Lu: Ministra hajdutë, gjyqtarë të korruptuar, deputetë kriminelë

 

 

Reforma në drejtësi ka arritur në pikën kur të gjitha palët thonë se duhet, por askush nuk e ka marrë seriozisht miratimin e saj. Komisioni i posaçëm që është ngritur për këtë reformë ka hartuar një dokument. Por si në çdo nismë, opozita ka paraqitur një draft paralel që kundërshton draftin e mazhorancës. Ndërkohë edhe LSI-ja, veç PS-së dhe PD-së, ka pretendimet e saj për ndryshimin e ligjeve dhe Kushtetutës. Edhe sikur votat të bëhen për kalimin e saj në Kuvend, ka rrezik që opozita të mos e njohë dhe kur të vijë një ditë në pushtet, sërish debati do nisë nga e para. Ky qëndrim ku të gjitha palët thonë ‘do bëjmë reformë’, por menjëherë pas kësaj nisin sabotimin, tregon se një pjesë e politikës nuk e ka seriozisht, pasi wshtw e inkriminuar. Nuk e kanë seriozisht, sepse kërkesa e parë e reformës së mirëfilltë është që Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokuroria etj, nuk do kalojnë më nga duart e politikës, por nëpërmjet një sistemi më strikt profesional. Me një reformë të tillë, politika nuk do t’i zgjedhë gjyqtarët sipas shijeve dhe bindjeve të saj politike e për pasojë, nuk e kontrollon dot sistemin e drejtësisë. Dhe me një sistem të tillë, të parët që kanë frikë nga kjo drejtësi, janë vetë politikanët e të gjithë kampeve. Një drejtësi e tillë do të thotë që shumë deputetë të mos jenë më në parlament pasi janë të dyshuar dhe akuzuar për vepra penale si drogë, vrasje, korrupsion,etj. Disa ish-ministra, por edhe ministra të sotëm mund të ishin nën hetim nëse drejtësia do ishte reformuar siç duhet. Janë dhe disa çështje të mbyllura si Gërdeci, 21 Janari dhe vjedhje miliona eurosh, që nëse institucionet e drejtësisë do reformohen nuk mund t’i mbyllin dosjet siç kanë bërë deri më sot. Ndaj dhe kjo klasë politike edhe kur thotë se do bëjë reformë, nuk ka gjasa t’i lëshojë gjyqtarët dhe gjykatat kaq kollaj nga duart. Nën kwtw “qiell me re tw zeza” të politikës wshtw dikush qw nuk twrhiqet. Nëse ka njeri që mund ta bëjë Reformën në Drejtësi, përveç të specialistëve, është ambasadori amerikan Donald Lu. Natyrisht, ambasadori nuk do të bëjë nenet apo ndryshimet, por ai mban të karikuar faktorin politik që të mos ndalojë apo hezitojë. Partitë politike përdridhen e spërdridhen dhe nuk e duan në thelb ndryshimin e sistemit të drejtësisë, por sapo shikojnë ambasadorin Lu shkojnë me vrap tek komisioni përkatës për reformën. E kemi thënë se Lu nuk është ambasador si gjithë paraardhësit e tij. Ai është përtej ambasadorit, është edhe lider i fjalës, debatit, argumentit dhe i vendosmërisë. Ai nuk twrhiqet.

Ambasadori Lu ka qenë i drejtpërdrejtë teksa ka treguar dhe ata të cilët nuk duan që reforma në drejtësi të miratohet. Në takimin e mbajtur dje me komisionin e posaçëm për këtë reformë, Lu u shpreh se ata që i tremben reformës në drejtësi janë të korruptuarit.“Kush i trembet më shumë reformës në drejtësi?! Unë e di kush. Ministrat e korruptuar, deputetë kriminelë, gjykatësit e paaftë dhe prokurorët që marrin paratë tuaja, por kurrë nuk ndjekin penalisht dikë. Këta persona duan të vazhdojnë të mbushin xhepat e tyre me paratë e popullit shqiptar. Mendoni për ta sa herë të dëgjoni që këta njerëz kritikojnë reformën në drejtësi”, – u shpreh ambasadori Donald Lu.

Duke dhënë garanci për rëndësinë e reformës dhe seriozitetin e hartimit të saj, Lu u shpreh gjithashtu se ndryshimet e propozuara nga komisioni i posaçëm kanë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një sinjal ky që shkon për të gjitha partitë kryesore duke konfirmuar se propozimet e komisionit nuk janë të njëanshme dhe të hartuara nga vetëm një parti. “Unë ju siguroj se SHBA mbështet plotësisht propozimet aktuale për ndryshimet kushtetuese. Ne kemi marrë pjesë në shkrimin dhe diskutimet e ekspertëve për secilin prej këtyre ndryshimeve. Kjo është një reformë rrënjësore që për herë të parë do të ndërmarrë hapa konkretë për të larguar gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar nga sistemi i drejtësisë”, – deklaroi Lu.

Ambasadori u tregua edhe njëherë tjetër i drejtpërdrejtë ndaj gjyqësorit, kur tha se gjykatës të korruptuar dhe të paaftë mbushin xhepat e tyre me paratë e shqiptarëve dhe kërkoi prej klasës politike t’i japë fund gjuhës së konfliktit dhe të punojë bashkërisht për këtë reformë. “Duhet të ketë dialog të hapur dhe të sinqertë nëse këto propozime janë reformat e duhura për të drejtuar problemet serioze të vendit. Partitë duhet të angazhohen dhe t’u japin fund sulmeve politike. Nxis që të dëgjohen me vëmendje diskutimet dhe këshillimet për këtë reformë”, – shtoi Lu. Lidhur me shqetësimet e ngritura nga pjesëtarë të gjyqësorit se reforma mund të cënojë pavarësinë e këtij pushteti, Donald Lu kishte një përgjigje krejt origjinale. “Asnjë shqiptar nuk beson sot se sistemi i drejtësisë është i pavarur. Nuk është i pavarur nga rryshfeti, nuk është i pavarur nga telefonatat, ku persona me pushtet i telefonojnë drejtpërdrejt personat e drejtësisë, nuk është i pavarur prej presionit të krimit të organizuar. Kjo reformë do t’i japë mundësinë e vërtetë për të bërë sistemin e drejtësisë për herë të parë të pavarur”, – mbylli fjalën e tij, Donald Lu.

Si rrallëherë, ambasadori i SHBA është investuar në miratimin e një reforme të tillë. Mesazhet e djeshme të ambasadorit Lu kanë qenë jo vetëm për qytetarët, por kryesisht për politikanët që kanë në dorë reformën në drejtësi. Nëse gjërat do ndryshojnë në këtë vend, kjo varet nga ndryshimi i sistemit të drejtësisë.

 

 

SHKARKO APP