Lu-ja dhe Luli!
Mes Partisë Demokratike dhe Ambasadës së SHBE-së nuk fshihet më përplasja e hapur. Edhe pse në deklarimet zyrtare shmanget përmendja e emrave konkret, duket qartë se debati për reformën në drejtësi është mes kreut të opozitës, Lulzim Basha dhe kreut të diplomacisë amerikane në Tiranë, Donald Lu. Pra në raport me ndërkombëtarët, pasi përballja reale mbetet ajo mes dyshes Basha-Berisha dhe Ramës. Dy ditë më parë diplomati amerikan publikoi një shkrim autorial në rrjetet sociale. Natyrisht që e bëri kastile të thumbojë dhe sakatojë liderin e PD-së. Veç thirrjes për votim individual të reformës më 21 korrik, kryediplomati i SHBA-së në Tiranë sqaronte për publikun se mungesa e konsensusit ka ardhur nga Partia Demokratike. Ai thotë se gjatë negociatave ekspertët e SHBA dhe BE dhanë tre variante për zbatimin e nenit 88 të rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Variante që u pranuan nga Kryeministri Edi Rama, por u refuzuan nga kreu i PD-së, Lulzim Basha. Kjo e thënë me gjuhën e ambasadorit amerikan Donald Lu.
Dje ishte radha e kreut të PD-së për të dhënë sqarimet e tij lidhur me reformën në drejtësi. Pak përpara se të dilte Basha, ky nxori Genc Pollon për të bërë goditjen e topit në ballin e Lu-së. Genc Pollo gjuajti. Ndërsa më pas në një deklaratë të gjatë, pa përmendur asnjëherë Ambasadën Amerikane, kryetari i selisë blu Basha kujdesej që të sqaronte pikërisht çështjen e tre propozimeve të SHBA dhe BE për nenin 88 të Komisionit të Venecias. Asnjë palë nuk thotë se çfarë janë konkretisht këto tre propozime. Por për Bashën të gjitha variantet që janë dhënë në takimin e 6 qershorit me Ramën dhe më pas kanë qenë të paarsyeshme. Madje, sipas Bashës, këto propozime kanë qenë vazhdim i propozimeve që ka bërë Partia Socialiste. Në një mënyrë diplomatike Lulzim Basha i tha ambasadorit amerikan se po bën lojën e Edi Ramës.
“Kam marrë propozime, por kanë qenë e njëjta prerje, në shmangie të rekomandimit 88 të Venecias, veçse me veshje te ndryshuar. Ndryshe nga ç’pretendohet nuk kanë qenë të arsyeshme, pasi nuk ka si të ketë arsye përtej rekomandimit 88 të Venecias. Nuk ka si të jetë i arsyeshëm asnjë propozim që ndërsa me një dorë jep 3/5 apo 2/3-tat e votimit në Kuvend me dorën tjetër e zhbën këtë kuorum përmes një mekanizimi që i jep qeverisë kontrollin e hartimit të listave duke përjashtuar opozitën tërësisht nga çdo rol. Çdo variant i këtillë, i kujtdo qoftë, është në kundërshtim me rekomandimin 88 që përcakton rol substancial të opozitës përmes përfaqësimit të saj të drejtë”,- shprehet Basha për propozimet e fundit.
Përgjigja që duket se është për kryeministrin Rama, në fakt indirekt shkon edhe për ambasadorin Amerikan Donald Lu, i cili dy ditë më parë, po si Basha në rrjetet sociale shkruante për propozime të arsyeshme. “Tre herë që prej 4 majit, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë ofruar propozime të arsyeshme kompromisi. Mazhoranca i ka pranuar këto propozime. Z. Basha ka gjetur gjithmonë diçka për të refuzuar”,- shprehej dy ditë më parë Lu.
Ndërsa Basha është më i moderuar në qëndrimet e tij ndaj Ambasadës së SHBA-ve, deputetë të tjerë të PD-së janë dhe më të ashpër. Ish-ministri Genc Pollo, i cili që njihet për kujdesin që ka në marrëdhënie me ndërkombëtarët, ka qenë jo pak kritik me deklaratën e Ambasadorit Lu. Qëndrimet e diplomatit të SHBA, sipas Pollos janë: “Përsëri populizëm, arrogancë e madje folklorizëm mbi reformën në drejtësi. Shqip e anglisht. Duhet të bëhet, do të bëhet por siç duhet!!”.
Në këtë mori akuzash dhe deklaratash me shumë kuptime është mirë që palët të tregohen më të sinqerta me opinionin publik. Pasi të gjitha flasin për propozime, por opinioni nuk e di se çfarë është propozimesh janë dhënë në takimet kokë më kokë.
Qëndrimet e fundit të PD-së ndaj ambasadorit janë dëshmi te tensioneve që ka prodhuar reforma në drejtësi. Veç deklaratave opozita ka gjetur edhe një rrugë tjetër për të sqaruar pozicionin e ndërkombëtarëve. Duke qenë se nga Ambasadori i SHBA kanë marrë vetëm replika dhe ultimatume për kalimin e reformës, PD është investuar direkt në Uashington për çështjen e reformës. Një letër që tre kongresmenë amerikanë i dërguan Sekretarit të Shtetit, Xhon Kerry ku kërkohej pikërisht zbatimi i nenit 88 të Reformës në Drejtësi, ishte pikërisht një lidhje e shkurtër që opozita kërkon të vendos me SHBA. Madje në deklaratën e tij dje Basha theksonte se nuk kishte kontakte vetëm me dipomatët në SHBA në Tiranë, duke zbehur kështu rolin e ambasadorit Lu, “por edhe unë kam qenë dhe jam në komunikim intensiv, edhe këto ditë, me faktorët relevante në Ëashington, Bruksel, Berlin, Paris, Romë dhe Londër”.
Berisha dhe Basha kanë siguri që asnjë deputet i PD-së nuk do të shkojë të votojë reformën e drejtësisë pa vendim politik. Ky vendim nuk ia krijon mundësinë dyshes Rama-Meta ta kalojnë votimin me 94 vota, pasi nuk i kanë votat. Edhe nëse ndonjë blerje “500 mijë euroshe” siç po flitet e ndonjë deputetit demokrat apo nga opozita do të sillte djegien masive të mandatëve të deputetit mu në sallën e Kuvendit. Më pas nuk dihet se si përfundon historia e rrëmujës që do të sjellë Opozita. Aq me tepër që në Bruksel dhe në Uashington e kanë mendjen tek pasojat e daljes së Britanisë së Madhe nga BE dhe as që iu bie në mendje se ç’ndodh në Shqipëri.
Ndaj me mirë një kompromis për hir të stabilitetit dhe njërëzve të thjeshtë e jo kokëfortësi e mazhorancës. Në mos qoftë siç akuzoi mbrëmë analisti Fatos Lubonja ku Edi Rama kërkon të miratojë reformën në drejtësi siç e do ai dhe ambasadori Lu për të bërë disa arrestime të mëdha kundërshtarësh për të forcuar pushtetin diktatorial të “kryegangsterit Rama”, por jo për të vendosur drejtësi. Ky ishte thelbi i akuzës së Lubonjës.
Ndërkohë duket se Lu-ja dhe Luli nuk do kenë shenja përbashkimi për këtë Reformë.
Spiten Prulli