. Me ligj, partitë detyrohen të publikojnë shpenzimet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve vetëm një herë në dy vjet për fushatat elektorale. Më pas, nuk dihet sesi funksionojnë buxhetet e partive. Por edhe në listat që nxjerrin partitë në KQZ, shpenzimet nuk justifikojnë as karburantin e makinave partiake për mitingjet dhe jo më miliona eurot që hidhen rregullisht në çdo fushatë elektorale. Të tre vendimet e LSI-së vlejnë për çdo parti politike dhe sidomos për partitë kryesore që prodhuan këto vite parlamentet me më shumë kriminelë dhe me shumë njerëz me konflikt interesi.
Por duhet kaluar në sallën e parlamentit debati dhe miratimi.
SHBA si vend mik e ka thënë prerë se duhet të miratohet urgjent dekriminalizimi në parlament dhe të ketë fuqi që tani e jo vetëm për zgjedhjet e tjera. Kushdo të kuptojë se pse insiston ambasadori Lu duhet të veprojë.