Luftë korrupsionit vetëm me konferenca!
Teksa qeverisja e majtë shkon drejt vitit të dytë të mandatit të saj vlerësimet pozitive nuk mungojnë për disa reforma. Lufta kundër trafikut të drogës e shkatërrimi i plantacioneve të drogës në Lazarat, kapja e laboratorit të kokainës në Xibrakë, si dhe përpjekja për të vendosur zbatimin e ligjit në gjithë hallkat e shtetit janë nisma që kanë marrë mbështetje. Por suksesi i këtyre reformave duket i paplotë kur vjen puna tek ndëshkimi i korrupsionit tek zyrtarët e lartë. Gjatë më shumë se 18 muajve qeverisje janë arrestuar rreth 535 persona për korrupsion. Shifra është befasuese dhe një hap cilësor në krahasim me bilancin e qeverisë “Berisha”, në çdo kohë. Por befasia mbetet vetëm tek numri 535, sepse nëse sheh se kush ka hyrë në burg për korrupsion, rezulton se rrjeta e shtetit ka kapur vetëm peshqit e vegjël dhe të papërfillshëm nga pikëpamja politike. Numri zvogëlohet edhe më shumë, nëse llogarisim se një pjesë e tyre kanë arritur t’u shpëtojnë dënimeve, në sajë të “zemërgjerësisë” dhe “mbylljes së syve” përballë abuzimeve nga gjykatat. Pritshmëria e muajve të parë për ndëshkime të zyrtarëve të lartë nga ana e mazhorancës së re po zbehet, duke ia lënë vendin mendimit për paaftësi, apo frikë nga drejtuesit e mazhorancës për të vërtetuar akuzat që kanë bërë ndaj zyrtarëve të djeshëm.
Të gjitha dosjet e bujshme me të cilat PS-ja bëri fushatë, sot janë lënë në heshtje. Dosja e abuzimeve në Ministrinë e Mbrojtjes u mbyll ashtu siç nisi pa vërtetuar asnjë akuzë. Tashmë ka mbetur që vetëm drejtuesit e mazhorancës t’i kërkojnë falje ish-ministrit Arben Imami. Mediat që deri dje cilësoheshin si anekse të qeverisë dhe në deklaratat e selisë rozë u tundeshin letrat e tenderave abuzivë, sot po shihen si mbështetës të zellshëm të reformave dhe pronarët e tyre si modele biznesmenësh të suksesshëm. Abuzimet e rrugës Durrës-Kukës, që mbajtën për vite me radhë ndezur zjarrin e vrullit opozitar të PS-së, përveç Erjon Braçes në Facebook, asnjë tjetër nga PS-ja nuk i zë në gojë. Të mos harrojmë se abuzimet ishin rreth 250 milionë euro, pak më shumë se gjysma e borxhit që qeveria u kishte bizneseve. Megjithatë, sot askush nuk flet. Askush nuk flet as për Gërcedin dhe viktimat e kësaj tragjedie kujtohen njëlloj sikur të ishin të Luftës së Dytë Botërore dhe jo të vitit 2008. Në heshtje po kalojnë dhe akuzat për kompanitë lobuese të huaja që financoheshin nga zyra e Berishës për t’i fshehur opinionit ndërkombëtar korrupsionin dhe shkeljen e ligjit në Shqipëri. Ashtu siç po harrohen dhe akuzat për gjoba qindra milionëshe që u vendoseshin bizneseve vendase dhe të huaja që nuk i kishin mirë punët me qeverinë “Berisha”. Dhe heshtja më e madhe dhe e sikletshme është për 21 Janarin, ku 4 persona u vranë në bulevard dhe sot vrasësit e urdhëruesit janë të lirë. Dhe për 21 janarin janë faktet që nuk mund të ikin. Ka pamje filmike, ka të vrarë, ka dëshmitarë, ka padi penale, por akoma nuk ka të arrestuar VIP. Janë ndaluar disa, por nuk janë urdhëruesit, nuk janë kupola e asaj masakre. Por hetimi mund të kap edhe peshq nga e majta. Rëndësi ka të zbatohet ligji e të ketë drejtësi. A thua PS i ruhet se mos Prokuroria për 21 janarin mund të arrestojë edhe nga selia rozë? Ndaj nuk po i mëshojnë kupola e PS-së gjetjes së peshqve të mëdhenj?!
PS-ja gjatë viteve të opozitës ka bërë shumë akuza për korrupsionin e qeveritarëve të PD-së. Po sot që është në pushtet, pse ka harruar çfarë dokumentesh ka publikuar kundër ish-ministrave të Berishës? Apo tani është në pushtet dhe nuk ka interes të hap telashe me arrestime të ish-ministrave, apo ish-zyrtarëve të lartë të selisë blu?
Të gjitha këto akuza janë vetëm maja e ajsbergut të abuzimeve dhe shkeljes së ligjit që opozita e djeshme denonconte për Berishën. Sot, më shumë se para 23 qershorit, njerëzit presin që të vihen në zbatim drejtësia, duke provuar se nuk ishin shashka elektorale të Edi Ramës. Ministri për Çështjet Vendore dhe Koordinatori i Luftës AntiKorrupsion në Qeveri, Bledi Çuci deklaroi dje se 2015-ta do të jetë viti i antikorrupsionit. Ai tha se shumë shpejt qeveria do të paraqesë strategjinë antikorrupsion për tre vitet e ardhshme, duke shtuar se nuk do të mungojnë rastet që do të bëhen shembull, duke iu referuar Kroacisë dhe Rumanisë. Në nëntor 2012, ish-kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader u dënua me 10 vjet për dy raste korrupsioni që lidheshin me 500 mijë dhe 10 milionë euro. Ish-kryeministri i Rumanisë, Adrian Nastase, u dënua me dy vite burg po për korrupsion. Nëse ndjekim logjikën e vendeve si Rumania dhe Kroacia, atëherë shembulli më i mirë do të ishte arrestimi i ish-kryeministrit Sali Berisha, nëse kanë fakte që para se të vinin në pushtet socialistët deklaronin se i kishin me shumicë. Akuzat për të cilat janë dënuar homologët e tij në Ballkan, duken të lehta në krahasim me malin e akuzave që ka ngritur dikur PS-ja ndaj tij. Nëse paketa anti-korrupsion e qeverisë ka parasysh goditje të tilla, atëherë mund të thuhet se beteja kundër abuzimeve është në rrugën e duhur. Megjithatë, është e pakuptueshme se përse duhet strategjia kur faktet janë në shesh dhe mungon vetëm vullneti për të bërë një aksion të gjerë në nivelet e larta kundër korrupsionit. Ndëshkimi i ish-zyrtarëve do ishte dhe shembulli më i mirë për zyrtarët aktualë, që të mendohen para se të firmosin kontratat të dyshimta. Pse nuk penalizohen edhe drejtues të lartë të sotëm për akuza që jepen përditë? Lufta kundër korrupsionit nuk bëhet me strategji, plane tre apo pesëvjeçare dhe aq mw pak me konferenca dhe deklarata!
Por duket se qeveria ka zënë karrigen e pushtetit e nuk ka interes për sherre me opozitën e sotme. Apo ka frikë se mos protestuesit e PD-së zaptojnë kryeministrinë? Nëse duhet drejtësi, duhet bërë! Nëse nuk kanë qenë akuza për fushatë elektorale, atëherë PS të mos vonojë. Në të kundërt asnjeri nuk beson më! As tek Edi Rama.